Albspirit

Media/News/Publishing

Ditarët e fshehtë të Vojtilës: Zoti, Hitleri dhe Heminguei

news-pope-john-paul-ii

Nuk lë pas asnjë pronë që është e nevojshme të zotërohet. Shënimet personale të digjen. Kërkoj që këtë ta mbikëqyrë Don Stanislavi”. Kështu shprehej polaku i madh në testamentin e tij, në 6 mars 1979. Atëherë, përse janë shkelur këto kërkesa? Përse shënimet e tij nuk u dogjën, sic kërkoi? Ata shënime, të ruajtur për vite të tërë me xhelozi nga sekretari i tij personal, pas vdekjes së Gjon Palit II u transferuan në dioqezën e Krakovës. Aty ku Don Stanislav Dzivic, që më vonë u bë kardinal dhe pasardhës i Vojtilës në drejtimin pastoral të qytetit, sapo i ka botuar përmes shtëpisë botuese Znak, me titullin: “Jam i sigurtë në duart e Zotit. Shënime personalë, 1962-2003”. Jo të gjithë, në Poloni, e kanë mbështetur këtë veprim. Madje polemikat janë ndezur, për arsye se dy axhendat e fshehta të Vojtilës duket se janë transformuar në relike. Botuesi polak thotë se ky është një libër që duhet ta lexojnë të gjithë. Por nuk i përgjigjet pyetjes për kopjet e tërhequra, apo nëse kardinali Dzivic do të marrë ndonjë lloj fitimi, në cfarëdo formë. Megjithatë, ai siguron se të ardhurat do të shkojnë për ndërtimin e qendrës “Mos kini frikë”, në afërsi të Krakovës. Ja pra, ditarët e Polakut të Madh, fillimisht si peshkop i thjeshtë, e më pas si Papë. Një ditar i përket 1962-shit, tjetri 1985-ës. Brenda, ndodhen reflektimet e tij për tema të mëdha edhe sot – që janë në qendër të debatit për Kishën. Si përshembull udhëheqja e Kishës. Apo beqaria e priftërinjve. Por edhe gjykime që përziejnë spiritualitetin e Papës me kuriozitetin e njeriut, të Vojtilës artist dhe letrar. Ka shënime për personazhe të mëdhenj historikë (Hitleri, Bismarku) dhe shkrimtarë me famë absolute (Hemingueji, Dostojevski, Tolstoi, Manzoni, Sartri). Do të mbeten megjithatë të zhgënjyer të gjithë ata që shpresojnë që në shënimet personalë të Gjon Palit II do të gjejnë informacione apo prapaskena. Në shënimet e tij, Vojtila mban vetëm ditarin personal.

 

Stili

 

Shënimet e Vojtilës nuk janë kaotike. Dhe një grafolog i mirë mund të zbulojë shumë mbi personalitetin e njeriut që në 27 prill 2014 do të shpallet shenjt. E megjithatë, mjafton t’u hedhësh një sy faqeve të ditarëve për të kuptuar që kemi të bëjmë me një person të disiplinuar, sistematik, shumë të vëmendshëm ndaj detajeve, me një aftësi të madhe sintetizimi, dhe një marrëdhënie intime dhe rigoroze me ditarin e tij. Tani, me ndryshimet e mëdhenj që ka kërkuar Papa Francesku, fjalët e Vojtilës mbi rolin e priftit-bari dhe të varfërit tingëllojnë shumë aktuale. Lexojmë: “Bari (pastor). Karakteristika e parë – një pastor i vërtetë e merr fuqinë nga Krishti. Karakteristika e dytë: njohja e grigjës dhe e dhenve: kjo shpjegon edhe strukturat:  dioqezën, kishat, komunitetet e bazës. Karakteristika e tretë: duhet të jetë udhëheqësi i vërtetë (nuk duhet të ecë shumë shpejt ose shumë ngadalë) – duke ditur që të tjerët e ndjekin pas. Karakteristika e katërt: të jetë i gatshëm për të gjetur delen e humbur. Karakteristika e pestë: të jetë i disponueshëm”.

 

Qeverisja e Curia-s

 

Eshtë një pikë kyce. Ja cfarë shkruante Papa: “Të jesh Curia i Papës në Kishë. Presidencë dinamike në bamirësi dhe kompleks antiroman. Njohja – dhe zbatimi i Vatikanit II. Ungjëllizim i ri. Ministria e shenjtërizimit. Qeveris duke gjallëruar – gjallërohesh duke qeverisur. Disa prioritete: 1. Zbatimi i Vatikanit II. 2. Hapja për kungimin, ekumenizmin, fetë e tjera etj. 3. Përmendja e kishave të vecanta. 4. Hapje për laicizmin. 5. Shpirti i shërbimit, mirësia, fjalët e Palit VI”.

 

Beqaria e priftërinjve

 

Këtu ka bindje të tijat, por edhe dyshime personale. “Pastërti. Trupi vjen nga Zoti. Krishti është vetë dëlirësia dhe vetë virgjëria! Beqaria e priftërinjve është një mister i mbinatyrshëm (shih fjalët e Krishtit: jo të gjithë e kuptojnë) por edhe një dhunti nga Zoti. Kjo dhunti realizohet tek një njeri konkret, pavarësisht dobësive të tij. Eshtë kjo ajo që mendoj?”

 

Dashuria për shkrimtarët

 

Ngjall kuriozitet të shohësh në skajet e shënimeve të Papës emra domethënës të historisë apo letërsisë, si Dostojevski, Heminguei, Manzoni, Dante, Haideger, Tolstoi, Sartri, Bonheferi, shën Tomazi, Xhovani Bosko, Nënë Tereza, Hitleri, Bismarku. Fragmente citimesh që kryqëzohen me reflektime mbi besimin dhe Kishën. Në krah të frazës “vdekja është një mister. Krishti shkëmben misterin e vdekjes si dëshmi të vdekjes, Ungjilli”, vendos emrin e Tolstojit. Dhe pranë shënimit “vdekja është një absurd? Jeta është vetëm një pelegrinazh, pas të cilës na pret takimi me Krishtin në lumturinë e përjetshme. Atëherë, nuk është absurd, por Logjikë Hyjnore / Plan hyjnor”, shkruan emrin e Sartrit. Hemingueji shfaqet në anë të këtij shënimi: “Ungjijtë kanë sjellë shumë pak fraza të Marisë. Si është e mundur, nëse nuk njoh bashkëshortin…virgjëria si dëshmi e Zotit”. “Ja ku jam, shërbyesja e Zotit, le të bëhet vullneti i Tij”. Teksa shkruante këta refleksione mbi Marinë, Vojtila kishte ndoshta në mendje vështirësitë dhe vetminë e protagonistit të “Plaku dhe deti”, shumë popullor në Poloni, dhe që i riu Vojtila me siguri e kishte lexuar dhe e kishte për zemër. Po si mund të interpretosh emrin e Haidegerit të vendosur në krah të frazës: “Beqaria e priftërinjve është një mister i mbinatyrshëm?” Duke shkruajtur këtë frazë, papa i ardhshëm, një i dashuruar pas maleve polakë, kishte në cdo rast në mendje filozofin gjerman, në shtëpinë e tij në Pyllin e Zi. Dhe cfarë mendonte kur vendoste emrin e Hitlerit përbri frazës: “Mëkati më i madh – sa më i madh ideali?” Për krenarinë njerëzore që qëndron në themel të “strukturave të mëkatit”?

 

I varfëri shpëton botën

 

Eshtë një prej koncepteve më të fortë të ditarëve: “I varfëri shpëton botën. I varfëri transformon botën. Krishti zgjedh të varfërit: Optio pro pauperibus. Varfëria, jo dorëzim, por zgjedhje e dashurisë.

Please follow and like us: