Albspirit

Media/News/Publishing

Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Ish-guzhinieri i Bllokut tregon për manitë e të ngrënit të udhëheqësve të lartë deri tek Çu En Lait apo Hrushovi (4)

Image may contain: 1 person, suit

Bardhyl Berberi

 

 

Ish-guzhinieri i Bllokut tregon për manitë e të ngrënit të udhëheqësve të lartë deri tek Çu En Lait apo Hrushovi

 

Një buzë mbrëmje duke shëtitur buzë liqenit takoj Kopi Priftin, guzhinierin e famshëm që iu ka shërbyer mbi 20 vjet që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Adil Çarçani, Abdyl Këllezi deri tek delegacionet e larta qeveritare që kryesoheshin nga Çu En Lai apo Hrushovi.

Kopi Prifti pranon të rrëfeje preferencat dhe tekat e personave VIP të asj kohe që iu ka shërbyer mbi 20 vjet në Bllok në Tiranë dhe në vilat e Pogradecit.

 

Po çfarë hanin udhëheqësit e lartë komunistë?

 

Enver Hoxha ka patur guzhinier personal Stafi Laci, nipin e Heroit të Popullit Vasil Laçi, kurse unë kam qenë guzhinier personal i Mehmet Shehut. Ne në bllok gatuanim sëbashku me Stafi Laçin, sidomos kur vinim në Pogradec sëbashku me udhëheqien e lartë. Siç dihet Enveri vuante nga diabeti dhe ai hante çdo mëngjes dy thela pjepër dhe një copë djathë me pak kripë të pjekur në skarë, mëngjesi vetëm kaq ishte dhe më pas pinte një kafe turke pasheqer…

Në drekë preferonte të parën një supë, shpesh herë me zarzavate dhe fileta peshku, ose mish viçi të gatuar në furrë më salcë të bardhë. Më pas përdorte fruta pa sheqer si mollë të tharta ose kumbulla, ndërsa në darkë hante vetëm një biftek të skarës dhe vetëm kos. Bukën pothuajse nuk përdorte fare, mund të përdorte vetëm dy feta të holla që peshonin 20gr. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë që komunikonin me ne, vetëm Enveri komunikonte nëpërmjet Sulo Gradecit. Desha të theksoi se Enverit i pëlqenin jashtë mase ëmbëlsirat, por nuk hante dot pasi ishte i sëmurë nga diabeti. Pëlqente ëmbëlsirat gjirokastrite, petë të holla të mbushura me krem pastiçerie dhe shurup…

Sapo fillova guzhinier pranë Mehmet Shehut në vitin 1973 pas largimit të Fatmir Gjelit më thirrën mjekët e tij dhe më thane: “Kopi me familjen e kryeministrit duhet të jesh shumë i kujdesëshëm pasi sh. Mehmet dhe Fiqireti vuajnë nga kolesteroli prandaj kij shumë kujdes me lyrën”. Por, që ditën e parë më vjen në guzhinë Mehmeti dhe më thotë: “dëgjo, unë çdo mëngjes dua palçinka të mbushura me gjizë dhe vetëm me të bardhë veze se e verdha ka kolesterol. (Pallaçinka ishte një petë tepër e hollë e mbushur me gjizë).

Ndërkohë që në drekë Mehmeti donte një supë dhe gjellë me zarzavate. Në darkë hante vetëm një pjatë kos dhe konsumonte shumë fruta nga ato që kishte rreth vilës së tij.

Mehmeti dilte shumë për gjah dhe i pëlqente gatimi i shpendëve dhe kafshëve të egra si lepuri, derri i egër thëllëzat apo fazanët, për të cilët kisha receta të vecanta gatimi.

Mehmet Shehu kishte hije shumë të rëndë, por ishte shumë njerëzor po ta njihje nga afër, ishte shumë i dashur. Kur kishte kohë të lirë më vinte tek guzhina dhe më thoshte: “Po hë more Kopi, pa na llafos pak për andej nga Pogradeci”? Bënim muhabet e shaka të ndryshme .Një natë isha duke punuar në guzhinë kur dëgjoj që i thirri me inat shoqëruesit:

– Çfarë po bëni ju?

– Ja, i thanë ata, po shikojmë festivalin e Gjirokastrës.

– Po Kopin ku e kini, thirreni këtu… dhe më mori në sallonin e tij të vilës me pjestarët e familjes e ndoqëm festivalin sëbashku.

Sa herë që Mehmeti ishte i shqetësuar ecte me hap të shpejtë në koridorin e vilës. Kishte raste që dilte jashtë vilës dhe ecte zbathur në një pjesë rrugice që e kishte lënë me zhavor, kjo ndodhte kur ishim tek vila në Dajt. Një natë mbarova darkën dhe po shëtitja pak rreth e rrotull vilës në praninë e rojeve. Befas fare pranë meje kalon Mehmeti, i veshur me tuta sportive, por shikoj që ishte zbathur nga këmbët dhe ecte mbi një copë rruge që ishte me zhavor. – Eja Kopi, më thotë, hiqi këpucët dhe ec këtu mbi këtë zhavorrin se të bën shumë mire, të heq stresin dhe të çon në tru impuse shumë positive.

Më pas urdhëroi edhe shoqëruesit rreth vilës edhe ata hoqën këpucët dhe filluan të ecin zbathur në zhavorin mbrapa vilës.

Çuditërisht ai Mehmet, sa i hekurt e skrupuloz që ishte nëqoftëse dëgjonte zërin e kukuvajkës që këndonte rreth vilës ai jepte urdhër qoftë dhe në mesnatë dhe lagoheshim në vilën e Durrësit…Shoqëruesit e dinin këtë zakon dhe kur shikonin ndonjë kukuvajkë e qëllonin me snajper pa zhurmë duke i vrarë ato.

Ish Ministri  Mbrojtjes Beqir Balluku ishte i dhënë pas peshkut. Jo vetëm që konsumonte shumë peshk, por kishte qef që ta zinte vetë, rrinte me peshkatarët në gjueti me orë të tëra. Një ditë kishte kapur me rrjetë një peshk të vogël që quhet pllasica rreth 10 cm i madh.

– Eja Kopi, më tha mua, – e na i piq se edhe këta peshqit e vegjël kanë lezetin e tyre.

I poqëm në një skarë dhe e hante peshkun direkt nga skara. Një ditë tjetër kishte kapur me peshkatarët një krap të madh rreth 10kg. Ja gatova dhe hëngri një sasi të madhe peshku. Hapi më pas një shishe me verë, por ajo i doli e prishur. U shqetësuan të gjithë.

– Ndodh edhe kështu, – u shpreh Beqiri duke qeshur. Ishte tip shumë popullor Beqir Balluku dhe kur vinte me pushime më tepër merrej me gjuetinë e peshkut.

Një herë thotë Kopi, Haki Toska sapo hëngri drekë i filluan dhimbje të gjoksit. Vjen mjeku i tij dhe i thotë ‘do të kesh ndonjë helmim nga peshku që hëngre në drekë’. Hakiu nxehet dhe i thotë ‘e kam të keqen nga zemra dhe jo nga stomaku’.

Pas çdo gatimi ne, thotë Kopi, linim një kampion ushqimi për analiza që ata kishin konsumuar gjatë ditës.

Kur erdhi.Çu En Lai më thirrën me urgjencë. Kopi do t`i gatuash t`i Çu En Lait, më thanë.

Erdhi një nga shoqëruesit e tij në kuzhinë dhe më tha se preferonte shumë pulën me pilaf dhe frutat e detit si të ftohta dhe ato të zgarës.

I gatova për ato ditë që qëndroj Çu En Lai në Pallatin e Brigadave. Pasi bëri një foto me të gjithë pjesëmarrësit dhe shoqëruesit më thirrën në një paradhomë më dha dorën me përzemërsi dhe më fali një këmishë, një mbulesë tavoline dhe një stilograf.

Dhurata më ka bërë edhe Sihanuku me Monikën, medaljone të bukura, varse si dhe disa copa basmash shumë të bukura për gruan nga e shoqja e Sianukut Monika.

Nga udhëheqësit e lartë, thotë Kopi Prifti, që kanë ardhur në Shqipëri në atë kohë kur unë punoja në guzhinën e bllokut vetëm Hrushovi nuk ka ngrënë prej nesh. Ai kishte sjellë me vete guzhinierët e tij, madje edhe ushqimet që gatuan. Kur ata gatuanin për Hrushovin ne na nxirrnin jashtë nga guzhina. Madje ishin shumë të kujdesshëm edhe shoqëruesit e tij, edhe kur ia servirnin ushqimin ata vëzhgonin pjatat e Hrushovit se mbase kishte ndonjë ngatërresë në tavolinë. Kjo më ka mbetur në mëndje …

Të veçanta nga Blloku

 

Qumshtin që sillnin për udhëheqësit e Bllokut e merrnin çdo ditë në Korçë tek një lopë e veçantë. Një ditë shoferi dhe shoqëruesi u vonuan 5 minuta nga koha që duhej të ishin në Bllok dhe u pushuan nga puna.

Gruaja e Abdyl Këllezit ishte shumë tekanjoze në ushqim. Ne guzhinierët e Bllokut me njëri-tjetrin thoshim: Kush kënaq atë është njëshi i guzhinës botërore.

Ne, thotë Kopi, nuk duhet të shoqëroheshim me asnjeri pas orarit të punës. Flinim tek disa dhoma tek klinika e udhëheqjes. Dhe kur dilnim ndonjë shëtitje në ditët e pushimit oficerë të Sigurimit na ndiqnin këmba këmbës deri sa futeshe në dhomë për të fjetur.

Guzhinieri i Enver Hoxhës, Staf Laçit i ndodhi një fatkeqësi, i vdiq djali dhe ai filloi që të pijë në ndonjë lokal nga dëshpërimi. Kjo binte në kundërshtim me porositë që na jenin oficerët e Sigurimit dhe atë e hoqën nga puna si guzhinier i Enverit, Staf Lacin.

Po të shikosh albumin tim kam foto me të gjithë vetëm me Enver Hoxhën nuk kam bërë foto jo se nuk mund të bëja se kur dilnin ata nëpër ambientet e Bllokut por të afroheshe ai thërrsite vetë eja na bëni një fotografi. Por dëshira ime për të mos patur foto me Enverin vinte nga një eksperiencë e hidhur e një shoqes sonë që punonte në Bllok në vilën e shërbimit të Enverit. Një ditë Enveri ishte me humor të mirë dhe i thotë asaj punonjëses: “Eja ta bëjmë bashkë një foto”. Pasi bën foton nga gëzimi që ka dalë vetëm me Enverin kjo e shumëfishon këtë foto dhe ia u shpërndan të gjithë të afërmëve të saj në Devoll dhe në Tiranë.

E thërret një mëngjes një nga shefat e shërbimit dhe i thotë: “Kush je ti që e ke shpërndarë surratin tënd në gjithë Shqipërinë, që nga ky moment je e pushuar nga puna”.

 

Kuota e ushqimit

 

Kuota e ushqimit për të gjithë funksionartë e lartë ishte 360 lekë në ditë ushqim kur një puntor që bënte punë fizike merrte 140 lekë.

Vetëm Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk kishin kuotë dhe mund konsumonin sa të donin.

 

 

Në vijim: Peshkatari që gjuante Koran për Everin, gjueti me tërë Byronë Politike.

Please follow and like us: