Leksikografi dhe atdhetar i shquar, autor i disa fjalorëve shqip-suedisht
Fran Gjoka
Kushtuar leksikografit dhe atdhetarit të njohur shqiptar-suedez Sadulla Zendeli-Daja
Kisha dëgjuar shumë për leksikografin dhe atdhetarin e njohur Sadulla Zendeli-Daja me origjinë nga Sërmnova e Gostivarit dhe banues prej më se 53 vitesh në Suedi. Fillimisht më foli për të shkrimtari ynë i njohur Viron Kona, i cili i ka kushtuar S. Z. Dajës edhe një libër të vecantë, tashmë të njohur nga lexuesi, të titulluar “Ju dua më shumë se veten”! Shpreha edhe unë konsideratat e mia në atë libër dhe më pas erdhi casti që edhe ta takoja Dajën gjatë përurimit të librit kushtuar atij, por edhe në kohën e lirë kur ai vinte dhe vjen në Panairet e librit në Tiranë. E, meqë është rasti dëshiroj të them se ky lekikograf dhe atdhetar i shquar, ka ardhur në Panairet e librit në Tiranë sa herë që ato janë zhvilluar, që nga i pari e në vazhdim, vetëm një herë ka munguar kur iu deshtë kryente një operacion të vështirë zemre në Suedi.
Dëshiroj të bëj gjithashtu me dije lexuesin se Sadulla Zendeli Daja lindi në Sërmnovë të Gostivarit më 5 qershor 1935. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në Vrapisht të Gostivarit. Gjimnazin (dega e ekonomisë) e filloi në Gostivar dhe e vazhdoi në Strumicë – shkollë, profesionale për drejtor kooperative. Kreu, gjithashtu, edhe shkollën politike njëvjeçare në Shkup. Në vendlindje ka punuar drejtor kooperative dhe llogaritar financier në Sipërmarrjen e Hekurudhës, Shkup, dega në Gostivar. Si intelektual me ide përparimtare, Daja që herrët nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist në ish Jugosllavi. Aktiviteti i tij u bë halë në sy të regjimit të asaj periudhe famëkeqe rankoviçiane, i cili nisi ta përndjekë këtë atdhetar të shquar. Më 28 nëntor 1966 Sadulla Zendeli-Daja u detyrua të mërgojë në Suedi. Aty, ai gjeti besimin tek ëndrra e tij për arsim e kulturë, mbështetjen për lirinë e shumëkërkuar të bashkëkombësve të tij shqiptarë. Fillimisht kreu kursin paraprak të gjuhës suedeze e, në vazhdim, arriti të diplomohej për shkencat filozofike në Universitetin e njohur të Upsallës, njëri ndër universitetet e njohura të botës. Studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes, dega e Albanologjisë, duke pasur shef të katedrës albanologjike profesorin e shquar Thoma Kacori. Më pas kreu shkollën e lartë të bibliotekave në qytetin Boras dhe punoi shef i bibliotekave të shkollave në qytetin Nybro. Gjatë kësaj periudhe u angazhua për hapjen e shkollës shqipe dhe, që nga 5 marsi i vitit 1975 nisi të punojë arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës. Daja do të ishte ndër të parët mësues të gjuhës amtare në Skandinavi, në këtë vend me liri dhe demokraci si rrallë tjetër vend në botë. Ndoqi rrugën e mësuesisë, duke pasur si lajtmotiv në radhë të parë arsimimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të ardhur në Suedi për mbijetesë dhe për një jetë më të mirë. Daja hapi shkollën e parë shqipe edhe në Emmaboda me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës. Në komunën Nybro, përveç shkollës shqipe, me bashkatdhetarët formuan shoqatën e parë shqiptare me emrin “Ilirida”. Kuptimplotë është fakti se në ishullin Oland, ku Daja banon, ka hapur restorantin me emrin “Shqiponja”, në ballë të të cilit janë vendosur dukshëm dy flamuj: njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës. Shqiponja u qëndron të dyve mbi krye, shqiponja e lirisë.
Me veprimtarinë e gjerë atdhetare dhe krijuese Sadulla Zendeli Daja ka fituar respektin e mërgimtarëve shqiptarë në gadishullin skandinav. Ai nderohet dhe respektohet prej tyre edhe për mbështetjen dhe ndihmën e madhe vëllazërore e të pakursyer, ndërkohë që gojëtaria e tij e mençur dhe e zjarrtë mirëpritet në tubime të mërgimtarëve shqiptarë dhe mirëpritësve suedezë.
Sadulla Zendeli-Daja ka një krijimtari të pasur publicistike, letrare dhe artistike, ku spikat puna e madhe këmbëngulëse për hartimin e fjalorëve shqip – suedisht dhe suedisht – shqip. Nga kjo krijimtari e gjerë, përmend: Fjalori i parë suedisht-shqip,17000 fjalë (Suedi, 1994), Fjalori i dytë suedisht-shqip, 28.500 fjalë (Suedi 2004), Përkthimi i Fjalorit për fëmijë katërgjuhësh shqip-anglisht-italisht-suedisht nga autorja Meri Toçi(versioni shqip-suedisht nga Sdulla Zendeli-Daja) Toena 2011, Gramatika e gjuhës shqipe për klasën e parë deri në klasën e nëntë, Fletore pune: Gjuha jonë (që nga parashkollorët deri në klasën e tretë), Toena, Tiranë 1999, Përkthim në gjuhën suedeze i librit për fëmijë “Skënderbeu” të autorit Fatmir Toçi. Në vitin 2014, Sadulla Zendeli- Daja botoi Fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, vepër madhore për shkollën dhe bibliotekën, Botimet Toena, Tiranë 2014. Ky fjalor, është përuruar në Panairin e librit 2014 në Tiranë, në Gostivar, si dhe në qytetet Nybro dhe Malmo, të Suedisë. Fjalori me 35 mijë fjalë është përuruar edhe në Shqip[ëri, ndërkohë që S.Z.Daja një vit më parë ëpruroi edhe fjalorin e pestë suedisht – shqip me 10.000 fjalë,i cili është i pari i këtij lloji që ju jepet në dorë nxënësve të shkollës 9-vjeçare dhe të mesme që mësojnë në këtë gjuhë
Ka botuar gjithashtu librat:“Ditari i dhimbjeve”, Botimet Toena, Tiranë 2011, “Ditari i kujtimeve të paharruara”, Botimet Toena, Tiranë 2013 dhe Amanda Edit, Bukuresht 2013,librin “Gostivari në zemrën time”,Botimet Toena,Tiranë 2014 etj. Ndër shkrimet publicistike të botuara veçojmë: Katalogu i librave në gjuhën shqipe dhe gjuhëve tjera ballkanike në bibliotekat suedeze(nga viti 1948 deri më 1973), publikim intern Nr. 142 (Shkolla e Lartë Bibliotekare në Borås); Punimi me titull: Historia e shqiptarëve nga viti 600 p e deri më 1973, (publikim intern në bibliotekën e shkollës Åkrahäll Nybro 1975), ku spikatin: Vjeshta e përgjakur, Gurra e Shën Milit, Drejt Gostivarit, Tmerri i Vardarit, Ditë mortore për shqiptarët, etj. Shumica e këtyre shkrimeve janë botuar edhe në revistën “Besa”, ku Sadulla Zendeli-Daja ishte njëri prej redaktorëve të saj.
Jeta dhe veprimtari e Sadulla Zendeli-Dajës është plot ndodhi mbresëlënëse, të cilat kur i lexon apo i dëgjon, të mbeten aq thellë në kujtesë, saqë edhe të duash nuk i harron dot. Daja vendosi të jetonte në ishullin Ëland në detin Baltik. Një ishull i mrekullueshëm, ku të çon një ndër urat më të gjata në Evropë. E, pikërisht në këtë ishull, ku edhe mbreti i Suedisë ka rezidencën e tij verore, ku ndodhet një kështjellë madhështore e kohëve të vjetra, ku ngrihet monumenti simbol i Birgitës, në këtë ishull të Veriut të largët, Daja ngriti shtëpinë dhe “tempullin” e tij. Studioja e këtij tempulli, prodhon pareshtur literaturë shkencore dhe leksikografike, letrare dhe publicistike. Ai është një tempull i dijes dhe i kulturës, është tempull i dritës rrezatuese, tempull i atdhetarizmit dhe shqiptarizmit.
Rruga e jetës së Dajës, është e shkrirë e përgjithësuar me rrugën e qindra mijëra shqiptarëve në shekuj, në dekada e vite. Ai është shndërruar në simbol të qëndresës, të rezistencës, të betejave të vazhdueshme për jetë e liri. Ky njeri i urtë dhe paqësor, tërë jetën ka shpërndarë mes njerëzve ngrohtësi dhe dituri, ka dashur dhe ka respektuar më të mirën dhe më të dobishmen, ka treguar dhembshurinë e prindit për këdo, ka sakrifikuar përherë nga vetja, duke merituar vazhdimisht respektin dhe dashurinë e mijëra njerëzve.
Shpirt bukur dhe dritë përhapës, Sadulla Zendeli-Daja vazhdon të botojë pareshtur dhe me intensitet vepra mbresëlënëse me karakter atdhetarë, publicistikë e letrarë, duke i shërbyer të sotmes dhe të ardhmes.(Marrë me shkurtime nga shkrimi i V. Konës në pasthënien e librit të Sadulla Zendeli-Dajës: “Gostivari në zemrën time”).
Nga informacionet mediatike që vijnë tek ne thuhet shpesh, se “kur flet Daja, të tjerët heshtin”. Me impenjimin e tij shumëvjeçar, S.Z.Daja ka bërë të njohura në mënyrë publike dhe shkencërisht vlerat gjuhësore, historike e kulturore të kombit tonë të lashtë. Emri dhe vepra e këtij njeriu nderon atdhetarizmin shqiptar dhe kulturën tonë kombëtare.