KLASA POLITIKE E SHQIPËRISË DJE, SOT DHE NESËR
Në fakt klasë politike në Shqipëri pas L2B, kur sundoi diktatura komuniste, nuk ka pasur realisht. Gjithçka vendosej prej drejtuesit të PKSH/PPSH-së. Trimëria e partizanëve që kishin dalë malit për të dhënë jetën për liri e demokraci, u fashit shpejt. Ish-partizanët që u emëruan nëpër poste zyrtare u transformuan shumë shpejt në shërbëtorë besnikë të diktaturës e diktatorit. Askush nuk reagonte ndaj vendimeve të udhëheqësit edhe kur e shihte se ato ishin të padrejta, edhe kur arrestoheshin njerëz të pafajshëm, madje dhe shokë të tyre ish-partizanë. Mendimi politik u bë monopol i udhëheqësit të partisë. Ky rizgjidhej gjithnjë me 100% të votave. Plenumet e partisë dhe diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike ishin një farsë, dëshmi e servilizmit të skajshëm.
Në vitet 1990-1992 u zhvillua një luftë paqësore për krijimin e pluralizmit dhe për ndërrimin e regjimit. Ish-të dënuarit e ndërgjegjes të dalë nga burgjet dhe kampet e internimit u entusiazmuan. Bashkë me ta edhe shumë njerëz të thjeshtë i pranuan si liderë udhëheqësit e Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë Balli Kombëtar, Partisë së Legalitetit, etj. Fjalimet e këtyre politikanëve të rinj pëlqeheshin sepse shanin e kritikonin diktaturën komuniste që e kishte varfëruar, terorrizuar e manipuluar popullin. Pëlqeheshin sepse në shumë fjalime e artikuj shpaloseshin dënimet e padrejta të shumë shqiptarëve që ishin burgosur, internuar ose pushkatuar. Të përndjekur të talentuar si Lazër Radi, Eugjen Melika, Atë Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, Uran Butka, Pjetër Pepa e shumë të tjerë filluan të shkruanin dhe botonin kujtime nga jeta e tyre plot tortura e vuajtje duke treguar me vërtetësi dhe pa kërkuar revansh. Po delnin në dritë shumë fakte të panjohur mbi vrasje të padrejta pa gjyqe ose me gjyqe falco, mbi luftën që u ishin bërë intelektualëve, klerikëve e pasanikëve prej shërbëtorëve të droguar të diktaturës komuniste. Leximi i këtyre veprave e nxiti lindjen e urrejtjes te njerëzit e ndershëm, të cilët kaluan nga gjendja e njeriut të heshtur e të nënshtruar në simpatizantë të të përndjekurve.
Mirëpo kjo lloj lufte mbeti vetëm me vënie në dukje të krimeve. Krimet dhe kriminelët nuk i dënoi, pronën nuk ua ktheu pronarëve të shpronësuar. Shumë ish-shërbëtorë të regjimit që kapitulloi me turp morën përsëri poste në pushtet, kurse të përndjekurit, sipas planit Katovica u lanë mënjanë, madje as shpërblimet e ditëve të burgut nuk iu dhanë sa e si duhej. Pas riardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013 e sidomos pas vitit 2018 Edi Rama, Kryeminstri i vendit, është kthyer në një prepotent që vetë firmos e vetë vulos, si një neokomunist. Shumë ish-komunistë, e tashmë neokomunistë, si deputeti Spartak Braho, janë hedhur në sulm kundër punës së ndershme të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, e sidomos kundër intelektualit të shquar Agron Tufa, drejtor i këtij instituti. Po ashtu dhe ish-drejtori i burgut të Spacit, zoti Edmond Caja iu sul me shpifje poetit e shkrimtarit të talentuar Visar Zhiti.
Në të njëjtën kohë respekti për Sali Berishën me shokë ka pësuar rënie, por ende shumë njerëz kanë mbetur simpatizanë të tij e të Partisë Demokratike. Simpatiantët e liderëve politikë të shqiptarëve ndahen kryesisht në dy, njëra palë simpatizon Edi Ramën, kurse tjetra Sali Berishën. Kjo dëshmon se për nga formimi politik, ne jemi ende një popull i paformuar si duhet. Faik Konica ka thënë shumë herët: “Shqiptarët shkojnë pas individëve dhe jo pas ideve”.
Për fatin tonë të mirë, këto vitet e fundit, kanë dalë disa intelektualë që po i nxjerrin në dukje gabimet e rënda të klasës së sotme politike. Midis tyre shkëlqejnë Profesor Sami Repishti, avokati Spartak Ngjela, gazetari Frank Shkreli, etj.
Te gazeta Dielli e 28 gushtit 2019 në artikullin e Profesor Sami Repishtit “Kur të prishim Shqiperinë ku do të vemi?” dhe në artikullin e Spartak Ngjelës “Kur një vend ka sjellë në pushtet injorantë, populli është i detyruar të dëgjojë sharje individësh dhe jo qeverisje të përgjegjshme” botuar te gazeta Tema e 8 shtatorit 2019, ngrihet problemi shqetësues i gjendjes së klasës politike të Shqipërisë të këtyre 28 vjetëve të fundit. Të dy autorët japin karakterizime të goditura për klasën politike që po sundon Shqipërinë me mungesë përgjegjësie. Të dy autorët e venë theksin te fakti se politikanët e pas vitit 1991 merren me sharje individësh, por nuk hapin debat për zhvillimin kombëtar, për ndërtimin e një strategjisë për mirëqeverisjen e Shqipërisë.
“Loja me sharje dhe fyerje e me denoncime të kota, ka vetëm një qëllim: pushtet dhe para” – thekson avokat Ngjela dhe vijon: “Por paraja tani do të hyjë nën hetim nga reforma antikorrupsion”. Këtë hetim ai e quan “shpëtim i shqiptarëve”, sepse qeverisja e këtyre viteve sipas tij ka qenë “një pushtim sui generis i shoqërisë shqiptare nga një bandë kriminelësh”. Dhe, si shpesh herë, ai shprehet me optimizëm se “reforma antikorrupsion”, që ndërmorrën aleatët tanë perëndimore pasi panë se vetë shqiptarët nuk e kryenin dot, do të përfundojë me sukses.
Profesor Repishti nga ana e tij i mëshon edhe nevojës për krijimin e një partie të vërtetë opozitare, e cila të largohet nga rruga e derisotme e politikës shqiptare dhe të merret me krijimin e strategjisë për mirëqeverisjen e vendit.
Gazetari Frank Shkreli, i shqetësuar për acarimin e grindjeve dhe mosmarrëveshjeve partiake, u përpoq të nxitë mirëkuptim midis forcave politike duke komentuar në disa gazeta vargjet e poetit Martin Camaj, poetit të lartësive, i cili para vdekjes, më 1992 hodhi kushtrimin:
“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
Si bima prej fare në pranverë”.
Kjo thirrje e formuluar në vitet e para të pluralizmit, ka qenë, është e do të mbetet imperative për shqiptarët e përçarë, të cilët për 50 vjet u ushqyen me ideologjinë komuniste të luftës së klasave, kurse sot vijojnë të ushqehen me grindje e sharje prej liderëve të partive të sotme. Politika e atëhershme e luftës së klasave dhe politika e sotme e grindjeve dhe sharjeve individuale midis liderëve partiakë, ka ngulitur te shqiptarët urrejtjen për njerëzit që mendojnë ndryshe, pra për bashkëqytetarët e tyre. Kjo situatë krijon një ngërç për të nesërmen e klasës sonë politike.
Dua të theksoj se dhe unë besoj se lufta kundër korrupsionit do të kryehet me sukses dhe populli do të shpëtojë nga banda kriminaleqë e ka sunduar këto 30 vjet. Por, si më shkruajnë në e-mail Profesor Repishti dhe gazetari Shkreli, ka rrezik që pas kësaj fitoreje ekziston mundësia e një dështimi të ri, sepse ne shqiptarët dhe aleatët tanë jemi të papërgatitur dhe nuk kemi kuadro, të cilët të kenë një formim të lartë qytetar e politik për të mos rënë viktima të korrupsionit. Mos ndodhë si me ish-partizanët që ranë vitktima të politikës diktatoriale të Enver Hoxhës dhe si me ish-demokratët e ish-socialistët e ish-republikanët, etj, të cilët pasi erdhën në pushtet u dhanë pas fitimit korruptiv duke harruar detyrën ndaj popullit që i pati zgjedhur. Ata, ashtu si ish-partizanët u kthyen në besnikë të udhëheqësve të partive të tyre, të ciat nuk ishin aspak parti të vërteta demokratike, eurosocialiste, republikane, etj.
Për të arritur që të kemi një klasë të re politike nesër, e cila t’i qëndron larg korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit, duhet punuar seriozisht dhe sa më shpejt në bashkëpunim dhe me aleatët tanë perëndimorë për të kualifikuar kuadro me formim solid juridik, politik dhe shoqëror. Gjithashtu duhet krijuar e votuar një ligj, sipas të cilit të ndalohet vënia në lista për t’u zgjedhur deputetë e njerëzve që kanë marrë pjesë në qevritë e viteve 1944-2019. Sepse, si ka thënë Faik Konca në qershor 1924 “Nuk mund të krijohet një godinë e re me qereste të vjetër”.
Krahas këtyre dukurive mendoj që të gjithë intelektualët: artistë, shkrimtarë, studiues, gazetarë, analistë, etj të punojnë për krijimin e mirëkuptimit midis shqiptarëve. Na duhet të hedhim tutje urrejtjen për njeriun që mendon ndryshe. Na duhet që secili të bëjë katarsën e vet për gabimet dhe krimet që ka bërë gjatë viteve të diktaturës dhe viteve të tranzicionit.
Pa dënuar krimet dhe gabimet, pa ia kthyer pronën të zotit dhe pa kryer shpëlarjen midis nesh, pa kërkuar të falur për krimet e gabimet që kryen prej nesh ose prej prindërve tanë dhe pa ua falur këto gabime e krime atyre që kërkojnë falje, nuk mund të vijë pajtimi dhe uniteti kombëtar. E kemi thënë dhe po e rithemi se pa realizuar pajtimin dhe unitetin komëtar nuk ka si vjen përparimi shoqëror, politik dhe ekonomik, sepse pa këto vleranuk ka si të krijojmë nesër një klasë politike që të respektojë me rigorozitet ligjin dhe t’i rrijë larg korrupsionit…