Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria mike feston 70-vjetorin e Republikës Popullore të Kinës

Eda Merepeza

70 vjetori i themelimit të Republikës Popullore të Kinës u festua mbrëmjen e së martës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë me një pritje zyrtare, të organizuar nga Ambasada kineze.Në prani të presidetit shqiptar Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, kryetarit të Grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kinë Bashkim Fino dhe personaliteteve të tjera të larta të jetës politike, ekonomike e kulturore shqiptare, por dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik në Tiranë, miqve të Kinës dhe kinezëve që punojnë e jetojnë në “vendin e shqiponjave”, ambasadori Zhou Ding pas mirëseardhjes shprehu solidaritetin ndaj shqiptarëve që pak ditë më parë u prekën nga një tërmet i fortë.

Populli kinez dhe Ambasada kineze do të qëndrojnë gjithmonë pranë jush dhe jemi të gatshëm të japim ndihmën tonë, tha ambasadori Zhou Ding.

Pasi nënvizoi se “Viti 2019 është i veçantë për Kinën, ai shtoi se ” 7 dekada pas lindjes së Republikës Popullorë të Kinës ajo ka kontribuar në më shumë se 30 për qind të rritjes globale. Ambasadori nënvizoi se Kina ka ndërtuar rrjetin më të madh të sigurisë sociale në botë, ka reduktuar popullsinë e varfër nga 770 milion banorë në më pak se 20 milion. Kina ka ndërtuar rrjetin më të madh të komunikacionit celular në botë si dhe sistemin më të madh hekurudhor të shpejtësisë së lartë.

Më tej ambasadori kinez shtoi se në 15 vitet e ardhshëm importi i mallrave dhe shërbimeve të Kinës pritet të tejkalojë 30 trilionë dhe 10 trilionë USD përkatësisht, të cilat paraqesin mundësi shumë të mëdha për Shqipërinë, Europën dhe mbarë botën.

Ambasadori Zhou Ding garantoi mbështetjen e Kinës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe vlerësoi se në kuadër të nismës “Një brez një rrugë” dhe Mekanizmit të Bashkëpunimit “17+1″ dy vendet kanë thelluar besimin reciprok politik, shkëmbimet dhe bashkëpunimin me dy drejtime në tregti, arsim, turizëm dhe burime njerëzore.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta duke iu përgjigjur interesimit të mediave shqiptare dhe kineze në ceremoni vlerësoi shkëmbimet shqiptaro-kineze gjatë 70 viteve të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe.

Ai tha se ” Është kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë festë të rëndësishme, që ka të bëjë jo vetëm me 70 vjetorin e Kinës, por dhe 70 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës . Mbi të gjitha jam i lumtur dhe krenar mbi të gjitha për rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur në të kaluarën që Kina të ketë vendin që meriton në OKB. Jemi shumë të kënaqur për nivelin e marrëdhënieve aktuale midis dy vendeve tona,ashtu si mund të nënvizoj se për të paktën dy dekada marrëdhëniet midis dy vendeve dhe dy popujve kanë qenë të shkëlqyera dhe Kina ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin, modernizimin, industrializimin e Shqipërisë në atë periudhë. Jemi të lumtur që pas një periudhe stanjacioni, jo për faj të Kinës marrëdhëniet tona përsëri i janë rikthyer kësaj tradite mjaft pozitive të marrëdhënieve miqësore dhe mjaft të hapura e të dobishme për të dy vendet dhe popujt tanë. Jam i bindur se perspektiva e marrëdhënieve është në të gjitha fushat dhe jo vetëm në fushën e tregtisë, por dhe të investimeve në sektorë të ndryshëm.

Ndërsa lidhur me progresin e Republikës Popullore të Kinës në 70 vjetorin e saj, kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta vuri në dukje se: ” Progresi i Kinës është i paimagjinueshëm në raport me atë që Kina ka qenë në të kaluarën dhe mendoj se progresi është i tillë sepse Kina nuk e harron të kaluarën dhe di të çmojë dhe të mbrojë çdo arritje të saj. Pozicioni i Kinës sot është krejt tjetër në nivel botëror në të gjitha planet dhe ne jemi të gëzuar për arritjet dhe sukseset e Kinës dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë ngushtë dhe të përfitojmë sa më shumë nga gjithë ky zhvillim dhe progres i Kinës.”

I pyetur për rolin dhe kontributin e Kinës në zhvillimet aktuale globale, presidenti Meta tha se “Roli i Kinës ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e më i rëndësishëm në nivel botëror. Në këtë drejtim vlerësoj përkrahjen që Kina i jep Shqipërisë, por dhe mbështetjen ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Ceremonia vijoi me një koncert të instrumentistëve shqiptarë dhe kinezë në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, të zbukuruar me fenerë të kuq dhe motive artistike kineze.

Siç mësohet nga skulptori i njohur shqiptar Muntaz Dhrami, të cilin e përshëndeti në fjalën e tij ambasadori Zhou Ding, këtë vit Ambasada e Kinës në Tiranë do të sponsorizojë publikimin e pikturave të krijuara 52 vjet më parë nga skulptori shqiptar Muntaz Dhrami në Pekin, në përvjetorin e 18 të të themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

Tashmë 83 vjeçar artisti Dhrami, plot emocion na rrëfeu se si gjatë qëndrimit njëmujor në Pekin bashkë me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare kishte realizuar 100 skica në pikturë kushtuar jetës së kinezëve. Tani ai po përgatit një ekspozitë me këto punime.

Shqipëria dhe shqiptarët zenë një vend të veçantë në rrugëtimin 70 vjeçar të Republikës Popullore të Kinës, vendin e mikut.

 

Please follow and like us: