Sazan Guri: Shkundjet e tokës dhe/ose tërmetet
Tërmetet janë lëkundje, që pëson korja tokësore, nga shkaqe të ndryshme, që ndodhin në brendësi të tokës dhe që tregojnë se, toka është një planet i gjallë, në zhvillim. Në disa vende të tokës, tërmetet janë më të shpeshtë dhe më të fuqishëm, kurse në vende të tjera, ato pothuajse nuk ndihen, nuk ndodhin, ose ndodhin shumë rrallë dhe me fuqi shumë të ulët. Sipas statistikave gjatë një viti, në tokë ndodhin përafërsisht 80,000 tërmete ose mesatarisht 9 tërmete në orë. Çdo tre ditë ndodh dhe një tërmet shkatërrues. Nga studimet është përcaktuar se, vende me sizmicitet të lartë janë vendet me zhvillim tektonik. Mund të themi se tërmetet janë si rezultat i fenomeneve të formimit të maleve. Shkaku kryesor është vendosja e ekuilibrit të brendshëm të tokës ose dhe lëvizja e pllakave, që bëjnë pjesë në ndërtimin e brendshëm të tokës. Tërmetet nuk kanë të bëjnë me fenomene të jashtme të tilla si, ndryshimet atmosferike, ngritjen e temperaturës, thatësirën, etj., pra, ato janë procese të brendshme, siç thamë më lart, që lidhen me fenomenet në thellësi të tokës. Vendi në thellësi të tokës, që shkaktohet tërmeti, quhet hipoqendra, ndërsa vendi që i korrespondon në sipërfaqen e tokës quhet epiqendra. Ka raste, kur valët e tërmetit përhapen vetëm 3-4 km, ndërsa në raste të tjera valët përhapen me qindra km, duke zënë sipërfaqe me miliona km2. Sa më thellë të jetë vatra e tërmetit (hipoqendra), aq më e madhe është sipërfaqja e përhapjes, d.m.th. tërmeti ndihet në distanca më të mëdha. Njësia matëse e tërmeteve quhet ballë. Në të kaluarën, ballët e tërmeteve llogariteshin në bazë të shkatërrimeve, që shkaktonte tërmeti. Shkalla Merkal ndahet në 12 ballë. Tërmetet me një ballë quhen mikrosizmike. Tërmetet e shkallës së pestë Merkal quhen sensibilizues. Këto tërmete ndihen nga njerëzit, që zakonisht janë brenda banesave dhe më pak nga njerëzit, që janë jashtë banesave. Këto lloj tërmetesh ndihen më shumë në katet e larta të banesave. Në vendin tonë, tërmetet kanë arritur zakonisht deri në shkallën Merkal 7-8 ballë, por nuk përjashtohen edhe tërmete të shkallëve më të mëdha. Tërmete të tilla, në kohët e vjetra kanë shkatërruar Durrësin dhe Apolloninë. Tërmetet me 7 ballë dhe më të fortë, zakonisht vijnë me një zhurmë, që shkaktojnë frikë. Këto tërmete janë shkatërruese, rrëzohen banesat e dobëta, plasariten muret e banesave, bien kambanat dhe mund të shkaktohen edhe viktima. Ka ende shumë dëshmitarë, që kanë ndodhur gjatë tërmeteve pothuajse të kësaj madhësie në qytetin e Fierit, të viteve 1959 dhe 1982 dhe tregojnë: fillimisht, u shkaktua një zhurmë oshëtuese, që nuk u kuptua se nga vinte dhe pas disa sekondash filloi të dridhej toka. Të ndodhur jashtë banesës në atë moment nuk mund të qëndroje në këmbë. U ulëm në tokë. Dëmet e shkaktuara nga tërmetet në banesat e qytetit dhe në të gjithë rrethin e Fierit ishin të konsiderueshme. Shtëpitë më të vjetra u shembën dhe shumë shtëpi të tjera dolën të pabanueshme, por fatmirësisht viktimat në njerëz kanë qenë të pakta. Përveç shkallës Merkal, për matjen e madhësisë së tërmeteve përdoren edhe shkallë të tjera. Më e përhapura, që aktualisht përdoret në të gjithë botën është shkalla Rihter. Shkalla Rihter bazohet në energjinë, që lëshojnë tërmetet dhe quhet shkallë absolute. Sipas kësaj shkalle, madhësia e tërmeteve ndahet në 9 ballë, ku tërmete shkatërruese dhe katastrofike janë tërmetet me 5 ballë dhe më lart. Energjia, që lind nga tërmetet është shumë e madhe. P.sh. energjia e lindur nga tërmeti në Pamirë të vitit 1911 është llogaritur në 4,1 x 1D24 erg. Kjo energji është e barabartë me punën e pandërprerë të një termocentrali elektrik të fuqisë 450,000 kW gjatë 325 viteve. Duhet thënë se tërmetet, që ndodhin në tokë (sferë) nuk ndihen në dete. Peshkatarët, që ishin duke peshkuar në det, kur në tokë ka ndodhur tërmet nuk e kanë ndjerë tërmetin dhe kur janë kthyer në tokë kanë gjetur shtëpitë e tyre të shkatërruara. Shqipëria është midis vendeve sizmike, dhe prandaj është e domosdoshme për ndërtimet, që bëhen në Shqipëri të merren masa antisizmike dhe popullata të ketë njohuri, si të mbrohet nga tërmetet dhe si të mbrojnë pasurinë e saj. Megjithëse Shqipëria është vend me sizmicitet të lartë, ky sizmicitet ndryshon nga rajoni në rajon dhe varet nga ndërtimi gjeologjik, si për ndodhjen e tërmeteve ashtu dhe për mundësinë e shkatërrimit. Për shkak të fazave orogjenetike, territori i Shqipërisë përshkruhet nga disa prishje tektonike të karakterit regjional dhe lokal, ku shumë nga këto prishje janë në aktivitet të vazhdueshëm. Qytetet dhe fshatrat, në kufi të këtyre prishjeve janë më të prekshme nga efekti i tërmeteve. Gjithashtu, rajone, ku në bazamentin e tyre kanë depozitime të reja janë më pak të sigurta se ato që kanë depozitime më të vjetra, si për shembull: depozitime gëlqerorë ose depozitime flishore. Po kështu rol luan dhe konfiguracioni gjeologjik dhe morfologjik. Për shembull, pjesa e ulët e qytetit të Tiranës është më e sigurt se pjesa kodrinore, vetë rajoni i Tiranës është më i sigurt sesa rajoni i Durrësit. Pra, tërmete me madhësi të njëjtë ballësh shkatërrojnë në mënyrë jo të barabartë në rajone të ndryshme, gjë që varet nga ndërtimi gjeologjik i bazamentit. Tërmetet janë më pak shkatërrues, kur bazamenti është prej shkëmbinjsh karbonatikë, nga gëlqerorët. Ndërtimi i banesave shumëkatëshe është i rrezikshëm, veçanërisht kur nuk zgjidhet bazamenti i përshtatshëm dhe kur nuk respektohen rregullat e ndërtimeve antisizmike. Kështu, ndërtimet në plazhet ranore duhet të jenë me kate të reduktuara, që nuk duhet të kalojnë të katër katet dhe të përdoren në konstruksionin e tyre, koeficientet antisizmikë të sigurisë. Po kështu, të rrezikshme janë dhe ndërtimet shumëkatëshe në kodrat pa stabilitet dhe me shkëmbinj të rinj në bazament. Kështu, ndryshe duhet të jenë masat e ndërtimit në qendër të Tiranës, nga ato në kodrat përreth. Një shembull konkret për këtë konkluzion janë të dhënat e tërmetit, që ndodhi para dy vjetësh në Athinë, (Greqi). Ndërtesat e ndërtuara në luginën e Atikës u dëmtuan pak ose pothuajse fare, kurse dëmet më të mëdha, deri në rrëzimin e banesave ndodhi në pjesën kodrinore të qytetit. Ndërtimet shumëkatëshe në plazhin e Durrësit janë gjithmonë të ekspozuara ndaj tërmeteve. Mania për të ndërtuar godina me shumë kate, veçanërisht në plazhet ranore, në pjesët kodrinore, me tokë të paqëndrueshme dhe në brigjet e lumenjve me tarraca të pakonsoliduara, jo vetëm që duhet të ndërpriten, por të rishikohet dhe konstruksioni i tyre, duke marrë masa e nevojshme përpara se sa të jetë vonë. Duhet theksuar se tërmetet kryesore kanë pasur goditjet e tyre. Zakonisht, vala goditëse kryesore është më e fuqishme se valët e pas-goditjeve. Dallimi i kësaj vale nga ana e stacioneve sizmologjike luan rol të madh për marrjen e masave mbrojtëse për popullatën. Pas-goditjet kryesore vazhdojnë deri në 30-40 ditë. Ato mund të rrëzojnë godinat, që me valën kryesore kanë pësuar dëme ose dhe mund të shkaktojnë dëme të tjera. Si përfundim, mund të themi që tërmetet kanë një fuqi shkatërruese shumë të madhe. Deri tani shkenca nuk ka arritur, me gjithë përpjekjet e mëdha në këtë drejtim, të përcaktojë kohën e ndodhjes së tërmeteve. Kjo kërkon, që për mbrojtjen e njerëzve në ndërtimet e godinave dhe të veprave të tjera duhet të aplikohen ligjet dhe rregullat antisizmike dhe të merren në konsideratë studimet e gjeologjisë inxhinierike.