Lionel Messi shpallet futbollisti më i mirë i vitit në botë, për herë të gjashtë
Milano (Itali), 23 shtator 2019 – Lionel Messi u shpall futbollisti më i mirë në botë për vitin 2019. Kjo është hera e gjashtë që ai e fiton këtë trofe.
Në garën e ngushtë për këtë çmim, Messi mposhti Cristiano Ronaldon e Juventusit dhe Virgil Van Djikun e Liverpoolit.
Sulmuesi i Barcelonës sivjet e ka fituar edhe Këpucën e Artë, si golashënuesi më i mirë në Evropë. Ai i ka shënuar 36 gola në ligë dhe ka bërë 13 asistime..
Në kategorinë e femrave, më e mira u shpall Megan Rapinoe që udhëhoqi SHBA-në në triumfin e Kupës së Botës.
Trajneri më i mirë i vitit u shpall Jurgen Klopp, trajner i Liverpoolit.
Në kategorinë e femrave, trajnerja më e mirë u zgjodh Jill Ellis e SHBA-së.
FIFA shpalli edhe formacionin më të mirë të vitit. Në përbërjen e ekipit më të mirë në botë ishin:
Portier: Alisson
Mbrojtje: Sergio Ramos, Marcelo, Virgil Van Dijk, Matthijs de Ligt
Mesfushë: Frenkie De Jong, Eden Hazard, Luka Modriq
Sulm: Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe, Lionel Messi.
Ceremonia e FIFA-s u mbajt në Milano, Itali.