Albspirit

Media/News/Publishing

Problemi i Metës nuk është në Venecia, por në Washington

Gjuha politike e Ilir Metës është ashpërsuar sidomos gjatë muajve të nxehtë të verës. Së fundmi, sinjalet e një pakti me Ramës dhe Bashës, si dhe deklaratat e Berishës në një studio televizive kundër kryedemokratit janë qartësisht qëndrime që vënë në siklet liderin historik të Partisë Demokratike Sali Berishën dhe Presidentin e vendit, Ilir Meta.

Ky i fundit, ndodhet mes “dy zjarresh”. Së pari nga frika e atij pakti të shumëpërfolur mediatikisht Rama-Basha dhe së dyti nga vendimi që do vijë nga Venecia, lidhur me kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e tij, pavarësisht deklaratave të tij se “do jetë president deri në 2022”.

Këto janë dy “sikletet” në dukje, por realisht problemi i Ilir Metës nuk është Venecia edhe nëse ky Delegacion vendos që ka shkelur Kushtetutën, veprim pas të cilit mazhoranca ka të gjithë të drejtën të vendosë për shkarkimin e tij.

Problemi i vërtetë i Ilir Metës është Washingtoni, ndaj të cilit në 2 korrik Meta plasi një uragan të vërtetë me akuza për diplomatët amerikanë dhe jo vetëm.

Deklaratat e forta kundër ndërkombëtarëve që kanë përfaqësitë e tyre në Shqipëri kanë qenë kryefjala e Metës sidomos gjatë muajit korrik.

“Për mua demokracia është e panegociueshme. Me asnjë ambasadë, asnjë shtet dhe me gjithë botën. Ftoj dhe përfaqësuesit e huaj mos të bëhen qesharak sepse ne jemi vendi i NATO-s kemi 10 vjet, mos të tallen me Kushtetutën tonë, dhe duhet t’i zgjedhim vetë çështjet si burra shteti. Të heqim dorë nga loja ambasadash”, ka deklaruar Meta në 2 korrikun e këtij viti.

Gjithsesi, Washingtoni në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë e ka dhënë mendimin e tij për Shqipërinë, zgjedhjet e 30 qershorit, protestat e opozitës, bojkotin e të tjera.

Por mbi të gjitha është ndalur tek zbatimi i Reformës në Drejtësi, investimi më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin që ende është në dilemën e madhe, nëse do i hapen apo jo negociatat me BE.

Ndaj, për Ilir Metën, “vendimi venecian” është shumë pak. Problemi për të është shumë milje larg Shqipërisë. Përtej Atlantikut “gatuhet” ajo nga e cila “prodhon” për Ilir Metën “shtigje të ngushta” për të vepruar.

Artikulacioni i presidentit se “marrëdhëniet e mia me SHBA kanë qenë gjithmonë dhe do jenë të kristalta, të sinqerta dhe jashtë çdo lloj hije dyshimi” nuk janë tashmë një kartë, nga e cila mund ta nxjerrin “fitues” presidentin shqiptar.

Ilir Meta, duke mos qenë asnjëherë mbi palët, por mbi të gjitha edhe marrja e një pozicioni të qartë antiqeveritar janë vëzhguar mirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë Washingtoni e ka të qartë e ndoshta nuk do jetë e largët dita që për Metën të ketë një “vizë të kuqe”, ndoshta ndër më të mëdha në të gjithë Ballkanin./gazeta shqip/

Please follow and like us: