Apel mbarëkombëtar për rivlerësimin e linguistit, Milan Shuflai
THIRRJE për të nderuar e rivlerësuar veprën e shkencëtarit MILAN SHUFLAI – martirit të albanologjisë, intelektualit të madh europianizues, në 140 vjetorin e lindjes.
PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
KRYEMINISTRIT
AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË
TË GJITHË STUDJUESVE TË ALBANOLOGJISË SHQIPTARE,
SHKENCËTARËVE DHE INTELEKTUALËVE TË VËRTETË
ORGANEVE KRYESORE TË SHTYPIT DHE TË MEDIAS
Për dijeni: Komisionit të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë
Data 9 Nëntor e këtij viti shënon 140 vjetorin e lindjes së shkencëtarit kroat, albanologut Milan Shuflai. Ai konsiderohet si një nga albanologët më të shquar, por edhe si martir i albanologjisë, pasi u vra nga qeveria serbe më 18 shkurt 1931. Shkaku duhet kërkuar te vepra e madhe voluminoze shkencore e Shuflait kushtuar nxjerrjes së të vërtetës se populli shqiptar është populli më i hershëm autokton në Ballkan. Këtë ai e argumentoi shkencërisht në shumë vepra, veçanërisht në veprën e tij më të madhe studimore “Acta Albaniae”. Arriti të botojë dy vëllime të kësaj vepre, ndërkohë që planifikonte të shkruante edhe vëllime të tjera. Vepra u referohet dokumenteve autentike të studjuara nga ai në bibliotekën e Venecias.
Vërtet Milan Shflai është dekoruar para disa vjetësh nga ish-Presidenti Alfred Moisiu me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, pas vdekjes. Gjithashtu, Ambasada shqiptare në Zagreb ka vendosur në atë kohë themelimin e Çertifikatës së Meritës “Milan Shuflai”, për të nderuar personalitete, institucione apo organizata që japin kontribut të spikatur për forcimin e miqësisë dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, shqiptar dhe kroat”.
Por, meriton një vlerësim shumë më të lartë kontributi i këtij shkencëtari kroat me origjinë hebreje për çështjen shqiptare, si dhe për vlerat e larta europianizuese që solli në veprat e tij, vepra me nivel të lartë shkencor kushtuar prejardhjes së një populli që ai nuk i përkiste. Fakti që, megjithë kërcënimet dhe burgosjet, ai vijoi t’i përkushtohet me jetën e tij zbulimit të një të vërtete historike për popullin shqiptar dhe kontributet e tij europianizuese, duhen rivlerësuar në dimensionin që ai i meriton në këtë 140 vjetor të lindjes. Dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kroaci dhe në Europë.
Bashkimi Europian duhet ta shikojë veprën e tij si një shembull i përkushtimit të një shkencëtari europian për të zbuluar të vërtetën dhe për të mbështetur të drejtën. A nuk duhet të jetë respektimi i vlerave më të spikatura të një shkencëtari në themelin e vlerave që duhet të respektojë BE, si një institucion që aspiron bashkimin e europianëve rreth vlerave më të larta njerëzore si e vërteta dhe e drejta? Dhe Milan Shuflai iu përkushtua këtyre vlerave atëhere kur edhe baballarët e krijimit të BE-së nuk kishin hedhur ende idenë për krijimin e saj. Vepra e Milan Shuflait duhet konsideruar si një nga kontributet e europianizuese të kontinentit, në periudhën e errët midis dy luftrave botërore.
ShuflaI ishte shkencëtar i një kalibri të lartë europian. Ai lexonte në origjinal, që në Universitet, veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Njihte në themel të gjitha gjuhët sllave e, më vonë, mësoi hebraisht, shqip e sanskritisht. Që në moshën 24 vjeç ishte afirmuar si studiues i përmasave europiane. Me kalimin e kohës, ai u afirmua si një autoritet i madh shkencor. Mjafton të kujtojmë se lajmi për vrasjen e tij u përhap në tërë botën dhe jehona ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” Romë, “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia” Tiranë, “Vullneti i Popullit” Tiranë etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave, si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skëndo, Faik Konica, si dhe Ligue Internationale des Droits des L’Homme, Federation Universitaire Internationale.
Duke iu referuar sa më sipër, propozoj që Shqipëria të ngrejë në një nivel shumë më të lartë nderimet për njohjen dhe vlerësimin e figurës së Milan Shuflai. Personalisht, propozoj sa vijon:
1. Presidenti i Republikës t’i akordojë titullin më të lartë që mund t’i jepet një personaliteti që ka kontribuar me veprën dhe me jetën e tij për Shqipërinë;
2. Të ngrihet një bust madhështor në oborrin para Akademisë së Shkencave,
3. T’i jeper emri “Milan Shuflai” Bulevardit të Ri në vazhdim të Bulevardit Zog I dhe të ngrihet një shtatore madhështore në një shesh që do të formohet afër Breglumit;
4. Nga Akademia e Shkencave të certifikohet titulli “Milan Shuflai” për krijime shkencore në fushën e albanologjisë, i cili të akordohet çdo vit;
5. T’i jepet emri “Milan Shuflai” fakultetit të Shkencave Filologjike apo një Universiteti;
6. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Akademia e Shkencave të komunikojnë menjëherë me strukturat homologe në Kroaci për ta rivlerësuar këtë figurë të madhe shkencore në kuadrin e kontributit të tij europianizues në Ballkanin problematik, veçanërisht për periudhën kur ai jetoi e krijoi;
7. MPJ të referojë rastin e kontributit europianizues të Milan Shuflai në Parlamentin Europian dhe në Komisionin e BE-së, në mënyrë që të promovohet një figurë e tillë me vlera të hershme europianizuese në periudhën kur Europa po perballej me errësirën fashiste. Ndërkohë, kjo koincidon me frymën integruese drejt vlerave europiane;
8. Media e ekranit dhe ajo e shkruar të përgatisin emisione që i kushtohen njohjes dhe përkujtimit të këtij kolosi të shkencës së albanologjisë.
Modestisht, kam shprehur dëshirën për një angazhim të civilizuar të të gjitha strukturave, intelektualëve dhe krijuesve që ndjejnë respekt për jetën dhe veprën e Milan Shuflait, megjithë problemet e tjera të mprehta që po kalon shoqëria jonë. Nuk do të na falet po të lemë në harresë atë që sakrifikoi aq shumë për popullin tonë dhe vlerat e tij, kur mund të kishte jetuar në paqë në Zagrebin e tij.
Ftoj miqte qe te shfrytezojne te gjithe kontaktet qe kane me miq te tyre prane vendimmaresve, ne menyre qe kjo thirrje te njihet prej tyre, me qellim sensibilizimin per nje qendrim pozitiv.
Me respekt
Dr. Astrit Gjunkshi
Doktor i Shkencave për Siguri Globale
Tiranë, më 21 Shtator 2019.