Mediat amerikane: SHBA kishte një agjent në qarqet e larta ruse
Agjensia Kombëtare e Zbulimit (CIA) ruante si burim të dhënash një person me qasje në nivelet e larta të Kremlinit, njoftuan gazeta “The New York Times” dhe rrjeti televiziv CNN. Informatori luajti një rol kryesor në vlerësimin se Presidenti rus Vladimir Putin udhëroi një fushatë ndikimi tek zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Asnjë prej këtyre mendieve amerikane nuk e identifikoi personin në fjalë, por emri i tij u publikua në disa media ruse.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se personi i emërtuar në njoftimet e mediave ruse ka punuar vërtet për zyrën e presidentit rus, por nuk ka qenë në pozicion të lartë dhe nuk kishte kontakte direkte me Putinin.
Të dy organizatat amerikane të lajmeve thanë se personi u evakua nga Rusia në vitin 2017, pasi pati refuzuar një ofertë të mëparshme për t’u larguar nga vendi.
Rrjeti CNN tha se vendimi për ta larguar informatorin nga një post kaq i vlefshëm u mor pas shqetësimeve për keqmenaxhim të informacionit të klasifikuar nga Presidenti Donald Trump dhe nga anëtarët e administratës së tij. CIA e kundërshtoi këtë lajm dhe i tha CNN-it se agjencia i merr vendimet bazuar vetëm në “analizën objektive dhe mbledhjen e të dhënave të plota”.
Gazeta “The New York Times” bëri një lidhje mes evakuimit të informatorit dhe publikimeve në media të zbulimit të fushatës ruse për ndërhyrjen në zgjedhje, si dhe me hamendësimet e ngritura në atë kohë për një burim nga brenda Kremlinit. Gazeta thotë se është e rrezikuar jeta e informatorit dhe përmend rastin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, i cili u dënua për aktivitet spiunazhi në favor të Britanisë dhe u helmua me një agjent kimik nervor, vitin e kaluar.
Njoftimet thonë se humbja e një burimi me qasje të tillë në Kremlin e ka lënë komunitetin amerikan të zbulimit pa informacion për veprimet më të fundit të Rusisë dhe për planet e saj për të influencuar zgjedhjet e ardhshme.
(Zëri i Amerikës)