Memorie.al publikon për herë të parë dokumentat e bujshme arkivore me “dosjen e zezë” të marrëdhënieve shqiptaro-kineze të fillimit të viteve ’60-të, ku ambasadori shqiptar Reiz Malile ka informuar rregullisht Komitetin Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhën, Hysni Kapon, etj, lidhur me sjelljet imorale e shtazarake të dhjetëra ushtarakëve, kursanëtëve dhe specialistëve shqiptarë që ishin në qytete dhe provinca të ndryshme të Kinës, të cilët kryenin akte rrugaçërie duke kapur me forcë e duke përdhunuar vajza kineze, kudo që ato ndodheshin, në ara, fabrika, kantiere ndërtimi, autobusë, mbrëmje vallëzimi etj., etj. Dhe kur pala shqiptare donte që t’i proçedonte ata për gjyq, pala kineze nuk ishte dakord dhe kërkonte që ata “të bënin autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës….”?!

Pas prishjes së marrdhënieve zyrtare të Tiranës me Kremlinin në fundin e vitit 1961 dhe fillimin e ’62-it, kur Moska dhe Hrushovi tërhoqi edhe gjithë personelin e ambasadës së saj nga kryeqyteti shqiptar, Enver Hoxha dhe regjimi komunist i Tiranës u lëshuan “në prehrin” e Mao Ce Dunit, duke lidhur një aleancë të fortë me vëndin e madh komunist aziatik me të cilin kishin filluar “flirtet” që nga fillimi i viteve ’50-të kur kryetari Mao konsolidoi pushtetin e tij. Kështu që nga fillimi i viteve ’60-të dhe deri në mesin e viteve ’70-të kur Enver Hoxha do të fillonte ftohjen me “vëllezërit kinezë” pas vizitës së Riçard Nikson-it në Kinë, për më shumë se dy dekada me rradhë, Pekini zyrtar do të ishte një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, jo vëtem në aspektin politik, por dhe në atë ekonomik e ushtarak, duke i akorduar vëndit të vogël e të varfër ballkanik, disa dhjetra milion dollarë ndihma dhe kredi, ku shumica e tyre ishin falas apo me afat të gjatë shlyerje….!

Kështu në ato dy dekada, qeveria shqiptare i mbështeste të gjitha planet e saj pesvjeçare vetëm në saj të ndihmave dhe kredive që jepte qeveria kineze (ku ato ushtarake ishin të gjitha falas) dhe në këtë kuadër, përveç industrisë ushtarake si: Uzina e Artilerisë në Tiranë, Kombinati i Armatimeve në Poliçan të Skrapartit, aeroportet ushtarake të Gjadrit e Kuçovës, bazave ushtarake detare të Porto-Palermos, Shëngjinit etj., etj., në ato vite u ndërtuan dhe u vunë në shfrytëzim pothuaj të gjitha veprat industriale në Shqipëri, si: Uzina e Naftës dhe e Gazit në Ballsh, Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit, Kombinati Kimiko Metalurgjik i Laçit, Radio-Televizioni Shqiptar, fabrika e Letrës në Lezhë, Uzina e Telit në Shkodër, etj etj uzina e fabrika të vogla në të gjithë Shqipërinë, në të cilat punuan specialistët dhe inxhinierët kinezë me përkushtim dhe korrektesën më të madhe. Po kështu, për vënien në funksionim të këtyre veprave të mëdha industrial ku ishte mbështetur e gjitha ecuria e ekonomisë shqiptare, Republika Popullore e Kinës morri përsipër edhe shkollimin e specializimin e qindra e qindrave kuadrove shqiptarë, civile dhe ushtarak, në Republikën Popullor te Kinës. Të gjitha këto tashmë janë të njohura nga brezi që e ka jetuar në atë kohë dhe ato janë të pasqyruara edhe në mjetet e informimit publik dhe propagandës, si, gazeta, revista, albume, Radio-Televizioni Shqiptar, Kinostudio “Shqipëria e Re”, etj., etj.

Të cilat kulmojnë me vizitat e kryeministri kinez Çu En Lai në Shqipëri (ku gjithë populli është i derdhur në rrugë me parrulla dhe lule në duar), si dhe me një sërë vizitash e takimesh të krerëve më të lartë të udhëheqjes komuniste shqiptare në Kinë, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Avdyl Këllezi, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, etj.etj., e me rradhë deri tek rangjet më të ulta të administratës zyrtare. Por e gjitha ajo “miqësi e pathyeshme” dhe e ngushtë midis dy “partive motra”, që e pati epilogun në korrikun e vitit 1978, ka pasur edhe anën më të errët të saj, e cila jo vetëm që është mbajtur e fshehtë dhe nuk është bërë kurrë publike në ato vite, por edhe sot e kësaj dite kur kanë kaluar gati 30 vjet nga rënia e regjimit komunist, ajo gjë ende vazhdon të mbetet e fshehtë?! Bëhet fjalë për sjelljen imorale dhe qëndrimin e ushtarakëve, kursantëve e specialistëve shqiptarë, kuadro inxhiniero-teknik që asokohe (për dy dekada me rradhë), ishin në Republikën Popullore të Kinës, ku me dhjetra prej tyre, janë sjellë në mënyrën më të shëmtuar, duke bërë përdhunime të vajzave dhe grave kineze, kudo ku ato ndodheshin “ndër ara, fabrika kantiere, ku vlonte ‘puna’ kudo”, apo qendra pune e prodhimi, autobus, stalla lopësh, mbrëmje vallëzimi, eskurisone etj etj, aq sa një pjesë e tyre, sipas raporteve të “shokëve kinezë” ishin bërë “tmerri i rajoneve…”?!.

Të gjitha këto janë të pasqyruara me detaje në dhjetra raporte e informacione që ambasada shqiptare në Pekin ia ka dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, me anë të ambasadorit Reiz Malile dhe ato janë parë e firmosur me shënimet përkatëse nga vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo etj nga udhëheqja e lartë e PPSH-së. Në këtë “dosje të zezë” të marrëdhënive shqiptaro kineze, e cila ka siglën “Tepër sekret” dhe përmban një korrespodencë të gjatë me raport-informacione të firmosura nga ambasadori shqiptar në Pekin, Reiz Malile, atasheu ushtarak Elami Hado, drejtori i Drejtorisë së Marrdhëniemeve me Jashtë në Komitetin Qëndror të PPSH-së, Pirro Bita, etj etj, ka të pasqyruara me detaje dhe hollësira shumë e shumë ngjarje ku ushtarakët, kursantët e specializantët shqiptarë janë “lëshuar si ujku në vathë” mbi vajzat dhe gratë kineze, duke shfryrë epshet e tyre shtazore me akte të shëmtuara përdhunimesh….?! Ku sipas raporteve në fjalë, “vajzat kineze kur përdhunoheshin, nuk bërtisnin, pasi nuk donin që të prishej miqësia shqiptaro-kineze” dhe kur pala shqiptare insistonte që ata që kishin kryer këto akte të shëmtuara të procedoheshin penalisht e t’i jepeshin gjyqit, “shokët kinezë” nuk ishin dakort me këtë masë të rëndë, por insitonin që ata “të bënin një autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës”…?! Lidhur me këtë dhe të tjera nga kjo “dosje e zezë”, na njohin dokumentat arkivore sekretet që po publikojmë duke filluar nga ky shkrim, gjë e cila nuk ka për qëllim aspak pët të treguar apo denigruar “derrat e pyllit shqiptar”, por si një dëshmi e historisë së marrdhënieve shqiptaro-kineze, ku këto ngjarje kanë qenë dhe do mbeten si një njollë e zezë në aspektin historik të tyre…

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

I n f o r m a c i o n
PER KURSANTIN JANI.P.I
Jani P.I. anëtar i BRPSH-së që ishte dërguar si kursant për specializim në R.P të Kinë është sjellë shumë keq atje. Që në fillim kur u nis me avion me shokët qëlloi me grusht një nga shokët. Në një eskursion në qytetin Cun Cin u zhvesh lakuriq dhe bëri banjo në lumë. Po gjatë këtij eskursioni ofendoi në mënyrë brutale disa vajza kineze. Kur u thirr nga sekretari i organizatës për këto sjellje ay e ofendoi atë me fjalë të ulëta dhe tentoi ta qëllonte me grusht. Po ashtu me fjalë brutale ofendoi dhe përgjegjësin e grupit kur e thirri për ta këshilluar. Mbas këtyre Jani I. desh ta mbyste në lumë shokun Hajri Zh. Nuk e bëri dot pasi atje u ndodhën shokët e tjerë.

Gjatë udhëtimit me autobus ofendonte nga dritarja çdo vajzë që shikonte, në autobus kishte dhe kineze. Kur u kthyen nga eskursioni, atë e thirri përgjegjësi i grupit, sekretario i org. bazë të Partisë, zv/sekretari i org. së Partisë, dhe sekretari i org. së Rinisë, por ay nuk pranonte asnjë gabim. U bë mbledhja e kolektivit për të shqyrtuar çështjen e tij, por ay nuk pranoi të marrë pjesë. Mbas kësaj e thirrën në mbledhje të org. bazë të Partisë, por dhe këtu nuk pranoi asnjë gabim dhe dy tre herë tentoi të largohej duke ju thënë se nuk ju dëgjoj dot.

Për këto sjellje org. bazë e Partisë propozoi kthimin e tij në Shqipëri. Këto propozim e aprovoi dhe Ministria e Mbrojtjes Poullore, por se e pezulloi ambasadori shoku Reiz Malile, për arsye se ky bëri autokritikë për përgjegjësitë e tij, se do të përmirësohet dhe nuk do të përsërit gabimet.

Edhe Ministria e Mbrojtjes ishte dakord që ai të mos kthehej në Shqipëri.
Për këtë çështje Drejtoria Administrative bisedoi edhe njëherë me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes ia la në kompetencë atasheut ushtarak që të vendosë nëse ay meriton që të kthehet në Shqipëri apo të qëndrojë atje.

Meqenëse sjelljet e tija janë shumë të këqija dhe duke marrë parasysh gjërat e shëmtuara që po ndodhin atje siç ishte rasti i Hysen B., që t’ju pritet rruga këtyre dhe meqenëse Jani. P. I vuan nga…..e nuk është i përshtatshëm për specialitetin që është dërguar, propozojmë që të kthehet në Shqipëri. Edhe Drejtoria Administrative është e mendimit që të kthehet në Shqipëri.

Të kthehet me vaporr
Hysni Kapo

……………………………………………………………………………………………………………………………………………

I N F O R M A C I O N
Në mbledhjen e saj dt.3.1.1962 organizata bazë e Partisë e kursantëve dhe ushtarakëve në qytetin Cun Cin, mori në shqyrtim sjelljet imorale dhe aktin e poshtër të Hysni. H.B. dhe vendosi përjashtimin e tij nga Partia. Për këtë i ishte paraqitur projekt-vendim Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Por në këtë mbledhje org. bazë e Partisë shqyrtoi edhe sjelljet imorale të Hajdar D.Sh. Dhe vendosi të propozojë kthimin e tij në Shqipëri.

Hajdar Sh. ka pasur sjellje imorale, ka ndjekur vajzat kineze nga mbrapa, u ka kërkuar atyre që të venë në takim dhe megjithëse ato kanë refuzuar, ay ka vazhduar prapë të kërkojë që të venë në takim me të duke përdorur presionin dhe mashtrimin dhe në këtë mënyrë një vajzë i ka vajtur disa herë në takim, ose e ka zënë në rrugë dhe e ka marrë në shëtitje për qëllime të këqia. Kësaj vajze njëherë i mori unazën dhe i tha se do t’ia jepte përsëri, po të vinte në takim me të.

Në takim i premtoi asaj që do ta merrte në Shqipëri dhe ia dha unazën vetëm pasi ajo pranoi që ky ta puthte atë dhe e puthi. Në një takim tjetër këtë vajzë ka dashur që ta çnderonte me forcë (e nxorri dhe prezervativin), por nuk mundi pasi ajo u largua. Kur u kthye në fabrikë e puthi me forcë dhe pastaj me qëllim që ta gënjente dhe që t’i nështrohej atij, i ra në gjunjë duke qarë. I ka dhënë dhe dhuratë një shami dhe një sapun, megjithëse ajo ka refuzuar t’ia pranojë.

Një vajze tjetër kineze duke dancuar në një mbrëmje i ofron faqen e tij pranë faqes së saj dhe megjithëse ajo përpiqej të largohej, ay e shtërngonte fort në mes. Mbas mbarimit të mbrëmjes e ndoqi pas në rrugë, i kërkoi t’i linte takim por ajo s’pranoi, i puthi dy herë dorën dhe i bënte lajka. Po këtë vajzë në një mbremje tjetër e mori përsëri të danconte po me atë mënyrë si herën e parë dhe kur ajo përpiqej të largohej, ai e cimbiste. Këtë gjë ia bëri dhe një vajze tjetër. Njëherë kur e takoi vajzën që përmëndëm më lart dhe e pa se po bisedonte me shqiptarë të tjerë, i tha se ata janë të liq dhe se kanë nga 4-5 vajza dhe mos bisedo me ta. Të gjitha këto vërtetohen nga dekllarata që kanë lëshuar dy vajza.

Për sjelljet e tij imrorale, Hajdar Sh. është kritikuar nga përgjegjësi dhe sekretari i org, bazë të Partisë, por ay duke gënjyer nuk i pranonte. Vetëm kur iu faktuan ay pranoi gabimet e tija dhe bëri një dekllaratë ku kërkonte që me një autokritikë të mbyllej çështja e tij.

Ambasada e R.P. të Shqipërisë nuk e aprovoi vendimin e organizatës bazë të Partisë për kthimin e tij në Shqipëri duke argumentuar se mbasi u verifikua në vënd nga atashehu ushtarak Elami Hado, rezultoj se Hajdar Sh. Nuk ka kryer akte imoraliteti dhe për xhestet e tij jo korrekte e kritikoi rendë dhe e paralajmëroj.

Ne propozojmë se Hajdar Sh. Të kthehet menjëherë në Shqipëri për shkak se sjelljet e tij janë imorale, të këqia dhe të ulta, dhe se nuk ka kryer akte imoraliteti vetëm se nuk ka mundur ta bëjë, duke përdorur forcën, presionin dhe mashtrimin.

Për sjelljet e Hysen B. dhe Hajdar Sh. Shokët kinezë të Uzinës kanë thirrur përgjegjësin e grupit dhe i kanë vënë në dukje duke theksuar se këto gjëra kanë ngjallur tmerrin në popullin e rajonit.

Gjithashtu po në këtë mbledhje, organizata vendosi që Fiqri. T. t’i hiqet vërejtje e rëndë para kolektivit për arsye se ai kishte dijeni mbi sjelljen e poshtër të Hysni B. dhe jo vetëm që nuk e denoncoi, por edhe kur u pyet, nuk tregonte.

Vetëm kur u thirr për të katërtën herë dhe kur ia faktua se ka dijeni, tregoj. Për ketë propozojmë që t’i hiqet vërejtje e rëndë (me shënim në dokumenta) nga Ministria e Mbrojtjes Popullore.

31.3.1962 DREJTORI I DREJTORISE SE JASHTEME
Pirro Bita
……………………………………………………………………………………………………………………………

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE TIRANË MË 27/4/1962
KOMITETI QENDROR
DREJTORIA E JASHTEME

I N F O R M A C I O N

MBI DISA ÇFAQJE TE HUAJA TE KURSANTEVE DHE USHTARAKEVE QE STUDJOJNE NE REPUBLIKEN POPULLORE TE KINES

Në Republikën Popullore të Kinës kemi 64 komunistë, kursantë dhe ushtarakë të cilët bëjnë pjesë në 4 organizata bazë të PPSH-së dhe dy grupe të rini-partisë. Nga mbledhjet e këtyre organizatave bazë të Partisë deri tani na kanë ardhur 11 protokolle. Nga këto protokolle, rezulton se deri tani në jetën, qëndrimet dhe sjelljet e ushtarakëve dhe kursantëve ka mjaft sjellje të huaja dhumë të dëmëshme dhe dobësi në punën e organizatave bazë të Partisë. Çfaqjet e huaja janë në këto drejtime:

Në qëndrimet dhe sjelljen imorale të disa kursantëve dhe ushtarakëve deri në akte të shëmtuara siç është rasti i anëtarit të partisë, ushtarakut Hysni B. i cili me anë të mashtrimit dhe forcës çnderoj një vajzë kineze, ose Hajdar Sh, i cili në të njëjtën mënyrë si Hysni B, tentoi që të çnderonte një vajzë kineze, si dhe sjelljet jo të mira me vajzat kineze, në kundërshtim me zakonet e vëndit, të disa të tjerëve si Kristaq P. etj.

Qëndrime jo të drejta në punë dhe thyerje disipline duke ngritur problemin se në Shqipëri na kanë gënjyer për specialitetin. Kështu anëtari i Partisë, Rexhep H. nuk shkoi në punë për disa ditë për arsye se nuk pranonte specialitetin që i kishin caktuar duke dhe e konsideronte se i kishin ulur autoritetin duke e caktuar si punëtor dhe jo teknik. Ndoni Gj. Nuk pranonte të punonte në meletrixhe. Anëtari i Partisë, Kostandin B. pranon të punojë në laborator por jo në poligon, duke thënë se nuk e bën dot.

Anëtari i Partisë, Theodhoraq S. thotë se po ta dija për këtë specialitet nuk do vija fare këtu.

Pakënaqësira në lidhje me ushqimin dhe pagesën atje e familjeve të tyre në Shqipëri dhe ngritjen e këtyre problemeve në rrugë të shtrembër. Kështu p.sh. anëtari i Partisë, Kostandin B. i cili ngrihet në mesnsë para 35 vetave dhe bën alarm për ushqimin dhe u thotë të tjerëve se ti mund ta hash këtë, por unë nuk e ha, ose një tjetër që thotë, ose më jep gjellë tjetër, ose unë nuk luaj nga vëndi. Anëtarët e Partisë, Theodhori S. dhe Pandeli M. në rrugë të shtrembër në mes të tërë kolektivit ngrenë çështjen e pagesave, akuzojnë përgjegjësins e i bën kërkesat e buta, etj., ose oficerët që janë në Guo-Mi, për çështjen e pagesave i bënë një letër atasheut ushtarak me përmbajtje shumë të ulët dhe në formë proteste.

Sjellje jo të mira me kolektivin dhe shokët kinezë, si p.sh. Jani I. që sillet keq më shokët kinezë.
Keq është sjellë edhe anëtari i Partisë, Ramadan Sh. i cili është zënë me shokët dhe ka ofenduar një mjek kinez. Anëtari i Partisë, Hiqmet L. sillet keq me shokët dhe anëtari i Partisë, Hamit R. është zënë…