Vargje poetike nga Katiola Karoli
Sa larg është dashuria?
Dashuria është vetëm një pëshpëritje larg,
një frymëmarrje buzë mbi buzë,
dy shkrepëtimash syri mes puthjesh,
vetëm një fjale: Të dua shumë…
Dashuria është vetëm një shtrëngim duarsh,
një lojë ndjenjash të vërteta e kapricoze,
një puthje e ëmbël në gushë…
një vallëzim zemrash dorë për dore.
Dashuria është vetëm një prekje larg,
mbyll sytë, me imagjinatë zgjat duart,
dashuria është vetëm një tingull kitare,
një siluetë magjike,një përkëdhelje vale.
Sikur bota…
Sikur bota të kishte formën e buzëve,
unë do doja të kishte buzët e tua.
Do të qëndroja vetëm duke i puthur,
Asnjë minutë nuk do doja të ikje larg nga mua.
Ti nuk e di se vetëm nga buzët e tua,
ndjej shijen e vërtetë të ndjenjës,
lëngun e jetës ndjej të derdhet mbi trup,
vetëm kur shijoj përkëdheljet e tua.
Buzët që lagen e pëshpërisin, të dua,
gjuhë të zjarrta gërshetohen rrëmbyeshëm,
rrahjet e zemrës luajnë valsin e jetës,
vetëm në krahët e tu ndjehem magjishëm.
Ti je mbrojtja e vetme e imja,
më mbron në jetë dhe në ëndërra,
janë puthjet e tua të nxehta, të ëmbla,
që ti i fal vërtet nga zemra.
Njeriu ka nevojë për ndjenja të vërteta,
për puthje të dlira dhe emocion,
bota ime ka formën e buzëve të tua,
të dua sinqerisht, më beson a s’më beson?