Ilir Levonja: Europa dhe monopoli qeveritar
Pa u futur thellë në termat e ekonomisë, monopoli a monopolizimi ka lidhje të drejtë për drejtë me një artikull a produkt tregu, ku shpesh qeveritë investojnë për ta patur nën kontroll. E kanë bërë dikur ta themi përshembull me ullirin a duhanin. Dhe padyshim që po e bën kjo qeveri apo dhe disa të tjera më përpara, me çështjen e anëtarësimit të shqiptarëve a Shqipërisë në Europë. Nuk ka pak minuta që Edi Rama poston foto me diçitura inkurajuese për një ”po” nga kancelarja Merkel me qëllimin se është ai i cili po e fut vendin në Europë.
Në të vërtetë shqiptarët kanë hyrë prej kohësh në Europë. Ajo që nuk ka hyrë aty është pikërisht ngrehina e shtetit të tyre, jo ata. Se ata kanë kohë dhe po vazhdojnë. Kurse ngrehina e shtetit të tyre ka ngelur në klasë. Më me dinjitet është një pastrues i banjove publike në Bruksel, se sa një nënpunës i admistratës së ngrehinës, se sa një kuadër dikund aty. Dhe normalisht auditori rreth saj nuk është asgjë tjetër, një tufë teserexhinjsh, të moshuar dhe zyrtarë që e shikojnë të ardhmen vetëm përmes perspektivës së partisë.
Pjesa tjetër është dy a tri grupe interesi që katër vjet janë blu dhe katër të tjerë rosë a lejla. Ca fytyra të lodhura nga pushimet ekzotike dhe kakofonia e ligjëratave nëpër studio mbi të drejtën, ligjin, kushtetutën dhe referencat si e bëri dhe si ja bëra. Futjen e parë shqiptarët e bën më 2 korrik 1990, madje me forcë, pasi ngrehina e shtetit të tyre ua ndalonte me bajonetë tek koka. Pastaj e vijuan me malet e Greqisë, me pasaportat fallco ku shumë syresh që sot flasin studiove i shisnin sa frëngu pulën. Më pas me gomonet dhe trailerat e bananeve a rrobave të vjetra. Vijuan me llotot kanadeze dhe amerikane. Me bashkimet familjare sa u kërkojnë edhe llogari shteteve pritëse për ndihmën sociale a kartat ushqimore etj. E vazhdojnë me kontratat e punësimet në fushat sociale si në shërbimet me bluzat e bardha etj.
Pra shqiptarët vetë janë futur dhe nuk e di përse sot çështja e futjes a e anëtarësimit në Europë duhet të bekohet nga zyrtarët e ngrehinës shtet. Dhe përse duhet që këta të rrahin gjoksin duke thënë se po këputen duke dashur të anëtarësojnë vendin. Nuk është aspak meritë e Edi Ramës as e ndokujt tjetër. Dhe ta dini që se të gjithë e duan këtë anëtarësim një orë e më parë. Por e duan me mënyrën e tyre, për përfitimin personal e jo të shqiptarëve. Përshembull Edi Rama, me që është edhe kryeministër, nëse vërtetë e do Shqipërinë në Europë, e kishte futur me kohë. Mjafton ta kishte çuar vendin në zgjedhje të parakohëshme. Të garantonte zgjedhje të lira etj., si në Kosovë momentalisht, të jeni të bindur se Shqipëria do kish fituar. Eshtë fare e thjeshtë, hapi rrugën vendit tënd, jo vetes dhe Shqipëria në mos anëtarësim 100% do i kish çelur negociatat.
Por kjo nuk ndodh pasi mendësia e monopolit tek ne është dominante, një mendësi arkaike e kulturës së diktaturës së proletariatit. Jemi në kufijtë kohorë ku më shumë shqiptarë ka jashtë se në Shqipëri, ndaj është qartësisht e kuptueshme që jemi në Europë, jemi parlamentarë. Dhe jo vetëm aty. Jemi plotësisht, ndaj futja në Europë e ngrehinës së shtetit nuk ka pse bëhet çështje. Nuk ka pse t’i ofrojmë kohës tonë heronjë fallco të tipit Rama. Heronjtë e vertetë janë shqiptarët që për tridhjetë vjetë vetëm ikin, janë bërë zogj shtegtarë, ikin. Ndaj dhe i gjen kudo ku shkon. Sikur në Zelanëdn e Re po t’iu bjeri rasti, ta dini se do gjeni shqiptarë. Pra Europa ka qënë dhe është monopol i juaj dhe jo i Edi Ramës me shokë.