Albspirit

Media/News/Publishing

2004/Kur Presidenti Ibrahim Rugova shpallej Senator Nderi i Evropës në Atverpen të Belgjikës

Atverpen/Bruksel, 2 shkurt 2004 – Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës.

Ky është grupacion i figurave më ememinente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë. Në traditën 43-vjeçare me këtë titull janë nderuar personalitete si ish-kryeministra apo ish-presidentë, ish-ministra.

Ndërkaq, kësaj radhe me këtë titull u nderuan ish-kryeministri belg Zhan-Lyk Dean, gazetari francez David Geta, ish-presidenti i Komisionit Evropian Gaston Tom dhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Duke prezentuar Presidentin e Kosovës, deputeti shumëvjeçar evropian Oto fon Habsburg, tha se e di se sa e vështirë ka qenë për Ibrahim Rugovën që të kryejë misionin e tij, sepse shumë nga personalitetet politike perëndimore nuk e kuptonin atë dhe nuk e kuptonin as mesazhin e tij. Madje ata e kanë trajtuar shpesh si lypës të padurueshëm kur ai kërkonte në emër të popullit të Kosovës lirinë, tha Habsburg. Pastaj ai dha shembuj nga tmerret e regjimit të Beogradit që ka ushtruar mbi popullin e Kosovës, duke theksuar se këto tmerre njihen shumë pak dhe se në atë kohë Presidenti Rugova kërkonte t’u jipej fund këtyre tmerreve. “Dhe ai kishte të drejtë. Ai vazhdoi që të përfaqësonte me dinjitet patriotët e Kosovës deri në atë pikë sa personat që e njihnin dhe që ishin marrë me Kosovën e quanin ‘Gandi i Evropës”, tha Oto fon Habsburg.
Duke folur më tutje për figurën e Ibrahim Rugovës, zoti Habsburg tha se ai vazhdon të punojë dhe të mbështesë lëvizjen evropiane, pas mendonte se liria e popullit të tij, do të ishte e mundur vetëm nëpërmjet krijimit të një Evrope të bashkuar. “Ka shumë që nuk e kanë kuptuar, apo e kanë keqintepretuar, duke u ndalur thjesht te fakti që Rugova është mysliman. Por ai që në fillim përfaqësoi një nga idetë më të vështira për t’u realizuar në një pjesë të globit, që është doktrina e Evropës së bashkuar”, tha z. Habsburg dhe vazhdoi: “Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.
“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjeherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”, tha ai.
Në fund të fjalimit të tij, Oto fon Habsburg tha: “Mesazhi është që në një zonë nga më kritikët në Evropë, ne kemi një njeri tek i cili kemi besim. Sakrifica e gjithë jetës së tij nuk ka shkuar huq. Zoti e ka krijuar njeriun me imazhin e tij dhe duke ndjekur parimin e feve tona monoteiste, ne do të arrijmë që të ndërtojmë një Evropë të bashkuar, vëllazërore dhe tolerante, duke jetuar në paqe”.
Në fund të fjalimit të zotit Babsburg për figurën dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës, në sallën e mbushur me personalite evropiane shpërthyen duartrokitje të gjata, ku kishte edhe shumë shqiptarë, të cilët ngritën flamurin shqiptar, duke e shoqëruar Senatorin shqiptar të nderuar të Evropës edhe në dalje të Pallatit të Kongreseve të Atverpenit.

Ibrahim Rugova: Kosovës i është hapur perspektiva e një kombi të lirë për integrime perëndimore
Presidenti Rugova, duke u falenderuar për titullin që iu dha nga Senati Evropian, tha se ky është një nderim i madh për të, për Kosovën dhe për popullin e saj. Në vazhdim ai foli për rrugën që kaloi Kosova në historinë më të re të saj, sidomos për vitet ’90, kur u themelua lëvizja për liri, pavarësi e demokraci. Bartëse kryesore ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK, 1989) si parti e parë demokratike në botën shqiptare dhe në këtë pjesë të Evropës e të botës, kur filloi rënia e komunizmit dhe në kohën e shembjes së Murit të Berlinit, tha Presidenti Rugova, duke theksuar se “kjo lëvizje u krijua në kohën kur Kosova ishte në sulm të egër të Beogradit për ta dominuar dhe për ta shkatërruar kombin shumicë të saj shqiptarët”. Në vazhdim të fjalës së tij, Presidenti Rugova tha:
“Ne ndërtuam këtë lëvizje paqësore për liri, pavarësi e demokraci për të mbrojtur ekzistencën tonë nacionale, vlerat tona dhe vlerat njerëzore të një populli. Në ndërkohë ne ndërtuam edhe strukturën shtetërore të Kosovës, përmes akteve madhore, siç ishin Deklarata e Pavarësisë (korrik ’90), Kushtetuta e Republikës së Kosovës (shtator ’90) si dhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës (shtator ’91). Në vitin 1992 ne i organizuam zgjedhjet e para të lira presidenciale e parlamentare me qëllim të funksionimit demokratik të institucioneve tona. Kështu shteti ynë filloi të funksionojë në të gjitha fushat e jetës. Në botë ky shtet filloi të njihet si ‘shtet i shqiptarëve të Kosovës’, ‘shtet paralel’ i Kosovës. Ky është kontributi ynë në lëvizjet e popujve për liri e pavarësi”, nënvizoi Dr. Rugova.
– Në vitin 1998, kur lëvizja jonë u forcua dhe shteti ynë afirmohej gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare, – tha Presidenti Rugova – Beogradi vendosi ta shkatërrojë me sulm të armatosur, duke shkaktuar masakra e shkatërrime masive. Mirëpo, tha ai, bashkësia ndërkombëtare, doli në mbrojtje të popullit të Kosovës, në radhë të parë SHBA dhe BE. Dhe me ndërhyrjen e NATO-s u ndërpre dhuna, masakrat, gjenocidi dhe eksodi ndaj popullit të Kosovës dhe Kosova u bë e lirë më 12 qershor 1999.
Duke folur për Kosovën e pasluftës, Presidenti Rugova tha se “për katër vjet e gjysmë në liri Kosova ka bërë një progres të madh në të gjitha fushat e jetës”. “Ishin këto vite të forcimit të lirisë, të sigurisë, të ekonomisë dhe të demokracisë. Institucionet e Kosovës të themeluara në bazë të zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 funksionojnë me sukses”.
Ndërkaq, duke folur për objektivat e institucioneve të Kosovës, Dr. Rugova veçoi zhvillimin ekonomik, privatizimin, sigurinë për investime dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë si dhe integrimin dhe mbrojtjen e grupeve etnike, apo minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Ai veçoi progresin e arritur në fushën e ekonomisë, ku siç tha, sektori privat është mjaft i gjallë dhe dinamik. “Kosovarët kanë një shpirt ndërmarrës dhe ndërtues për jetën dhe vendin e vet”, nënvizoi Presidenti Rugova.
Në vazhdim të fjalës së tij Presidenti i Kosovës, tha se ai punon dhe insiston për njohjen formale e më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës. “Pavarësia do t’i përshpejtonte proceset e brendshme demokratike e ekonomike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës si dhe popullin e Kosovës”, tha Dr. Rugova, duke nënvizizuar se “një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të vendit tim”. Po ashtu tha se do të punohet që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.
Në këtë proces të progresit të Kosovës, ai tha se institucionet vendore po punojnë me UNMIK-un për bartjen e kompetencave tek institucionet shtetërore të Kosovës, që ato të jenë më efektive. Në vazhdim Presidenti Rugova tha: “Në këtë ceremoni solemne dëshiroj të theksoj se ne gjithnjë duhet të bëjmë përpjekje që problemet t’i zgjidhim me mjete paqësore e politike, por kur kjo nuk është e mundur, atëherë lufta apo intervenimi në emër të paqes e të vlerave njerëzore e demokratike është çështje e drejtë. Shembulli i vendit tim e tregon këtë më së miri. Kështu sot, pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosovës i është hapur perspektiva e brendshme dhe perspektiva e një kombi të lirë për integrime europiane e perëndimore. Po ashtu dëshiroj të them se perspektiva e Evropës është respektimi i të gjithëve dhe integrimi i të gjithëve në një bashkësi të kombeve të lira duke përfshirë edhe vendin tim Kosovën”, theksoi Dr. Rugova dhe përkujtoi me këtë rast bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë gjatë një dekade, Profesor Fehmi Aganin, si dhe shumë aktivistë të tjerë që u vranë, të cilët i cilsoi “burra të çmuar të lëvizjes sonë për liri, pavarësi, paqe e demokraci të Kosovës”.
Duke i falenderuar edhe njëherë senatorët e pranishëm evropianë për titullin e akorduar, Presidenti Rugova tha se kjo “është mirënjohje për mua dhe për vendin tim”.
“Le të jetë shenjë pozitive se vendi im së shpejti si vend i pavarur do të gjendet edhe formalisht në familjen e madhe evropiane, aty ku e kishte vendin gjithmonë, sepse Kosova e sotme është Dardania centrale antike iliro-shqiptare, pra, Dardania e Justinianit, vend i një civilizimi që qëndron në themelet e civilizimit modern evropian e perëndimor”.
Ndërkaq, në fund të fjalës së tij, Presidenti Rugova tha:
“Duke pranuar titullin Senator Nderi i Evropës, Ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e mia në të mirën e vendit tim, në të mirën e popujve evropianë dhe në të mirë të miqësisë me SHBA dhe me popujt e tjerë të botës dhe për forcimin e paqes dhe të lirisë në botë”.

Please follow and like us: