Albspirit

Media/News/Publishing

POETJA FIONA SAMPSON – FITUESE E ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI” TË EDICIONIT TË XXIII TË FNP “DITËT E NAIMIT”

Fotografia e Shaip Emerllahu

D. Hadri

Poetja e njohur angleze Fiona Sampson është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesit e letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli (anëtarë). Drejtoria e Festivalit ia ka akorduar Laureates së sivjetshme edhe titullin Anëtar Nderi e Festivalit. FNP “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 17 – 21 tetor 2019, në qytetin e Tetovës dhe ate të Korçës.
Këtë e bën të ditur në një konferencë shtypi të mbajtur më 19 shtator, në Qendrën e Kulturës në Tetovë, anëtari i Jurisë, Xhelal Zejneli dhe drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), George Wallace (SHBA) etj.
Anëtari i Jurisë së Festivalit, profesor Xhelal Zejneli, paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”. Poetja Fiona Sampson “është shkrimtare dhe poete mjaft e njohur, që ka botuar deri më tani njëzet e shtatë libra dhe është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të ndryshme. Ajo është pranuar si anëtare e Urdhërit të Perandorisë Britanike për Shërbime ndaj Letërsisë dhe njëkohësisht, si anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë. Është Profesoreshë e Poezisë në Universitetin e Roehampton-it dhe gjithashtu kritike, shkrimtare libretesh dhe redaktore botimesh. Ndër çmimet që ajo ka marrë deri më tani, përfshihen disa të tilla si: Njudigate Prize, Cholmondeley Auard, Hauthornden Fellouship, si dhe çmime ndërkombëtare në SHBA dhe në disa vende të tjera të botës.
Poezia e Fiona Sampson përcjell botën komplekse të njeriut të sotëm, me tërë vibracionet shpirtërore dhe relievin e botës egzistenciale të tij. Prej kësaj poezie, burojnë për te lexuesi kumte të thella, të endura këto me një gjuhë të pasur poetike, me larmi stilistike e shtresa të dendura kuptimore. Është poezi natyrale, që endet magjishëm në valëzimin e kaltër të liqeneve të dalë prej mitesh, që pastaj depërton në skutat e fshehta të botës, për të dëgjuar gjithëshka, deri edhe zërin e milingonave që nën pemë ngrenë foletë e tyre sekrete…
Vlerësimi dhe vendimi i jurisë për dhënien e çmimit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” (2019) – për poeten nga Anglia, Fiona Sampson, është vlerësim për krijimtarinë e pasur dhe të çmuar të saj, si dhe shprehje e vlerësimit të lartë për gjuhën e bekuar të poezisë, e cila, me magjinë e artit të saj, ka aftësinë që që t`i kapërcejë kufijtë gjuhësorë dhe regjionalë dhe të kthehet në një pasuri shpirtërore për njerëzit, kudo në botë”.
Drejtori Shaip Emërllahu, në fund, lexoi edhe një deklaratë të laureates Sampson, të dhënë me rastin e shpalljes fituese e çmimit “Naim Frashëri”. Ajo në mes tjerash, thotë se, “jam thellësisht e nderuar, si dhe plot gëzim të gjej që poezitë e mia më sjellin në Tetovë dhe në Korçë, dhe kjo në emër të Naim Frashërit, poet i madh i Romantizmit dhe një hero i gjuhës shqipe. Një hero tjetër i tillë është patjetër Ismail Kadare, vepra e të cilit më ka mësuar për Shqipërinë para se ta vizitoja vendin për herë të parë, dhe që është njëri nga lista shumë e dalluar e shkrimtarëve të cilëve, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” u ka dhënë më parë çmimin “Naim Frashëri”. Nuk do t’ju pyes se si mund t’i ndjek, por thjesht do t’ju ofroj, kolegëve të mi të admiruar te “Ditët e Naimit”, përkushtimin tim të përtëritur dhe të përjetshëm për poezi, dhe për përkthimin dhe botimin e saj, për ta lexuar dhe shkruar dhe për t’u angazhuar për të, si dhe për mirëkuptimin ndërkombëtar që krijon.
Pres me kënaqësi shumë të madhe të vij në Festival dhe jam e nderuar të bëhem anëtare e tij, dhe pres t’ia shpreh respektin tim kujtimit të Naim Frashërit, traditës së madhe të Festivalit, si dhe Jurisë dhe organizatorëve. Pres edhe me padurim dhe gëzim të takohem me kolegë poetë nga gjithë bota dhe të mësoj më shumë për poezinë shqipe dhe për kulturën e Tetovës dhe Korçës. Edhe një herë, kolegë të çmuar të “Ditët e Naimit”, ju dërgoj falënderimet e mia të thella”.
Këtë vit janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Britania e Madhe, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Meksikë, Korea e Jugut, Malajzi, Bangladesh, Izrael, Tunis, Danimarkë, Holandë, Belgjikë, Kroaci, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kuadër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të hapet një ekspozite pikturash, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike në Tetovë dhe në Korçë, etj.

Tetovë, 19 shtator 2019.

Fotografia e Shaip Emerllahu

Please follow and like us: