Fran GJOKA: Shkrimtari që zgjon ëndrra dhe pasione te lexuesit e vegjël
Fran Gjoka
(Duke lexuar librin “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” të shkrimtarit të njohur Viron Kona)
Kohët e fundit Viron Kona ka dalë me librin e tij më të ri për fëmijë të titulluar “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” Që në titull lexuesi kupton se libri ka në qendër të tij vogëlushin Bubulino, i cili është i njohur për dëshirën e tij që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars. Me këtë libër, shkon në 14 cikli me personazhin Bubulino dhe aventurat e tij, ndërkohë që shkrimtari ka në planin e tij krijues edhe shumë e shumë libra për këtë personazh origjinal, tërheqës për fëmijët, por dhe të vlerësuar nga kritika dhe lexuesit, ndërkohë që i kujtojmë lexuesit se ai është fitues i çmimit UNICEF, në konkursin e shpallur nga kjo organizatë botërore e fëmijëve me rastin e 60-vjetorit të krijimit të saj.
Thuajse të gjitha këta libra, rrokin gjerësisht ëndrrat e fëmijëve jo vetëm për të eksploruar planetin Mars dhe planetë të tjerë të Sistemit tonë Diellor, por edhe më tej: hapësirën e pafund kozmike me të fshehtat dhe misteret e saj.
Dëshiroj të nënvizojë se Viron Kona, ky shkrimtarë shumë prodhimtarë dhe i palodhur, me stilin e tij të thjeshtë e të pabujë, i përfshirë tërësisht në ndjenjën e bukur të modestisë, i tërheq lexuesit e vegjël me një gjuhë të magjishme në gjirin e shkencës dhe të zbulimeve që i shërbejnë të sotmes dhe të ardhmes së njerëzimit. Siç shprehet me të drejtë recensenti i këtij libri, fizikani dhe pedagogu Bujar Poçari: “Viron Kona, e ka stil të tij dhënien e njohurive dhe dijeve të shumta me karakter historikë, gjeografikë, shkencorë, të pasqyruara këto në mënyrë tërheqëse, përmes ngjarjesh, episodesh, dhe aventurave. Kjo mënyrë të shkruari e bënë kureshtar lexuesin e vogël, i cili ndjek hap pas hapi me interesim dhe pa e ndalur frymën aventurat e Bubulinos dhe të shokëve të tij”.
Në këtë libër me titull intrigues, teatri artistik ku zhvillohen ngjarjet është skena e një konferencë shkencore, ku Bubulinoja dhe eskpedita e tij paraqesin përpara ndjekësve të tyre, por edhe përpara dy astronautëve që kanë ardhur posaçërisht nga NASA, planet dhe përgatitjet për të shkuar në planetin Mars. Shpejt lexuesi i vogël përfshihet si pakuptuar në kurthin origjinal e artistik dhe e sheh edhe ai veten një pjesëmarrës aktiv në idenë, planet dhe dëshirën aventurore të Bubulinos. Pas çdo faqeje të librit, atmosfera bëhet gjithnjë e më tërheqëse, aty ku vlojnë e zhvillohen episode, biseda, batuta e ngjarje; sillen dhe analizohen fakte shkencore, kundërshti, e, të gjitha këto, prezantojnë njëherazi tipa dhe karaktere interesantë fëmijësh, të cilët shprehin dëshira, përfytyrime, imagjinata të bukura që projektojnë zhvillimet aktuale dhe të së ardhmes së jetës në planetin Tokë, teksa situatat e krijuara nxitin njohjen e thellë të diturisë, historisë, gjeografisë, të shkencave dhe arteve. Janë një grumbull njohurish të cilat lexuesit e vegjël i marrin natyrshëm në faqet e librit, dhe, kur mbarojnë të tërë librin, e ndjejnë veten më të ditur, më të pasur me njohuri shkencore, por edhe më optimistë e plot energji për jetën dhe të ardhmen.
Janë mbresëlënës dhe origjinalë në libër personazhe si: Bubulinoja, Dardi, kapiten Liku, gjyshi Ambasador, kuzhinier Baxhuli, hungarezi Vladislav, italiani Alfonso; vogëlushët: Kokëgjembi, Fluturushja, Lisiana, apo personazhet simpatikë që shkaktojnë humor dhe të qeshura: shkencëtari i madh Këmbëgjatë, Mjekërverdhi etj., të cilët lexuesi i vogël i njeh si personazhe aktivë edhe në librat e tjerë që përbëjnë ciklin e Bubulinos. Të gjithë ata kanë tipare dalluese, si me dëshirat dhe ëndrrat, ashtu dhe me veprimet aktive në jetën e përditshme fëmijërore. Në këtë linjë konfigurohen dhe zbërthehen bindshëm edhe dy personazhe të rinj, dy astronautë të Agjensisë Amerikane të Hapësirës NASA dhe, kësisoj, e tërë atmosfera zhvillohet me vërtetësi dhe reale, sikur po ndodh tani dhe, lexuesit ndihen pjesëmarrës aktivë të saj. Është kjo një cilësi origjinale dhe krijuese e shkrimtarit Viron Kona, që shfaqet edhe në shumë libra të tjerë të tij, ndaj, duke ndjekur zhvillimin e librit, kompozicionin, personazhet dhe bëmat e tyre, por dhe gjuhën e pastër dhe të qartë, i jap të drejtë poetit dhe publicistit të njohur Ndue Dragusha, i cili në shkrimin e tij: “Të çuditshmit”, tregime për fëmijë nga Viron Kona”, botuar në “Lisalba”, nr. 131, 2005, ndër të tjera shkruan: “Mendoj se duke marrë shembull nga ky libër, duhet parë dhe duhen ndërtuar edhe tekstet shkollore…”. Teksa, unë, autori i këtij artikulli, do ta çoja edhe më tej këtë ide, duke nënëvizuar se, e tërë krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Viron Kona, rreth 45 vëllime deri më sot, është një përvojë e mirë letrare, gjuhësore dhe shkencore, ku, mbase, duhet të adresohen hartuesit e teksteve shkollorë, pasi, stili tërheqës, natyrshmëria, imagjinata e bukur dhe mbresëlënëse, jo vetëm ka karakter edukues e argëtues, por edhe i pajis lexuesit me njohuri dhe dije të thella për jetën, kulturën dhe shkecat, ndërkohë që i frymëzon ata të jetojnë në mënyrë aktive dhe energjike të sotmen, por edhe përfytyrojnë në mënyrë krijuese dhe me optimizëm të ardhmen.
Duke e lexuar me kërshëri këtë libër simpatik dhe tërheqës, më duket origjinale dhe një befasi apo gjetje artistike përzgjedhja dhe futja në këtë roman e disa personazheve shpendë e kafshë si: papagalli Çate, qeni Lord, macja Konteshë me shtat kotelet, gjeli Akil, të cilët, duke u ndërthurur dhe harmonizuar bukur me veprimet dhe gjuhën e personazheve të tjerë kryesorë të librit, e mbajnë ndezur vëmendjen e lexuesit, ashtu dhe ndjenjat e tij përfytyruese, zgjimin e ëndrrave dhe pasioneve për ta jetuar jetën me tërë forcën dhe mundësitë që ofrojnë energjitë e jashtëzakonshme të trurit të tyre të freskët, aktivë dhe plotë gjallëri.
Shkrimtari me talentin e tij krijues ka aftësinë t`i lidh shkencërisht dhe artistikisht faktet, duke krijuar përpara lexuesit situata intriguese, tërheqëse dhe mësimdhënëse. Kur nënvizon arsyen se në planetin Mars duhet të shkoj edhe qeni me emrin Lord, ai e përqas atë me familjen dhe fisin e qenit Lajka, i cili, siç dihet botërisht, është dëshmori i parë i hapësirës kozmike. Ndërkaq, qeni me emrin Lordi, do ta çojë edhe më përpara misionin e nisur nga Lajka për të eskploruar hapësirën kozmike. Kështu, parshtrime origjinale dhe argëtuese për fëmijët, shkrimtari bën edhe kur thekson idenë e shkuarjes në planetin Mars të maces Konteshë dhe të shtatë koteleve të saj që kanë emrat e shtatë ditëve të javës, duke nënvizuar këtu aftësinë që kanë macet të nuhasin dhe të zbulojnë lëkundjet e tokës: tërmetet dhe vullkanet; kurse kur shfaq mendimin për të shkuar në Mars, së bashku me ekspeditën, edhe të gjelit Akil, shkrimtari me humor shkruan se Akili është i nevojshëm për astronautët gjumashë, që t`i zgjojë ata nga gjumi marsian, veçanërisht kur mund të ndodh që në planetin Mars ora të mos punojë…Madje, shkuarjen e gjelit Akil në Mars, shkrimtari e bënë edhe më të domsodoshëm pasi këtij gjeli luftarak i krijohet mundësia që të bëjë edhe një vizitë në një planet të vogël që ka emrin Akil…Këto propozime i bënë veçanërisht papagalli Çate, i cili është ndër personazhet kryesor të librit dhe shoqërohet me shumë episode që kanë edhe karakter informues për shpendët dhe racën e papagajëve, por edhe që e shkrijnë së qeshuri lexuesin e vogël, i cili e simpatizon papagallin Çate edhe sepse ai ka aftësinë të artikulojë fjalë dhe shprehje ashtu dhe njerëzit. Por, autori me të drejtën e tij krijuese (sepse në librat fantastikë për fëmijë, edhe shpendët dhe kafshët flasin dhe kumtojnë mendime), pra duke i dhënë papgallit Çate aftësinë e të folurit dhe, akoma më tej atë të të menduarit, autori e vendos papagallin e ditur në rrafshin e personazheve të tjerë, që do të jenë pjesëmarrës aktivë në ekspeditën shkencore të Bubulinos për të shkuar bashkërisht në planetin Mars.
Jo pa qëllim ndër personazhet e spikatur të kafshëve janë dhe ariu i bardhë (Vetëtima Polare) dhe Pinguini(Zotëria me Kostum Bardhë e Zi), të cilët autori i ka vendosur në libër si për të na paralajmëruar se shkrirja e akujve në të dy polet e rruzullit tokësor, është një fatkeqësi e madhe dhe e jashtëzakonshme, e cila ka të bëjë me fatet, të ardhmen dhe jetesën e planetit tonë e të shoqërisë njerëzore. Mesazhi, aq sa u shkon të rriturve, u shkon edhe fëmijëve dhe brezit të ri, të cilëve u përket kjo e ardhme dhe për të cilën ata duhet të tregohen aktivë dhe energjikë për të ndihmuar në shpëtimin e planetit nga ngrohja globale ashtu siç lufton dhe është aktiv Bubulinoja dhe ekspedita e tij shkencore.
Janë tërheqëse edhe pyetjet dhe përgjigjet që bëhen në konferencë, dialogët plot batuta të kripura mes personazheve që shkaktojnë gëzim, humor dhe të qeshura të shëndetshme e argëtuese pa të cilat nuk mund të kuptohet jeta plot gjallëri e fëmijëve. Në këtë kontekst dëshiroj të sjellë në vëmendje të lexuesve konsideratën e Prof. Dr. Akademik Gjovalin Shkurtaj, i cili në librin “Pesha e fjalës shqipe”(“Ufo Press,Tiranë 2009, fq. 278, ndër të tjera shprehet: “Befasia më e këndshme e lexuesit në librat e Viron Konës është dialogu midis personazheve. Aty ai është mjeshtër i vërtetë. Librat “Dardi” dhe “Eh, more Bubulino” më kanë shërbyer si minierë e pasur për të gjetur dialogë të përshtatshëm për shembullzimin e shumë prej kategorive gramatikore që është e nevojshme të shpjegohen për mësimin e shqipes së folur nga të huajt dhe nga të gjithë ata që mëtojnë përdorimin e saktë dhe të drejtë të formave dialoguese në shqipen e sotme.
Idetë dhe mesazhet që përcjellë libri “Në telashe të mëdha je futur, o Bubulino!” janë aktuale dhe me vlera edukative e të perspektivës, aty vlon dhe gjallëron dëshira e kahëhershme e njerëzimit, nisur nga lashtësia dhe deri në ditët e sotme, për të njohur piksëpari me themel rruzullin tonë tokësor ose “Shtëpinë e njerëzimit”, siç i pëlqen të shprehet Viron Kona, por dhe për të njohur mjediset dhe hapësirat e pafundme kozmike. Libri ka një hyrje mbresëlënëse të fizikanit dhe pedagogut të njohur Bujar Poçari, si dhe recensa dhe konsulenca nga njerëz të dijes dhe të arsimit: Sokol Demaku, Petrit Malushi dhe Bashkim Saliasi. Botues i librit është “Emal”.