Irma Kurti: Unë – fëmija naiv
Mijëra kilometra gëlltit makina,
i mërzitshëm ky udhëtim sot,
por më tepër mendimi për ty,
më trishton e shumë më lodh.
Kurrë nuk mësova kush ishe,
në çastin kur ndihesha e qetë,
ti humbje në galaktika të tjera,
në aventura, që i kërkoje vetë.
Dhe unë përgjithnjë fëmija- naiv,
me sy të mëdhenj, ëndërrimtarë,
shpresoja se ti në çdo rikthim,
do ishe ndryshe, jo si më parë.
Kalonte java, flisja me pendimin:
”Përse t’i hapa dyert e vetmisë?”
Pareshtur grindesha, urreja veten,
për ankthin, frikën, pasguritë.
O njeri pa emër dhe pa identitet,
çfarë dreqin fsheh në atë shpirt?
Thuamë, më ke dashur vërtet,
a më ke mbushur me mashtrim?
Më lodhe, jo, na lodhe të gjithave,
ne “ish”- eve të tua në dëshpërim,
na le, na gjete me lot ndër sy,
prej tekave të tua që s’njohin kufi!
Rruga e gjatë po më lodh,
por më tepër mendimi për ty.
Marrë nga libri “Bëj sikur fle”, 2005.