Albspirit

Media/News/Publishing

Psalm për atin/Sadik Bejko: Bora në Jug

 

 

 

Bora vjen dhe fshik dritaret tona,
Na përfal, na llamburin bardhësi të ëmbël,
zogjtë e saj, sakaq shndërrohen në lot,
sytë tanë thonë: mos pamë ëndërr?

Ja, në male shtrohet si në shtëpi. Vetëm
me sy ta prekim të bukurën e mardhur;
nuk zbret, njolloset nga supet tanë,
fryma jonë e kthen krejt në avull.

Vetëm pjesës së lartme të ajrit tonë
ia fal të bardhën, të paqtën lumturi,
shkund pupla zogjsh kjo re qiellore,
po preku truallin, sakaq u shkri.

Kështu, mbi gropa rruge hedh flatra,
pak qiell thekë-thekë endur
mbi kalbjen tonë, mbi uri, mbi të çmendur.
1984

Nga libri “Psalm për atin”, 2003

Please follow and like us: