Orjola Pampuri: Hipokrizia e Edi Ramës, e tejkaloi traumën që shkaktoi tërmeti tek shqiptarët
Në 24 orë, përveç, momenteve të vështira që kaluam të gjithë, na u desh të përballemi dhe me skena të neveritshme, ku njeri mbante batanije, tjetri shpërndante supë, një tjetër mbante bebe në duar, e të tjerët puthnin e përqafonin, a thua se i takonin, i shihninin apo dëgjonin për herë të parë për qytetarët e këtij vendi, ndërsa ky ‘babai’ politik i tyre puthte duar e mbante leksione, si aperitiv për t’i ndihmuar shqiptarët të tresnin çorbën që gatoi vetë.
Tërmetin sigurisht nuk e ndalojmë dot, por emergjencat civile duhet të jenë të përgatitura për çdo rast të tillë dhe rasti i djeshëm tregoi që qeveria dështoi, pasi disa çadra prej lecke, disa batanije e disa krevate, e duke i shtuar kësaj dhe 5 të moshuar me të cilët u puthët e u ndukët, nuk mjaftojnë për të justifikuar miliona euro që i vidhni, nuk justifikojnë varfërinë në të cilën e keni katandisur këtë vend, madje ngjarje të tilla nxjerrin në pah fytyrën e vërtetë të mashtrimit.
Meqë i doni kaq shumë janë mijëra familje, të cilave u janë shembur shtëpitë edhe pa rënë tërmet, janë mijëra fëmijë që ushqehen vetëm me një vakt të varfër, janë fëmijë të tjerë të cilët nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë se nuk kanë mundësi ekonomike, nuk blejnë dot librat, nuk përballojnë dot shkollën, janë të ngarkuar psikologjikisht përgjatë gjithë vitit e jo vetëm për nesër, meqë ju menduat të bëni një ditë pushim, duke menduar për ngarkesën emocionale.
Përse nuk mendoni për ngarkesën emocionale të këtij populli, që është më i varfër se kurrë dhe përveç lëkundjeve, termet kanë çdo ditë. Ju që puthni duar, e shpërndani supë, fusni në burg hallexhinj që nuk mund të paguajnë dritat, që ndërtojnë një gardh shtëpie apo protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e ndërtuara me djersë se doni t’ua shembni ju përfaqësues të qeverisë, më mashtruesë të të gjitha kohërave.
A nuk jeni ju që keni tërhequr zvarrë gra e fëmijë, që ju luteshin të mos u prishnit shtëpitë, a jeni ju që keni hedhur gaz lotsjellës, madje dhe nënave shtatzënë, për të vetmen arsye se protestonin për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Sot po i puthni e ushqeni me supë? Turp. Ju që e katandisët këtë vend si mos më keq, nuk keni moral, të shfaqeni në momente të tilla, nuk ka tërmet që mbulon mashtrimet, hajdutllëqet e krimet tuaja.
Mos kujtoni se shqiptarët harruan që në shtëpitë e tyre edhe pas tërmetit, përsëri s’ka ujë, Erion Veliaj mashtron dhe vjedh qytetarët çdo ditë, mos kujtoni se pas tërmetit shqiptarët harruan që në Shqipëri drejtësia ‘vdiq’, falë Edi Ramës, mos kujtoni se shqiptarët harruan se përfaqësuesit e mazhorancës u vodhën votën dhe janë me zë në dosjet 184 dhe 339, shqiptarët nuk harrojnë që ju që sot u shpërndatë supë, i helmuat me çorbën që gatuat tuaj prej 6 vitesh dhe i përzutë nga ky vend, shqiptarët nuk harrojnë që sot nuk i varfëroi apo traumatizoi tërmeti, por ju.
Edi Rama, largohu, se sot ishe më fallco se kurrë!