Albspirit

Media/News/Publishing

REAGIM I UNIONIT SHQIPTAR TË SHOQËRISË CIVILE -USHC

Fotografia e Unioni Shqiptar i Shoqerise Civile - USHC

 

Më datë 11 Shtator 2019 u mblodh në qytetin e Tiranës, FORUMI DREJTUES i Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile.

Në këtë takim u diskutua për programin e punës dhe aktivitetet në vazhdim për vitin 2020 si dhe bashkëpunimi me organizata të Shoqërisë Civile, në Diasporë. U miratua edhe projekt-Propozimi për pjesëmarrjen e Shoqërisë Civile me përfaqësues të zgjedhur, në Kuvendin e Shqipërisë.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me Fondacionin ALBANA me të cilin u realizua edhe takimi i parë, me përfaqësues të ndryshëm të organizatave jo qeveritare nga vendi dhe diaspora.

Këto ditë nga ky fondacion, në rrjetet sociale, u publikua një listë prej 30 vetësh me të cilin vihet në dijeni krijimi i një forumi intelektual i cili do të jetë në krye të punëve për realizimin e projekteve të propozuara e të publikuara pas takimit të përbashkët të datës 20 Korrik 2019.

Me këtë rast e njoftojmë opinionin publik se UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE nuk është pjesë e këtij forumi dhe nuk i është marrë asnjë mendim sa i përket përbërjes dhe zgjedhjes së intelektualëve pjesëmarrës.

Gjithashtu rruga ku duhet të ecë SHOQËRIA CIVILE në Shqipëri e paraqitur nga përfaqësuesit tanë në takim si dhe në thirrjen e përbashkët drejtuar qytetarëve shqiptarë nuk ishte pjesë e materialeve të publikuara nga fondacioni Albana. Ne ishim në atë takim jo për konferenca shkencore, por për të gjetur rrugë e mundësi efikase për ta kthyer shoqërinë civile në Shqipëri, në faktor të zhvillimit politik, ekonomik e shoqëror të vendit.

Ne gjithashtu ishim në atë takim me qëllimin e mirë për t’i shërbyer bashkimit të munguar në mes të shqiptarëve.

Në këto rrethana, USHC do të vazhdojë punën në përputhje me programin dhe statutin e vet duke i uruar fondacionit Albana, suksese…!

 

FORUMI DREJTUES I UNIONIT SHQIPTAR TË SHOQËRISË CIVILE-USHC.

Tiranë, 12 shtator 2019.

Please follow and like us: