Albspirit

Media/News/Publishing

Khamenei në një rrugë qorre

Regjimi Iranian është ngatërruar keq në një krizë madhore të shkaktuar nga fushata e ‘presionit maksimal’ e Shteteve të Bashkuara, që përfshin sanksionet e reja, pozicioni i vendeve arabe kundër luftënxitjes së regjimit iranian në rajon, dhe situata shpërthyese e shoqërisë iraniane. Kjo krizë reflektohet tek shtimi i konflikteve mes grupimeve të regjimit.

Regjimi iranian po ndeshet me tre probleme madhore:

E para është kriza ndërkombëtare lidhur me programin e tij bërthamor e të raketave balistike, krizë e cila ka çuar në vënien e sanksioneve të ashpra kundër industrisë së naftës së regjimit.

E dyta është kriza rajonale, rezultat i ngatërresave, terrorizmit e luftënxitjes së regjimit në rajon, si dhe aktivizimit të grupeve proksi. Të gjitha këto i kanë bashkuar fqinjët e Iranit kundër regjimit.

Javën e shkuar, katër vende arabe – Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, dhe Bahreini – në një deklaratë të përbashkët, theksuan edhe një herë rolin shkatërrimtar të regjimit iranian në Lindjen e Mesme. Sulmi i regjimit të shtunën mbi objektet Aramco të naftës në Arabinë Sudite u dënua ndërkombëtarisht, veçanërisht nga zyrtarë të lartë amerikanë, dhe Presidenti Donald Trump i dha urdhër Sekretarit të tij të Thesarit që të vërë sanksione të reja mbi regjimin.

Kriza e tretë, e cila mund të thuhet se është edhe shkaku i krizave të tjera dhe nga e cila regjimi është jashtëzakonisht i frikësuar, është ekzistenca e një shoqërie të irrituar e të zemëruar që mund të shpërthejë në çdo çast e të çojë në përmbysjen e regjimit.

Kjo situatë e shndërron me shpejtësi çdo problem shoqëror që rrjedh nga tirania e mullahëve në një krizë për regjimin. Le të marrim si shembull vetëflijimin e Sahar Khodayari në protestë ndaj arrestimit të saj për shkak se kishte tentuar të hynte në Stadiumin Azadi për të parë një ndeshje futbolli. Vdekja tragjike e saj u kthye me shpejtësi në një problem të gjerë shoqëror, duke i detyruar mullahët të marrin një pozicion. Në predikimet e tyre më të fundit, udhëheqësit e regjimit për lutjet e së premtes i kanë dhënë jehonë panikut dhe frikës së regjimit nga pakënaqësia shoqërore që mund të shpërthejë në çdo çast.

Më 13 shtator, Hossein Panahian, udhëheqësi i lutjeve të së premtes në Teheran, sulmoi grupimin rival, duke thënë se problemet shoqërore janë bërë bipolare dhe mund ta ndezin flakë shoqërinë në çdo kohë. Duke iu drejtuar presidentit të regjimit Hassan Rouhani, ai tha: “Presim nga presidenti i respektuar që të mos e lejojë rrethin e tij të bëjë prapësira që mund ta ndezin flakë vendin.”

Nëse Irani do të ishte shtet normal, presioni ndërkombëtar me shumë mundësi do të nxiste solidaritet mes radhëve të regjimit, por presioni mbi një trup plot vrima e boshllëqe do të çonte pa dyshim në shkatërrimin e tij.

Komentet e bëra këtë javë nga udhëheqësi suprem i regjimit Ali Khamenei ishin një tjetër shenjë e rëndësishme e situatës kritike dhe mosmarrëveshjeve brenda regjimit. Khamenei kishte një kohë të gjatë që heshtte. Në fjalën e tij më të fundit, ai iu shmang krizës së krijuar nga sulmi mbi objektet saudite të naftës dhe diskutoi vetëm për çështjen e negociatave. Komentet e tij treguan se regjimi ndodhet në një rrugë qorre. Regjimi i tij duhet të bëjë një zgjedhje midis vdekjes dhe vetëvrasjes nga frika e vdekjes.

Please follow and like us: