Albspirit

Media/News/Publishing

Vrasja e Santiago Malkos, shoqërohet nga policia një person

Një person është shoqëruar nga policia në lidhje me vrasjen e ish-efektivit të policisëSantiago Malko, dy javë më parë në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Kinostudios në Tiranë.

Personi, i cili është shoqëruar në polici është 39-vjeçari me iniciale B.T dhe dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Ky është shoqërimi i parë sa i përket ekzekutimit të Santiago Malkos, i cili punonte si inspektor pyjesh pranë Inspektoratit të Mjedisit dhe Pyjeve. Ndërkohë grupi hetimor mendon se dëshmia e 39-vjeçarit do të jetë kyç në identifikimin e autorëve ose porositësit e vrasjes.Kanë qenë kamerat e sigurisë ato që kanë fiksuar B.T pranë vendit ku ka ndodhur vrasja mbrëmjen e 27 gushtit pranë Porcelanit në kryeqytet. Ndërkaq, nga burime pranë grupit hetimor mësohet se Santiago Malko ka mohuar të ketë gisht në ngjarje. Ai ka thënë se ka qenë kalimtar i rastit pranë vendi të ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja mbrëmjen e 27 gushtit
Ish-polici ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij tip “BMW X5” drejt zonës së Freskut, kur një furgon me ngjyrë të bardhë i ka hapur zjarr me kallashnikov tek ish-fabrika e Porcelanit, duke e shoqëruar me breshëri plumbash për disa metra.

Në vendngjarje janë sekuestruar 9 gëzhoja, ndërsa breshëria e plumbave ka bërë që ish-polici Malko të humbasë kontrollin e automjetit dhe të përplaset me një mur në anë të rrugës.

Ngjarja e tmerrshme është parë nga shumë qytetarë, të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Këta të fundit kanë mbërritur në vendngjarje, duke e gjetur të vdekur brenda mjetit të tij 26-vjeçarin Santiago Malko. Ndërkohë, dëshmitarët thanë se autorët e krimit janë larguar me dy automjete, njëri furgon tip “Vosklwagen”, me të cilin u hap zjarr ndaj ish-policit dhe që më vonë u gjet i djegur, dhe një mjet tjetër “A clas” ngjyrë gri.

Ndërkohë, brenda furgonit të djegur në fshatin Ferraj është gjetur edhe një armë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për vrasjen e të riut. Pista e parë e hetimit ishte ajo e një hakmarrje të mundshme, pasi Malko ishte pjesë e një grupi kriminal në kryeqytet.

Ai ka qenë dhe një nga personat që kanë qenë ditën kur ndodhi masakra në lokalin “Monopol” në Bllok dhe ku për pasojë mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truprojë i ish-pronarit të llotove sportive, Ervis Martinaj si dhe dy personave të tjerë, përfshirë edhe vetë Martinajn, pas përplasjes me armë zjarri me ish-komandon Mervjol Bilo dhe grupin e tij, në prani edhe të Ervin Matës, partneri i këngëtares Elvana Gjata. Personi që shihet në video hyn dhe del qetësisht nga lokali “Monopol” dhe në kokë mban kapele.

Pas kësaj ngjarje ai u shoqërua nga policia, por u la lirë pas marrjes së dëshmisë nga grupi hetimor. Po ashtu, në vitin 2016 Malko, me detyrë efektiv policie, u përfshi në një konflikt fizik në rrugën “Islam Alla” në Tiranë, vetëm disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Shkak për konfliktin ishte një borxh , ndërkohë që ngjarja mund të ishte përshkallëzuar edhe më tej, pasi personat ishin të armatosur, por ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur neutralizimin e palëve e përfshira. Pas kësaj ngjarje, Santiago Malko largohet nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Please follow and like us: