Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: DY FJALË RRETH SHKRIMIT TË JUSUF BUXHOVIT “AGRESIONI I SERBISË NË KOSOVË…”!

 

Fotografia e Unioni Shqiptar i Shoqerise Civile - USHC

Sapo futesh në komunën e ZUBIN POTOKUT, në hyrje të saj, vizitori përballet me një tabelë ku është shkruar e zeza në të bardhë, në gjuhën serbe:

“Republika e Serbisë-Kosova dhe Metohija dhe më poshtë mirësevini”.

Në dukje të parë, kalimtarëve të rastit mund të mos i bëjë shumë përshtypje, në një komunë me shumicë serbe, mund të shkruhet një tabelë, në gjuhën serbe.

Mirëpo problemi qëndron tek Republika, pjesë e së cilës është kjo komunë së bashku me Leposaviqin, Zveçanin dhe Mitrovicën e veriut.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të gjitha këto komuna si dhe disa të tjera të pashënuara, janë shpallur pjesë e pandarë e territorit kosovar.

Si është e mundur që serbët e prekin kaq lehtë sovranitetin e Kosovës e lozin me emrin e saj, brenda një territori të njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 110 shtete, brenda territorit të një Republike, pavarësia e së cilës është quajtur e ligjshme, me vendime publike edhe të gjykatave ndërkombëtare.

A e çon dikush nëpërmend se si do të silleshin serbët nëse në tre komunat shqiptare në Kosovën Lindore do të shkruhej: REPUBLIKA E SHQIPËRISË OSE E KOSOVËS dhe poshtë saj, KOMUNA E PRESHEVËS, BUJANOCIT E MEDVEGJËS.

Me siguri, ‘tërmet’ do të binte e të gjitha mediat në Serbi, politika serbe po e po, do të shpërthenin në sulme e ofeza nga më të ultat e në fund në kor do të bërtisnin: Ubijte Allbanci-Vrisni shqiptarët.

Nga rrjedhin të gjitha këto, agresioni serb nga njera anë e urtia e shqiptarëve e pafalshme, në anën tjetër.

A thua është vetëm faji i serbëve apo është përgjegjësia e jonë, e ne shqiptarëve e politikave tona kombëtare të zbehta deri sa nuk mban më.

Kur vjen nga Shkodra drejt Tiranës aty ku degëzon rruga për në një republikë tjetër shqiptare, një tabelë gjysëm e rënë që me zor shihet, shënon fjalën Kosovë.

E ndërsa në jug të Shqipërisë të gjitha tabelat që të shoqërojnë drejt Greqisë janë të shkruara qartë, brenda të gjitha kërkesave e rregullave të qarkullimit rrugor, pa harruar në të gjitha të shënohen emrat e rrugëve e qyteteve, në gjuhën e sotme greke.

Dy standarde të ndryshme, respekt e përulje ndaj atyre që nuk na duan dhe përçmim ndaj vehtes e Kosovës tonë nga ana tjetër.

Tek bisedonim sot për këtë çështje, në një tavolinë shokësh, dolën njëmijë e një gjëra edhe më të rënda se puna e këtyre tabelave.

Një profesor që sapo ishte kthyer nga Ksamili, na njoftoi i shqetësuar se as telefonat celularë të Shqipërise nuk punojnë mirë, pa le për televizionet e radiot shqiptare që shpërndajnë sinjale të dobëta e pa cilësi thuajse në të gjithë jugun e Shqipërisë e veçmas në zonat kufitare me GREQINË, aty ku buçet kënga në gjuhën greke, në të katër anët.

Nuk e di se si shteti shqiptar e kontrollon mbulimin e territorit me sinjalin televiziv e radiofonik dhe me siguri, institucione, vendime e ligje të të gjitha llojeve do t’i kemi me shumicë.

Problemi qëndron tek politikat kombëtare që duhet të ndjekin qeveritë tona në Republikën e Shqipërisë e atë të Kosovës.

Në situatën shumë delikate që kalojnë shqiptarët në rajon kur agresioni sllavo-grek është rritur, po preken interesa ekzistenciale që lidhen me vetë të ardhmen e popullit shqiptar në rajon.

Për këto arsye m’u duk e drejtë analiza e Buxhovit, me të cilën duhet të merren institucionet përkatëse në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kjo nuk është punë thjesht tabelash apo sinjalesh televizive e radiofonike. Kjo është shumë e shumë më e thellë.

Këto ngjarje flasin për politikat sllavo-greke e antishqiptare në rajon, këto flasin për agresionin sllavo-grek që është në rritje dhe nga ana tjetër flasin për heshtjen tonë kriminale e të pafalshme…!

Please follow and like us: