SHBA do të sanksionojë këdo që blen naftë nga Regjimi Iranian
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të vënë sanksione mbi këdo që blen naftën e regjimit iranian apo që bën biznes me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe nuk do të ketë më lehtësime lidhur me naftën, tha të dielën për Reuters një zyrtare amerikane.
“Do të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Iranin dhe, siç ka thënë Presidenti (Trump), nuk do të ketë asnjë lloj lehtësimi për sa i përket naftës së Iranit,” tha Sigal Mandelker, Nën-Sekretare e Thesarit Amerikan për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare.
Mandelker shtoi se shitjet e naftës së regjimit iranian kanë kanë marrë “pikiatën” për shkak të presionit amerikan.
Eksportet e naftës krudo të Teheranit kanë rënë me mbi 80% për shkak të rivënies së sanksioneve nga Uashingtoni pas daljes së Presidentit Donald Trump vitin e shkuar nga pakti bërthamor i 2015-ës mes regjimit të Iranit dhe fuqive botërore.
Që kur e braktisi paktin bërthamor, duke thënë se ky pakt anonte nga avantazhi i regjimit, Presidenti Trump i ka rivendosur sanksionet për t’ia zënë frymën tregtisë së naftës që për regjimin është thelbësore, dhe për ta detyruar Teheranin të pranojë limite më të rrepta mbi veprimtaritë e tij bërthamore, ta frenojë programin e tij të raketave balistike dhe t’i japë fund mbështetjes për forcat terroriste proksi në Lindjen e Mesme.