VOA: Çfarë nënkupton shkarkimi i këshilltarit Bolton?
Presidenti Donald Trump njoftoi dje se kishte shkarkuar këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, duke thënë se nuk ishte dakord me shumë prej propozimeve të zotit Bolton. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton: Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton kishte në axhendën e së martës diskutime me Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin dhe Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo lidhur me sanksione për të luftuar terrorizmin. “Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump i fuqizon më tej përpjekjet tona antiterroriste”, tha lidhur me sanksionet Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Por zoti Bolton u shkarkua me një postim në Twitter nga Presidenti Trump pak orë para takimit. Zoti Bolton reagoi duke thënë se kishte ofruar të dorëhiqej para se presidenti ta shkarkonte. Largimi i tij i papritur pason anulimin e bisedimeve të paqes me talebanët në pikën presidenciale të pushimeve, Camp David. Në bisedime pritej të diskutohej tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani. Njoftohet se zoti Bolton ishte kundër idesë së marrëveshjes. “Me sa duket disa nga problemet që kishin lindur sollën mosmarrëveshje dhe shkaktuan shkarkimin e Boltonit, pasi presidenti vendosi të mos takohej me talebanët,” thotë Tood Belt, pedagog në Universitetn George Washington. Këto zhvillime ndodhin gjithashtu në një kohë kur presidenti vazhdon përpjekjet për zgjidhje diplomatike me rivalë si udhëheqësit e Koresë së Veriut dhe Iranit. “Prej kohësh John Bolton ka mbështetur idenë e ndryshimit të regjimit që përbën shqetësim të madh për Iranin. Me largimin e tij ka gjasa që nuk ngrihet më për diskutim tema e ndryshimit të regjimit gjë që krijon hapësirë për diskutime mes Teheranit dhe Uashingtonit,” thotë analisti Alex Vatanka.John Bolton i përket vijës së ashpër në politikën e jashtme dhe ka mbështetur haptazi alternativën ushtarake. Ai ka pasur shpesh përplasje me Presidentin Trump, i cili, megjithëse shprehet me terma agresive, kërkon të shmangë përfshirjen e Amerikës në konflikte ushtarake jashtë vendit.Shkarkimi i zotit Bolton pason një numër ndryshimesh e zëvendësimesh në ekipin e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të presidentit. “Aleatëve tanë nuk u pëlqejnë këto ndryshime dhe pasiguri në administratë. Ata duan që administrata të flasë me një zë të vetëm dhe në mënyrë konsistente. Por nuk po ndodh një gjë e tillë me këtë administratë,” thotë zoti Belt. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo këmbëngul se largimi i zotit Bolton nuk ndikon në vazhdimësinë e politikave:“Nuk mendoj se ndonjë udhëheqës kudo në botë duhet të bëjë hamendësi se për shkak të largimit të një zyrtari, do të ndryshojë në një masë domethënëse politika e jashtme e Presidentit Trump”. Bolton është këshilltari i tretë i sigurisë kombëtare i shkarkuar nga presidenti në më pak se tre vjet të mandatit. Javën e ardhshme pritet që të emërohet zëvendësuesi i tij.