Albspirit

Media/News/Publishing

Aldo Lipe, 4800 mëngjese me shqiptarët

Alessia Selimi

Dita nuk ka shumë që ka zbardhur. Ora shënon 6 e 59 minuta. Kemi ardhur në studion e Aldo Lipes për ta vizituar, për të parë se si e bën këtë emision prej 4800 mëngjesesh përafërsisht. Ai shfaqet momentalisht në 12 ekrane të mëdha televizive, të vendosur në mur përbri njëri-tjetrit. Këmbëngulja për të komunikuar paraprakisht me katër djemtë e rinj të regjisë, i përkthehet qartazi. Duket se kërkon të sigurohet që gjithcka është në rregull.

Ndonëse ka 20 vite që përpiqet të transmetojë në radio e televizion energji pozitive, Aldo Lipe nuk njeh aspak shterim. “Mirëmëngjesi, mirëmëngjesi, mirëmëngjesi, mirëmëngjesi!”. Ende kështu hapet emisioni “Aldo Morning Show”. Jo me një përshëndetje, as me dy…Nuk i është dashur kurrë të flasë me gjuhën e portretit dhe jo më kot ka qendruar ngahera pas një mikrofoni. Zëri i butë, që hera herës i mbulon ndjeshëm ironinë e hollë, ka qenë për dëgjuesit ura e vetme lidhëse.

Përmes një telefonate, këta të fundit, nuk ngurrojnë të rrëfejnë copëza jete. Sikundër kuptohet, i vlon për së brendshmi dëshira për të patur një bashkëbisedues të zellshëm, apo qoftë edhe një dëgjues të përulur. Aldo tregon për Mapo rrugëtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’u konsideruar pikërisht si i tillë. Por, vetëm pasi ka arritur të shkëputet për pak minuta nga transmetimi i drejtpërdrejtë, për t’i lënë hapësirë edicionit të lajmeve.

Fillimisht tregohet i prerë, kur e pyesim nëse përpara dy dekadave është frymëzuar apo jo nga një tjetër program. “Emisioni im u ndërtua rrugës, me kalimin e kohës. U transmetua për herë të parë në vitin 1998 në Radio Klan. Më pas, me një tjetër emër, u dha në Top Albania Radio. Mund ta konsideroj pa frikë si një emision që është rritur së bashku mua. E kam fjalën konkretisht për mënyrën sesi është konceptuar me kalimin e viteve”-shprehet Aldo, i mbështetur me një veshje tepër sportive pas një faqeje të bardhë muri.

Ai na shfaqet ndryshe; i rrumbullakët në fytyrë, si dhe me një skelet paska të trashë dhe të zi syzesh optike. Shkurt, më tepër serioz nga si e kishim imagjinuar, nisur nga hokat e pandërprera që ka me bashkëbiseduesit në telefon. Kësisoj, mund të justifikohet edhe pyetja jonë, kur i kërkojmë të na tregojë se përse ka zgjedhur që të mos i ndahet kurrsesi sarkazmës. “Do ta përshkruaja veten si një prezantues që u përshtatet psikologjikisht dëgjuesve të tij. Por, kur duket sikur është tallje…në të vërtetë ashtu është. Megjithatë, unë nuk tallem me telefonuesin, por me atë çka ai thotë, me atë që unë gjykoj se mund të shërbejë edhe pak si humor. Mund ta përkufizoj më tepër si një lloj ngacmimi”-thotë Aldo.

Në “shtëpinë” e tij modeste, ku luhet gjithnjë muzikë e mirë (kryesisht italiane dhe shqiptare), ai mirëpret shumë pensionistë dhe shtëpiake. Por, nuk mungojnë gjithashtu njerëz të profesioneve të ndryshme. Teksa e presim të dalë nga studioja, djemtë e regjisë po komentojnë me njëri-tjetrin një telefonues, të cilin e njohin prej kohësh. Kuptohet që për to, zëri është i vetmi mjet identifikues. Aldo thotë se telefonuesit e tij janë sezonalë. Ndërsa këta të rinj që punojnë për mbarëvajtjen e programit tregojnë se personi në fjalë telefonon pothuajse çdo ditë me një emër dhe mbiemër të ndryshëm. I pëlqen të vijë hera herës me histori po aq të ndryshme. Duket se e kanë të pamundur që ta mbajnë larg emisionit. Mos ndoshta vallë bëhet fjalë për një njeri të vetmuar? Këtë, nuk e dimë. “Telefonuesit e mi janë sezonalë. Ato që marrin shpesh përpiqem që t’u shmangem. Kam realisht një listë të gjatë numrash”-shprehet Aldo.

***

Bisedë telefonike në emisionin “Aldo Morning Show”, më datë 10 shtator 2019

AldoMirëmëngjesi! Me kë kam nderin të flas?

Telefonuesi: Unë jam Beni. Të kam marrë Aldo sepse dua që të njihem me një vajzë simpatike. Besomë, edhe vetë jam djalë king.

Aldo: Po mirë, meqenëse jemi duke folur me njëri-tjetrin në telefon dhe nuk kam mundësi që të të shoh, si mund të ma përshkruash veten me pak fjalë?

TelefonuesiJam 40 vjeç. Jam 1.75 cm i gjatë, kam sy të zinj dhe do thoja se i ngjaj realisht shumë ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

AldoPërse kam përshtypjen se mund t’i ngjash më shumë mbretëreshë Elizabetës?

****

Është i sinqertë pohimi i Aldos, kur thotë se emisioni i tij është rritur bashkë me të. Më parë, nuk e shihnim në rolin e ndërmjetësuesit, të njeriut që merr përsipër të bëjë bashkë dy njerëz. “Ideja më ka lindur nga një reportazh për një person të vetmuar, të dhënë në një nga televizionet shqiptare. Aty shtrova për të parën herë pyetjen se përse të tillë njerëz të mos njihen me njëri-tjetrin. Për  ta sqaruar, nuk e konsideroj veten si shkuesi, nuk ka lidhje aspak me fejesën apo martesën. Në shoqërinë tonë ka shumë persona të vetmuar dhe vetëm falë emisionit kam arritur të kuptoj sesa i lartë është realisht numri i tyre në vend”- shprehet ai.

Aldo ndalet po ashtu edhe tek ideja e të sjellurit “lajmin urban” në sajë të komunikimit të drejtpërdrejtë me korrespondentë nga qytetet kryesore të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Pogradec, Korçë). “Unë kam përzgjedhur si korrespondentë ata persona që e kuptojnë se çfarë është lajmi urban. Ne i marrim lajmet në çdo moment brenda vizës së verdhë. Por, lajm nuk duhet të përbëjnë vetëm aksidentet apo vrasjet. Njerëzve u  shqetëson në përditshmëri se çfarë do të konsumojnë për të ngrënë dhe sesa do t’i duhet të harxhojnë. Nuk besoj se halli i përditshëm i një gruaje janë takimet zyrtare të presidentit Ilir Meta”-shprehet Aldo.

Minutat kalojnë shpejt me të. Duhet të rikthehet aty ku i gjendet shpirti, në studion e tij të errët. Ashtu nxitimthi, teksa kalon njërën dorë mbi flokë, na tregon se nuk i ka munguar kurrë aftësia për të paraprirë personin me të cilin bashkëbisedon. “Nuk do të qendroj edhe për shumë kohë nën drejtimin e këtij programi, veçse edhe për nja 100 vite të tjera”-thotë Aldo. Silueta e tij ka pak që është larguar, por të qeshurat i jehojnë ende në korridor./mapo.al/

Please follow and like us: