Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Trump shkarkon nga detyra Këshilltarin e Sigurisë, John Bolton

Image result for ruben avxhiu

 

 

 

Ruben Avxhiu

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, është zyrtari i radhës i lartë i Administratës së Presidentit Trump që largohet nga detyra.

“E njoftova mbrëmë John Bolton-in se shërbimet e tij nuk nevojiten më në Shtëpinë e Bardhë”, sapo shkroi Presidenti Donald Trump, në rrjetin social Tuitër. “Nuk isha dakord me shumë propozime të tij, ashtu si edhe shumë të tjerë në administratë…”.

John Bolton shihej si një zyrtar i linjës së fortë në çështjet e sigurisë dhe të jashtme. Ai besohej se ishte edhe arkitekt i politikës së përplasjes me Iranin.

Nga ana tjetër, ky largim thellon ritmin e lartë të vajtje-ardhjeve në administratën e Presidentit Trump ku ish-zyrtarët ankohen për vështirësi komunikimi dhe një prirje të kreut të Shtëpisë së Bardhë për të ndryshuar shumë shpesh mendjen për tema të rëndësishme.

Shumë shqiptarë e panë me dyshim ngjitjen në detyrë të ish-diplomatit John Bolton për shkak se kishte qenë një nga zërat e rrallë amerikanë që kishin folur publikisht kundër pavarësisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Bolton ka qenë nga zërat më radikalë kundër rikthimit të Rusisë si një forcë negative në politikat ndërkombëtare dhe kjo i ka inkurajuar disa që druheshin nga dobësia e Perëndimit përballë kërcënimit rus.
Gjatë qendrimit të tij relativisht të shkurtër në detyrë, Këshilltari Bolton ka pasur disa takime me zyrtarë të lartë të Serbisë dhe disa komentues në botën shqiptarë e kanë lidhur me të, ndoshta gabimisht, projektin e një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do të sillte njohjen e pavarësisë nga Beogradi. Ideja e marrëveshjes është paragjykuar dhe dënuar gjerësisht në Kosovë e në botën shqiptare, për shkak të mundësisë së shkëmbimit të territoreve ose lëvizjes së kufijve në mënyrë të atillë që mund të çojë në lënien jashtë Kosovës së tre rajoneve me shumicë serbe.
Bolton vetë nuk ka sugjeruar ndonjëherë publikisht ndryshimin e kufijve, po ka deklaruar se SHBA do të mbështeste çfarëdo marrëveshje që firmosej si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova.
Dyshimet e shqiptarëve u shtuan kur pas takimit së Këshilltarit Bolton, me ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq, ky i fundit deklaroi me pompozitet se Serbia nuk është kuptuar ndonjëherë më mirë në Washington.
Pavarësisht nga këto dyshime e besime, politika e jashtme amerikane gatuhet në Departamentin e Shtetit dhe jo nga Këshilltari i Sigurisë. Mbetet për t’u parë sesa ndikim ka pasur vërtet Këshilltari Bolton, apo nëse ka ndryshuar vërtet nga ardhja e sidomos ikja e tij në qendrimet amerikane.
Një sinjal padyshim do të ketë qenë pranimi nga Presidenti Trump i një nisme franceze për rivendosjen e një dialogu mes SHBA-së dhe Iranit. Po ashtu për herë të parë është lënë hapësirë për një takim të mundshëm të Presidentit Trump dhe Presidentit Hassan Rouhani të Iranit.
Bolton ka udhëtuar në Shqipëri për t’u takuar me një grup të qëndresës së armatosur kundër regjimit fetar në Iran. Me zgjedhjen e tij rëndësia e këtyre muxhahedinëve që ka pranuar të strehojë Shqipëria ishte rritur shumë.

Bolton ishte radikal edhe ndaj Koresë së Veriut, duke besuar se vetëm linja e fortë e kërcënimeve dhe e përplasjes funksionon me diktatorë si Kim, Putin, apo Ajatollahët. Orvajtja e Presidentit Trump për të vendosur linja komunikimi dhe për të arritur marrëveshje historike me këto vende kundërshtare kanë dobësuar pozitën e tij. Përjashtimi duhej se do të ishte Irani, një temë shumë për zemër e Këshilltarit Bolton.
Trump kishte qenë për shumë vite kundërshtar i afrimit me Iranin dhe e shihte marrëveshjen gjashtëpalëshe me Iranin për çështjen e armëve bërthamore si tepër favorizuese për Teheranin. Nën këshillën e Boltonit, ai deklaroi se SHBA nuk e njihte këtë marrëveshje. Po ai nuk gjeti përkrahje as nga vendet e BE-së e as nga Rusia e cila ka marrëdhënie shumë të mira me Iranin. Irani është gjithashtu shumë i përfshirë në konfliktin e Sirisë.
Në deklaratat e tyre dukej një dallim i madh. Ndërsa Trump takohej me Kim, Putinin dhe së fundi hapi rrugën e bisedimeve me Iranin, Bolton ka treguar rregullisht mosbesim të hapur.
Një tjetër temë që mund të ketë ndikuar në largimin e Boltonit është Venezuela, ku Bolton përdori linjën e fortë duke mbështetur tërësisht opozitën në Venezuelë, kundër diktatorit Maduro që mbështetej nga Rusia. Sipas medias amerikane, Trump kishte besuar në një fitore të lehtë e të shpejtë të opozitës, po në fund, diktatura mbeti në këmbë.
Një tjetër dështim ishte anullimi në momentin e fundit të një takimi sekret me Talibanët në Kampin presidencial Davis, në SHBA, ku do të vendosej paqja mes Talibanëve dhe qeverisë në Kabul dhe SHBA do të fillonte më në fund tërheqjen e plotë prej një vendi ku kishte ndërhyrë pas 11 Shtatorit 2001.
Në fund, dallimet u bënë më të forta se besimi i Presidentit Trump të Këshilltari i tij i Sigurisë.
Në përgjithësi, reagimet e shqiptarëve në rrjetet sociale për largimin e Këshilltarit Bolton në shumicën e tyre shprehën gëzim e çlirim.
Kurioz ishte në fund edhe reagimi nga vetë John Bolton, që në rrjetin social Tuitër shkroi se kur i kishte dhënë dorëheqjen Presidenti Trump i kishte thënë “le të flasim përsëri në mëngjes”. Ekziston mundësia që largimin nga administrata, Bolton ta ketë mësuar, ashtu sit ë gjithë ne të tjerët, nga postimi i presidentit, në Tuitër./ylliria press/

Please follow and like us: