Pësoi atak kardiak gjatë seksit, ja si vendosi gjykata
Një kompani franceze është shpallur përgjegjëse për vdekjen e një punonjësi i cili pësoi atak kardiak, ndërsa po kryente marrëdhënie seksuale me një të huaj gjatë një udhëtimi pune. Një gjykatë në Paris vendosi se vdekja e punonjësit ishte aksident në punë dhe familja kishte të drejtë për kompensim. Firma argumentoi se burri nuk po kryente detyra profesionale kur shkoi në dhomën e hotelit të gruas. Por sipas ligjit francez një punëdhënës është përgjegjës për çdo aksident që ndodh gjatë një udhëtimi pune, thanë gjykatësit. Burri, i quajtur Xavier X, punonte si inxhinier për TSO, një kompani e shërbimeve hekurudhore me bazë afër Parisit. Ai vdiq në një hotel gjatë një udhëtimi në qendër të Francës në 2013, si rezultat i asaj që punëdhënësi e konsideroi një marrëdhënie jashtëmartesore me një të huaj. Kompania kundërshtoi që vdekja të konsiderohet si aksident në vendin e punës. Por gjykata e Apelit vendosi që një punonjës gjatë një udhëtimi pune ka të drejtë për mbrojtje sociale gjatë gjithë kohës së misionit të tij, pavarësisht rrethanave.