Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja shqiptare Irma Kurti prezanton dy librat e saj në Zvicër

                     

 

 

  •  Poetja shqiptare Irma Kurti është ftuar në Zvicër për të prezantuar librat e saj “Njeriu që fliste me pemët” dhe “Il sole ha emigrato”. Do të inagurohet gjithashtu ekspozita fotografike e Sevdail Sulejmanit.

 

Poetja dhe shkrimtarja e njohur Irma Kurti është e ftuar në Zurich të Zvicrës për të prezantuar librat “Njeriu që fliste me pemët” dhe “Il sole ha emigrato” (Dielli ka perënduar). Në mbrëmjen kulturore që do të organizohet në datën 28 shtator do të inagurohet gjithashtu edhe ekspozita e fotografit Sevdail Sulejmani. Moderatore e takimit do të jetë gazetarja e RTK 1, Vera Pelaj.

Me kërkesën e komunitetit shqiptar në Zvicër, autorja do të jetë e pranishme për të ndarë mbresat dhe emocionet e veprave të saj.  “Jam e gëzuar – shprehet Irma, – që romani ‘Njeriu që fliste me pemët’, i botuar në gjuhën italiane me titullin ‘In assenza di parole’(Në mungesë të fjalëve) vazhdon udhëtimin e tij. Përveç prezantimeve të shumta në Itali si dhe në Spanjë, në Barcelonë, vitin e kaluar në 2018,  me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, libri do  të ndalet tashmë në Zvicër. Në faqet  e tij është e shkruar historia e tim eti, mjekut Hasan Kurti, e bazuar plotësisht mbi ditarin që ai më besoi pak ditë përpara se të sëmurej rëndë.”

Fotografi Sevdail Sulejmani, në Zvicër që prej vitit 1988, sjell në ekspozitën e tij të parë foto nga bukuritë e vendit ku jeton si dhe nga udhëtimet e shumta nëpër botë. Dëshira dhe pasioni për të fotografuar e kanë shoqëruar gjithë kohën, por duket se Zvicra, e ka inkurajuar në mënyrë të veçantë.

“Shkas për hapjen e ekspozitës u bënë shokët e mi –  tregon Sevdaili, – së pari, kolegët e punës, po dhe miq e dashamirës të tjerë, që i kanë vlerësuar fotografitë”.

Mbrëmja kulturore e këtij fundshtatori do t’u përcjellë lexuesve emocionin dhe dashurinë për të bukurën.

Please follow and like us: