Promovohet libri monografik për Nexhmije Pagarushën
Monongrafia për Nexhmije Pagarushën ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje
PRISHTINË, -Gazeta DIELLI/Është promovuar sot në mbrëmje në Prishtinë Monografia Nexhmije Pagarusha, një rrëfim personal dhe origjinal i një udhëtimi të mrekullueshëm në jetën dhe krijmtarinë e këngëtares tonë të famshme shqiptare.
Monongrafia për Nexhmije Pagarushën ka përmbledhur gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj prej artisteje. I ndarë në 13 kapituj, libri ka paraqitur rrugën e këngëtares nga fëmijëria deri në ditët e sotme. Vetë këngëtarja me rrëfimin e saj jetësor është boshti i rrëfimit të këtij libri. Pjesë shumë e rëndësishme e këtij libri monografik janë edhe intervistat me familjarë, miq, muzikantë e persona të tjerë që e njohin mirë dhe kanë punuar ngushtë me Nexhmije Pagarushën, të cilët e plotësojnë rrëfimin e saj.
Qëllimi kryesor i botimit të këtij libri është që të vë në pah rëndësinë e karrierës muzikore të Pagarushës, e cila përfaqëson një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të vendit tonë. Nëpërmjet dokumentimit dhe rrëfimit të artistes dhe bashkëpunëtorëve të saj, libri ka nxjerrë në pah historinë krijuese të njërës prej këngëtareve më të famshme të muzikës shqipe. Dokumentimi i asaj që e ka karakterizuar këngëtaren, është paraqitur si histori e shtrirë në formë romani me qëllimin që publikut t’i prezantohet i gjithë mozaiku jetësor e artistik i Nexhmije Pagarushës. Libri do të mbetet trashëgimi e institucioneve të vendit dhe brezave të rinj.
Monografia “Nexhmije Pagarusha” me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha, është realizuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Ministria njoftoi se ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në promovimin e librit monografik “Nexhmije Pagarusha”.
Libri është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha.
Ministri Gashi gjatë kësaj ceremonie solemne tha se Nexhmije Pagarusha në kohën kur Kosova nuk njihej shumë sa i përket kulturës, më zërin e saj u bë shkas që një vend i vogël i Ballkanit të prezantohej ndryshe.
“Ishte zëri i një vajze të re, që nuk e kishte të lehtë përballjen me kohën kur jetonte. Po flasim për vitet e ’50 dhe ’60. Aso kohe vajzat po përballeshin edhe me pamundësinë e shkollimit ndërsa Nexhmije Pagarusha pos një këngëtareje që qysh në fillet e karrierës shihej që do të shkëlqente, nuk e la me kaq. U shndërrua në një shkëlqim që hedhte shkëndiza drite tek bashkëmoshatarët e saj”, tha ministri Gashi.
Tutje ministri Gashi tha se zëri i Bilbilit të Kosovës, pos vokalit të bukur e magjepsës do të ishte thirrje për emancipim. E tillë është figura e saj edhe sot.
“Ministria e Kulturës, e ka për obligim që t’i shërbejë artit e artistëve. Pos kësaj ka për obligim që të jetë pranë vlerave të Kosovës. E fusha e muzikës identifikohet me vlerën që ka mbajtur, mbanë dhe do të mbajë emrin, Nexhmija Pagarusha. Qysh prej marrjes së mandatit si ministër, angazhimin tim e kam fokusuar në disa projekte kapitale. Midis tyre edhe përkujdesin për vlerat që do të jetojnë gjithmonë. E tillë është edhe vepra e zonjës Pagarusha”, theksoi ministri Gashi.“Vitin e kaluar me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Qeveria e ka shpallur zonjën Pagarusha “Qytetare me merita të veçanta”, duke i ndarë edhe një pension për këtë titull. Sonte po promovojmë monografinë që paraqet jetën shumëngjyrëshe të këngëtares, ashtu sikurse edhe fotografia me të cilën është ilustruar ballina e librit. Sigurisht që Ministria e Kulturës për zonjën Pagarusha dhe për artistet që shënuan fillet e artit në Kosovë nuk do të ndalen me kaq”, tha ministri Gashi.Po ashtu, ministri Gashi tha se “jemi në proces të nisjes së punës për ndërtimin e qendrës kulturore “Nexhmije Pagarusha” në fshatin e lindjes së këngëtares, në Pagarushë të Malishevës. Me këto projekte të realizuara ju them pa modesti se MKRS-ja dhe unë si ministër do të vazhdojmë të jemi në shërbim të artistëve sikur Nexhmije Pagarusha. Këtë do ta bëjmë jo vetëm se e kemi obligim si institucione, por edhe në respekt të atyre që përmes veprave na shtruan rrugën deri te identiteti i shteti që kemi”. |