Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Serbia më larg BE dhe ndikimi i saj mbi Kosovën

Në varrezat e ideve të pamenduara mirë evropiane shkoi edhe ajo për anëtarësimin e Serbisë në BE më 2025. Kosova pësoi dëmet më të mëdha anësore. Tash bëhet gati politika e re.

1.

Serbia nuk do të jetë anëtare e BE-së më 2025.

Ky është konstatim pothuajse konsensual i të gjithë ekspertëve që merren me procesin e zgjerimit të BE-së, qoftë në BE, qoftë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe, prapa këtij konstatimi fshihet fundi i një projekti politik dhe fillet e një tjetri. Projekti politik që përfundoi kishte si ide kulmore anëtarësimin e Serbisë në BE më 2025. Shpresa në disa vende të BE-së dhe në Komisionin Evropian ishte se duke e ofruar (jozyrtarisht) një datë anëtarësimi për Serbinë do të iniciohej apo shpejtohej (varësisht prej këndvështrimit) një proces dinamik reformues në Ballkanin Perëndimor që do të zgjidhte përnjëherësh, si me shkop magjik, disa probleme të hapura. Pra, deri më 2025 Serbia do të reformohej përbrenda e do të bëhej një shtet model demokratik, do të arrinte marrëveshje me Republikën e Kosovës, do të ndihmonte që të reformohej Bosnjë-Hercegovina në mënyrë që të bëhej shtet funksional, do të largohej nga boshti i ndikimit rus dhe kështu do të bëhej varka e parë në sistemin “fregata” të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Pas këtij anëtarësimi, së bashku me Malin e Zi, do të hapej shiriti i përshpejtuar anëtarësimi për të gjithë të tjerët, BH dhe Maqedoni, Shqipëri e Kosovë. Me këtë, shpresohej që Serbia të printe në transformim për të mirë, në vend të rolit prej prijësit në luftëra e shkatërrim gjatë zhbërjes së Jugosllavisë. Ky projekt politik dështoi. Serbia nuk është vend më demokratik sesa kur e mori udhëheqjen e Komisionit Evropian J.C. Juncker. Gjatë mandatit të tij nuk u arrit marrëveshja mes Serbisë e Kosovës (madje edhe u largua pak më tepër) dhe Serbia nuk ndihmoi reformimin e BH-së (përkundrazi, serbët e Bosnjës kanë politikë më bllokuese për BH-në se më parë). Dhe, për një efekt të madh finaleje ironike, në fund të mandatit të Komisionit Evropian Serbia do të nënshkruajë anëtarësimin në një bashkim tjetër ekonomik evropian, atë euro-aziatik, të prirë nga Rusia.

2.

Kosova ka pësuar dëmin më të madh kolateral (anësor) të politikës që Serbinë e sheh si “shtet pivotal” evropian. Prej pavarësisë e këtej nga Kosova është pritur që të prodhojë gatishmëri për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, një të atillë që nuk është saktësisht njohje, e madje së fundmi edhe një që nuk do të ishte saktësisht me territorin me të cilin u shpall pavarësia. Prej shpalljes së pavarësisë Hashim Thaçit dhe partnerëve të tij koalicionesh u është kërkuar, dhe ata kanë pranuar, që tërësia tokësore, sovraniteti dhe rendi kushtetues i vendit të bëhen kategori të negociueshme me Serbinë. Hashim Thaçi ka pranuar me Marrëveshjen e Brukselit që në Kosovë të instalohet autonomia territoriale e politike e serbëve e kur kjo nuk mjaftoi ka pranuar që të ofrojë një pjesë të territorit të Kosovës. Në këmbim për këtë qasje, prijësve, kryesuar nga Hashim Thaçi, iu premtua mospërzierje në aktivitete për kapje të shtetit dhe, rrjedhimisht, imunitet. Në vlerësimin gjeopolitik, Kosova e sunduar prej kriminelëve mund të jetë faktor stabiliteti nëse kriminelët janë të gatshëm për të negociuar me Serbinë, duke hequr dorë prej tërësisë tokësore dhe rendit kushtetues. Në këtë vlerësim gjeopolitik, forcat politike që nuk do të pajtoheshin me vënien në pyetje tërësinë tokësore, sovranitetin dhe rendin kushtetues do të ishin faktorë jostabiliteti, qoftë edhe po të ishin shembuj të politikanëve me duar të pastra. Këtë e demonstroi që herët Catherine Ashton, ish-shefja e diplomacisë evropiane, e cila më 2010, kur në Kosovë u shënua vjedhja industriale e votave, dërgoi një shkresë në të cilën theksi nuk ishte tek vjedhja e votave, por tek fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, diçka si “hajt zgjidhni atë punën me vota, por të hënën ju dua te tryeza ime për të filluar dialogun”. Kosova ka mundur të mësojë prej përvojës boshnjake. Këtë efekt dëmi kolateral ka kohë që e ndien Bosnjë-Hercegovina, një shtet jofunksional të cilit çdo herë që mendohet për reformim të sistemit i përkujtohet se Serbia është shtet garantues i Marrëveshjes së Daytonit, rrjedhimisht nuk mund të bëhet gjë pa të.

3.

Do qartësuar: ndonëse ka vdekur ideja se më 2025 Serbia mund të jetë shtet anëtar i BE-së (edhe për shkak të insistimit të presidentit francez, Macron, që të ndalet zgjerimi i BE-së deri sa të reformohet vetë BE-ja), nuk ka vdekur ideja e Serbisë si shtet pivotal. Nuk është numri i vogël i vendeve që beson, që, sikur Serbia të ndryshonte përnjëherë, i tërë regjioni do të ndryshonte. Dhe, këtë e di presidenti Vuçiq, i cili këtë njohuri e ka ngritur në akt balancimi politik: Serbia do të jetë pjesë e Bashkimit ekonomik euro-aziatik (lexo: në sistemin orbital rus) derisa apo nëse arrin të jetë pjesë e BE-së. Qeveria e re e Kosovës do të ballafaqohet sërish me kërkesën e shteteve të fuqishme perëndimore që t’u kthehet negociatave me Serbinë. Dhe, prapë do të kërkohet që kjo të bëhet nën ombrellën e BE-së, gjegjësisht shërbimit të jashtëm të Komisionit Evropian. Por, për dallim prej dy vjetëve të fundit, nuk do të ketë presion kohor të afateve të shpikura apo të dakorduara me afatet e integrimit të Serbisë në BE. Dhe, për dallim prej dy vjetëve të fundit, presionit kohor nuk do t’i shtohet edhe presioni i zgjidhjeve të shpejta, shkel e shko, i aksham pazareve për territore e njerëz. E, megjithatë, në momentin kur të fillojnë përpjekjet e para për të rifilluar negociatat, do të jepen edhe shenjat e para se në ç’drejtim do të shkojë. Njëra prej mundësive më reale është që ambicia më e madhe e Komisionit të ri Evropian është që thjesht të rifillojë një proces negociator, qoftë edhe aty ku kishte mbetur para disa vjetësh. Nëse është kështu, atëherë do të jetë vetëm blerje kohe dhe një lloj stërvitjeje për atë që pritet të ndodhë, një ide e re politike.

4.

Ideja për një qasje të re është duke u zhvilluar tashmë. Njëra pikë e kornizave të saj është se nuk vlen më ngarendja për vitin 2025 për Serbinë e me të edhe shndërrimin e Serbisë si një pol magnetik, që do të tërheqë regjionin drejt BE-së. Tjetra është se procesi i Brukselit nuk solli normalizim dhe se duhet diçka më ambicioze. Dhe një tjetër është se duhet të arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë edhe pa nxitjen pozitive të një anëtarësimi të shpejtë në BE, por për hir të nevojave të vetë shteteve dhe të regjionit. Dhe, kur të jemi te regjioni, kjo është njëra prej pikave thelbësore të kornizës së që mund të jetë në zhvillim e sipër: nëse vendet e Ballkanit Perëndimor duan të hyjnë në BE për shkak të katër lirive (lirisë së qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave), atëherë pse nuk munden që këto katër liri t’i përcaktojnë më herët në hapësirën ku jetojnë vetë? Qeveria e re e Kosovës, me supozimin e mirëbazuar apo mirëbesuar se do të jetë një Qeveri reformistësh, kundërshtarësh të kapjes së deritanishme të shtetit, ka gjasa të përballet me një politikë të re evropiane që mund të jetë duke u vizatuar që tani. Dhe mund t’i integrojë mendimet e veta që në fillim.

Please follow and like us: