Albspirit

Media/News/Publishing

Pompeo në Ballkan, por jo në Tiranë dhe Prishtinë për shkak të korrupsionit galopant

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo viziton në fillim të muajit Italinë dhe disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por nuk ka planifikuar që të të ndalet as në Tiranë dhe as në Prishtinë. Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi zyrtarisht se javën që vjen Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të vizitojë disa vende të Ballkanit, kryesisht ato Perëndimore. Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, kryediplomati amerikan do të fillojë turneun e tij me një vizitë në Itali dhe në Vatikan. Më pas do të ndalojë në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, duke përfunduar udhëtimin me një vizitë edhe në Athinë. Vizita e tij do të zgjasë nga 1 deri me 6 tetor. Sipas njoftimit të DASH, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë fillimisht në një simpozium të organizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Vatikani, në bashkëpunim me disa organizata fetare, ku dhe pritet që Mike Pompeo të mbajë një fjalim me atë rast. Në Romë Sekretari Amerikan i Shtetit do të takojë Presidentin Italian, Mattarella, Kryeministrin Conte, si dhe Ministrin e jashtë të Italisë, Di Matteo. Sekretari Amerikan i Shtetit është me origjinë italiane dhe gjatë qëndrimit të tij në Itali ka vendosur të vizitojë edhe krahinën Abruzzo, prej nga ka prejardhjen familja e tij. Nga Italia, Kryediplomati Amerikan do të udhëtojë për në Ballkanin Perëndimor, duke u ndaluar në Podgoricë të Malit të Zi, aty ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Gjukanoviç, me Kryeministrin Markoviç dhe me Ministrin e Jashtëm malazez, Darmanoviç. Nga Podgorica, Mike Pompeo do të shkojë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për bisedime me Presidentin e atij vendi, Pendarovski, me Kryeministrin Zaev dhe me zyrtarë të tjerë maqedonas.  Nga Shkupi, ai mbyll vizitën e tij në Athinë, ku edhe atje do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Greqisë. Nuk dihet arsyeja dhe qëllimi i kësaj vizite, por dukshëm janë shmangur Shqipëria dhe Kosova, në axhendën e zyrtarit të lartë Amerikan.

 

Please follow and like us: