Luan Rama: Konsulli Poujade për shqiptarët dhe suljotët
Ardhjen në konsullatën e Janinës në vitin 1842, Eugène Poujade e kishte një nga postet e para diplomatike. Ai ishte martuar me Maria Ghika (Gjika), të bijën e banit të famshëm rumun, princit Konstantin Gjika, të familjes së famshme Gjika, me origjinë shqiptare. Madje dhe kur vite më vonë, më 1859, botoi librin e tij me kujtime nga Janina, ai ia kushton vjehrit të tij Konstantinit (A son Altesse, le Grand Ban Prince, Constantin GHIKA, son gendre), i cili kishte vazhduar karrierën princore, i njohur në gjithë Rumaninë dhe Vllakinë. Ky prijës dhe vëlla me dy princa të tjerë, Alexandre II Ghika dhe Mihail Ghika, ishte “grand spatar”, pra një prijës i madh i ushtrisë, për të cilin flitet në shumë libra historikë.
Poujade ishte një njeri erudit të cilit i pëlqente shumë letërsia, çka do ta dëshmojë më vonë me botimin e dy librave të tij dhe studimeve të tjera historike, ku një rëndësi të veçantë i kushton jetës së përditëshme, koloritit popullor, ngjarjeve pikante dhe personazheve që kanë lënë gjurmë në histori. Janinës në librin e tij, edhe pse me lavdinë e humbur, ende i ka mbetur pak nga jeta e dikurshme kozmopolite. “… Reshid Mehmet Pasha ishte bërë serasqer dhe ishte nisur të luftonte në Greqi kundër Karaiskaqit. Atëherë vendosi t’ia lërë pashallëkun djalit të tij Eminit që ta aministronte. Por ai ishte veçse 15 vjeç dhe një djalë i pafajshëm. Në fakt, punët e qeverisjes i drejtonte Sulejman bej Konica.
Reshidi ishte bërë vezir i Madh dhe guvernatori i Përgjithshëm i gjithë Rumelisë. Por kur erdhi njëherë në Janinë, pikasi se një ndikim shumë të madh mbi birin e tij kishte një aga i Moresë, i cili po i mësonte vese jo të mira. Atëherë, në sytë e djalit, ai urdhëroi që t’ia sillnin again dhe ia preu kokën menjëherë. Një herë tjetër Reshid Pasha, donte ta hiqte qafe Ismail Beun e Vlorës, një feudal të fuqishëm shqiptar. Por Ismaili ruhej mirë dhe dinte të mbrohej. Reshidi e ftoi të vinte në sarajet e tij në Janinë. Ismaili erdhi me trimat e tij shqiptarë. Veziri i Madh e uli pranë divanit, e përqafoi dhe thirri të birin, duke i dhuruar një Kuran të bukur. Kur Ismaili kërkoi leje të largohej, trimave të tij u dhanë qese me florinj. Të nesërmen, Ismaili erdhi të ndahej me Vezirin e Madh. Kur ai ngjiti shkallët, siç ishte zakoni, dy njerëz të vezirit e morrën nga krahët për ta çuar lart. Por duke u ngjitur, një arap i futi thikën. Trimat e tij deshën të mbrohen, por u qëlluan me armë në oborr…”
Lidhur me shqiptarët, mes të cilëve jetoi për disa vite, konsulli Eugène Poujade do të theksonte se «shqiptarët e Çamërisë janë konvertuar shpesh në fenë muslimane vetëm që të mos paguajnë haraç. Në familjet e tyre gjen fëmijë me emrat Mehmet dhe Abdullah, bij të Konstantinit apo të Dhimitrit…» Dhe më tutje ai shkruan: «Ajo çka është e famshme është se ata janë virtuozë në përdorimin e armëve. Madje arrijnë ta qëllojnë një mollë apo një vezë të vendosur në kokën e nënës së tyre apo të gruas, me një të qëlluar 200 hapa larg.” Më pas, mes të tjerave ai shkruan: “… Familja më e vjetër e Filatit dhe gjithashtu më e fuqishmja është ajo e Dematëve, (Demi), e cila tashmë ka në krye Xhafer aga Demin dhe vëllain e tij Abdyl aga. Ata nuk kanë shumë të ardhura, por influenca e tyre është tepër e madhe. Në rradhët e tyre kanë luftëtarë të sprovuar.
Xhafer Aga është një figurë e spikatur me një fisnikëri që dallohet në atë vend. Tani ai është në Stamboll ku Divani po e mban me premtime që e joshin ambicjen e tij, por qëllimi i tyre është ta mbajnë larg nga zona e tij e influencës. Në Filat, Dematët kanë lidhje me familje të mëdha e të vjetra që drejtohen nga prijësit e tyre. Familja e Sejkatëve, Sejko, që është në krye të 7-8 familje të tjera, është e dyta e provincës. Kjo familje është më e pasur se ajo e Dematëve, por nuk e kanë influencën e tyre. Pronat e mëdha që kanë nuk u kanë mundësuar një zhvillim të madh, përveç trashëgimisë së tyre të vjetër. Këto vite të fundit një prijës i ri është shfaqur në Lopës: Ahmet Dino, i cili ka blerë apo uzurpuar gjithë provincën e Liamarës ku kanë shumë tufa bagëtish. Ai ka ikur nga Filati për tu larguar nga Dematët, të cilët janë më të fortë se ata, dhe tani familja Dino jeton në Lopës.
Të krishterët e kanë frikë, meqë ai është i rrethuar nga njerëz të armatosur. Terrori që ushtron, e përjeton dhe ai, por nga ana e Dematëve. Fshatrat e mëdha muslimane të kësaj province janë Konispoli, Lopësi, Pantika, Filati dhe Calliaki. Fshatrat e tjera janë më të vogla. Të parat, kanë shumë toka, por të pakultivuara, edhe pse janë të pasur me bagëti. Provinca e Filatit laget nga Adriatiku dhe nga malet që vështrojnë nga deti, nga ku dallohet Korfuzi. Për një orë je në ishull… Portokallet dhe ullishtat i zbukurojnë dhe i bëjnë të pasura ato toka, që udhëtari i pikëtakon kur kalon në këmbë të atyre maleve duke u futur thellë provincës. Por qytetërimit kristian i janë dashur shekuj në këtë zone midis ish Korkyrës dhe Shqipërisë. Fshatrat e krishtera janë më të shumta, por vetëm katër janë të lira.
Gjithë të tjerat janë vendosur nëpër male dhe u përkasin zotërinjve muslimanë që prodhojnë pak drithëra dhe ku popullsia është e varfër. Familja kryesore e provincës së Margaritit është ajo e Çaparëve, të cilët janë të varfër, me shumë lakmi, dhe që kanë vuajtur gjatë persekutimeve të bëra nga Ali Pasha. Hasan Çapari, prijësi i kësaj familje u mbajt në burg deri në vitin 1821, në një ishull të Janinës ku pastaj u vra nga një gjyle topi e lëshuar nga ushtria turke. Tashmë kjo familje drejtohet nga Tahir Çapari, Meli Çapari dhe tre-katër familje të së njëjtës degë. Isa Hupo me dy nipat e tij, Zaim dhe Asein aga janë të pasur, të ndershëm e paqësorë dhe me një humor spikatës.
Të persekutuar prej shumë kohësh nga tirani i Janinës, pas vdekjes së tij ata mundën të vinin dhe të jetonin ndershmërisht. Në fshatin Grava pranë Gumenicës janë vëllezërit Xhafa, Meleq dhe Mere. Eshtë një familje e vjetër dhe e ndershme, por e varfër. Të gjitha fshatrat e Margaritit janë të pasura me fruta, të cilat i tranportojnë përmes detit. Banorët e Fanarit janë të krishterë. Ky distrikt është në kufi me Prevezën dhe prodhon shumë oriz dhe misër. Po të ishin të kultivuara të gjitha tokat e Margaritit ato do të ishin edhe më fitimprurëse se tokat pjellore të Artës. Prijësit më të mëdhenj e të vjetër të Paramithisë janë ato të Islam aga Pronjos. Sot janë fëmijët e tij Neço e Melisi si dhe kushëriri i tyre Veli. Ata kanë epërsinë bashkë me 5-6 shtëpi të tjera të së njëjtës degë familjare. Në Paramithi është dhe familja e Tabir Bakos, por ajo është nje familje e varfër. Prijësi i tyre ishte favorit pranë Ali Pashës, i cili e përdori kundër Islam Pronjos.
Pas vrasjes së Ali Pashës, Islami e vrau Bakon, por pastaj ai u lidh me pashain e Shkodrës, Mustafain, në luftë kundër sulltan Mahmudit dhe u përndoq pastaj nga Reshid Pasha. Atëherë Islami u strehua në Korfuz. Atje u sëmur dhe meqë nuk donte të vdiste në një tokë të krishterë, shkoi në Gumenicë dhe vdiq aty. Hasan Tuli dhe vëllezërit e tij janë bashkuar dhe bërë aleatë me familjen Bako dhe kanë frikë nga Pronjot dhe ja pse nuk banojnë në Paramithi. Mosbesimi, frika dhe vrasja janë të zakonshme tek të gjithë prijësat shqiptarë. Qyteza e Paramithisë është e vogël. Shumica e shtëpive janë muslimane. Ato të Gardhiqit dhe të Karbunarës janë më të mëdha dhe banohen nga banorë që e kanë zakon plaçkitjen. Në male, shumica e banorëve janë të krishterë dhe e përdorin mirë pushkën. Vendi është i shkretë. Nuk kanë bagëti. Një orë larg nga Paramithia ka një liqen të gjerë që Ali Pasha e thau për të mbjellë misrin. Dhe nga kjo pati të ardhura të mëdha. Pas vdekjes së tij këtë pronë e mori qeveria turke si dhe pronat e tjera, por indiferenca solli që ajo tokë të japë më pak të ardhura.
Çamëria ka veçse agallarë dhe jo bejlerë, pasi asnjëherë nuk ka patur pashallarë, por as pasuria, fuqia, dhe fisnikëria nuk janë të pakta atje. Këta agallarë kanë patur marrëdhënie të vazhdueshme me qeveritë e ndryshme të ishujve jonianë. Venecianët i ndihmuan në luftën kundër pashallarëve në Shqipëri. Gjatë pushtimit të shtatë ishujve nga francezët, çamët ishin pro Francës. Tregëtia e tyre në atë kohë lulëzonte dhe prijësat çamë mund të vinin të armatosur në Korfuz. Sot ata e quajnë për turp të dorëzojnë armët kur vijnë në tokat e shtatë ishujve jonianë. Të mësuar nga sulmet e papritura në tokat e tyre gjysmë të pazhvilluara, shpirti i tyre e ka të vështirë të mësohet me një shoqëri ku autoritetet ngarkohen për sigurinë e të gjithëve, duke kufizuar disi lirinë.
Jeta e konsullit në një qytet ku mbizotëronte frika e qytetarëve ndaj pashait ishte e vështirë dhe herë-herë dramatike, ngjarje që konsulli do t’i kujtojë në librin me mbresat e tij nga koha kur ishte konsull. “Një skllave e krishterë, e cila ishte rrëmbyer që në fëmijërinë e saj nga familja e saj greke më kërkoi një ditë nëse mund të gjente mbrojtje nën flamurin francez po qe se arrinte t’i shpëtonte pronarit të saj. I premtova se do ta mbroja dhe do ta dërgoja pastaj pranë familjes së saj. Por ajo nuk arriti dot ta realizojë arratisjen e saj. Shpesh, kur kalonte me zonjën e saj para konsullatës, nga njëra prej dritareve shikoja se i mbante sytë ngulur nga porta. Përtej asaj porte ishte liria, atdheu i saj, lumturia, por ajo duhej të arrinte ta bënte vetë këtë, pasi unë mund ta mbroja veçse në këtë mënyrë, ndryshe mund të cilësohej si grabitje… Një ditë tjetër, një dyqanxhi mu përul para këmbëve dhe mu lut ta ndhmoja që biri i tij ti kthehej në shtëpi. Kishte një fëmijë 8 vjeçar që komandanti i një batalioni turk ia kishte rrëmbyer në mes të ditës. Fëmijën e kishte bërë synet, e kishte veshur «allaturka», duke e trajtuar si fëmijën e vet. Duke u bërë një fëmi i pasur, veshur bukur dhe plot dhurata, ai nuk i dëgjonte më lutjet e të atit, i cili s’mund ti afrohej. Me sytë plot lot ky baba e shikonte me dhëmshuri birin e tij të shëtiste në qytet me komandantin e batalionit turk. Dhimbja e të krishterit ishte mishëruese. Vinte gjithnjë në portën time dhe më lutej. I kërkova me forcë pashait që ta zgjidhte këtë çështje, por ai mu përgjigj se fëmija ishte bërë synet, se rrëmbimi ishte bërë gjatë muajit të Ramazanit dhe se gjatë atij muaji duheshin toleruar ndjenjat fetare të turqve. Atëherë i shkrova menjëherë Stambollit, por ishte e kotë. Vendosa dhe i thashë atij burri: “Nëse arrin ta rrëmbesh fëmijën tënd dhe ta sjellësh tek unë në konsullatë, të premtoj që s’do ta marrin më kurrë atë”. Por komandanti turk pas pak e la Janinën bashkë me fëmijën dhe unë i thashë të atit ta ndiqte atë deri në Stamboll… Pak qytete të Orientit ofrojnë aq shumë interes se sa Janina për dikë që do të studjojë popullin turk, shqiptar, grek apo hebre. Tuqit janë zotër të vërtetë të qytetit. Që nga fillimet e pushtimit të tij, rrëmbimi i grave greke ka ndihmuar në themelimin e familjeve të mëdha muslimane. Ata janë të vendosur në kështjellë, ku vetëm hebrejtë kanë të drejtë të banojnë me ata. Shqiptarët nuk qëndrojnë për të jetuar në qytet, por vijnë aty për punët e tyre dhe për qef. Ardhja e tyre nuk është gjë e këndshme për banorët, pasi lluksi dhe pasuria, krahasuar me mjerimin e fshatrave të tyre, i nxisin ti grabisin turqit dhe hebrejtë, si dhe të krishterët. Hebrejtë qëndrojnë të mbyllur me muslimanët në kështjellë ku asnjë ortodoks nuk ka të drejtë të banojë aty… Hebrejtë e perandorisë osmane nuk e shohin me sy të mirë zëvendësimin e një qeverie turke me të krishterë pasi kanë frikë nga përndjekjet e të krishterëve… Divorcet këtu janë të shpeshta dhe për ti bërë më të vështira, qeveria e shtrëngon burrin ta marrë përsëri gruan e përzënë. Gratë muslimane të Janinës janë shumë të bukura dhe shamia e hollë mbi kokë i bën ato akoma më shumë duke shtuar misterin rreth tyre. Brenda shtëpisë, zonjat greke veshin kostumin elegant çam apo të Shqipërisë së jugut që qepin aq bukur rrobaqepësit e Janinës. Fustani prej mëndafshi është i shtrënguar rreth trupit me një copë kashmiri punuar me shumë finesë. Shalli zëvendëson korsenë pa e shtrënguar fort trupin dhe ku gjinjtë nuk i humbin hiret e tyre dhe voluptetin, çka të bën të imagjinosh. Ato kanë dhe një pelerinë prej cohe pambuku në ngjyrë të hapët dhe qëndisur jashtëzakonisht bukur me kllapodan mëndafshi me një ngjyrë më të errët se pelerina, çka plotëson kështu kostumin e tyre. Kanë flokë të dendur gështenjë, shpesh bjonde, që kapen me një fjongo të kuqe. Në këmbë mbajnë pantofla. Këto krijesa të mrekullueshme i respektojnë europianët, çka sjellin admirimin e tyre. Me pjatanca ato u ofrojnë fruta dhe akullore të hijshme. Nganjëherë dhe vetë ato ndezin cigarishten… Shumë turq me emër kishin gra të krishtera dhe nëna e njërës prej tyre erdhi njëherë në konsullatë dhe mu lut që e bija të arratisej dhe unë ta ndihmoja të mërgonte duke e hipur në ndonjë anije që shkonte drejt ishujve jonianë. Por refuzova menjëherë…
Pak kohë para se të mbërrija në Janinë, pikasa se turqit i keqtrajtonin shumë të krishterët duke treguar supremacinë e tyre fetare. Një efendi i pasur i qytetit kishte në shërbim të tij një grek të quajtur Jorgo, i cili e shoqëronte sa herë ai shëtiste apo shkonte në xhami. Kështu, si rregull, ai duhej ti jepte cigarishten apo qilimin e vogël për tu lutur. Jorgo hynte në oborrin e brendshëm dhe priste tek shkallët, ose nën një rrap, që zotëria e tij të mbaronte lutjet. Asnjëherë nuk kishte hyrë brenda në sallën e lutjeve, pasi kjo u ndalohej të krishterëve. Zotëria e thërriste shpesh me emrin Mustafa. Një herë i tha të hynte brenda, por Jorgo refuzoi. Ai i tha se duke hyrë deri në oborr tani duhej ti bindej.
Këmbëngulja e efendiut dhe refuzimi i tij jo i fortë shkaktuan një ngjarje të veçantë në popull. Të gjithë muslimanëve u dukej se ai kishte fyer fenë e tyre. Thonin tashmë se islami ishte cënuar. Atëherë filluan ta shajnë Jorgon dhe e futën në burg nga ku doli veç për të provuar tortura që i duroi me forcën e një martiri, duke deklaruar para asaj turme gjithnjë e më të frikshme se asnjëherë nuk kishte qenë musliman dhe se do të vdiste si i krishterë. Më së fundi e varën. Vdekja ishte një shpëtim për të. Mustafa Pasha, i cili atëherë ishte guvernatori i Përgjithshëm i Shqipërisë dhe Epirit, bëri veshin e shurdhët nga lutjet që i bënin të krishterët. Ai nuk ishte mizor dhe nuk kishte interes për paratë që i ofronin për jetën e një të mjeri grek, por nuk pati kurajo tu rezistojë kërkesave të kastës së tij. Kur Jorgo vdiq, gruaja e martirit, që e kishte mbështetur në luftën kundër xhelatëve të tij, deklaroi se fëmijët i kishte bastardë, në mënyrë që ti largonte nga islami. Ajo parapëlqeu të bënte atë me turp që të ruante fenë e krishterë për fëmijët. Martirizimi i Jorgos e ktheu atë në shenjt. Trup i tij i varur mbeti i paprishur. Pastaj e morën dhe e varrosën në një kishë metropolitane. Tashmë varri i tij është bërë një vend pelegrinazhi ku vijnë nga të gjitha anët e Turqisë. Kam parë nëna muslimane të sjellin fëmijët e tyre të sëmurë që ta prekin qivurin e shenjtit të rri duke i kërkuar ti shërojë…
Një nga kujtimet e tij interesante lidhet gjithashtu me figurën e Tafil Buzit, një prej kryengritësve të famshëm, bashkë me Zylyftar Podën gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX. “… Pas kryengritjeve, Tafili ishte arratisur në Kretë, tek Mustafa Pasha, dhe ai shqiptar, të mbrojtur njëkohësisht nga Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, aktualisht vezir i madh. Por më pas, Porta e Lartë i kishte kërkuar të mbidhte luftëtarë dhe të krijonte një trupë për ta çuar të luftonte në Mesopotami. Gjatë kohës që ishte në Janinë që të grumbullonte luftëtarë të shumtë, ai u sëmur rëndë, por një mjek italian atje e shpëtoi. Pashai dhe funksionarët e tjerë turq uronin që ai të vdiste dhe i lanë të kuptonte mjekut që ta linte të vdiste dhe se kështu do u bënte një shërbim të madh, por mjeku nuk pranoi. Sapo u shërua ai mblodhi ushtrinë e tij dhe bëri një hyrje solemne në Janinë në krye të 2.500 burrave të armatosur në oborrin e madh të sarajit. Tafili ishte mbi kale i rrethuar nga 12 palikarë në këmbë, me pushkët e tyre të gjata në sup dhe duart kush në shalën e kalit e kush tek frerët. Këndonin këngën e Tafilit që tregonte për bëmat e tij e ku të gjithë bashkë bënin refrenin: “Tafil beo, Tafil beo… Bej Tafil”! Para tij ecnin bufonët me flokët e tyre të gjata, zbukuruar me bishta dhelpre dhe çakalli. Disa ditë pas ardhjes time në Janinë ai më dërgoi fjalë që të takoheshim tek saraji i pashait dhe ku unë ti flisja pashait për kurajon dhe përkushtimin që kishte ndaj sulltanit. Pranova dhe kur ai erdhi para Osman pashës hoqi këpucët, por nuk u ul. Ishte një burrë shtatvogël dhe me sy jeshilë, me një hundë të gjatë dhe dhëmbë të mprehtë e të mëdhenj, çka jepte imazhin e një njeriu të zotë për të gjithë trimëritë dhe dhunat. E mbajta fjalën dhe i fola pashait për mikun tim të ri. Osman pasha dukej se më aprovonte në ato që thoja, duke shtuar se shqiptarët ishin më besnikët ndaj sulltanit. Kur Tafili shkoi, pashai më tha: – Çfarë banditi e hajduti. Ah, sikur të vritej atje larg nga kurdët!…
Megjithatë, Tafili për mua ishte një njeri interesant, pavarësisht nga thëniet e pashait. Ai vinte shpesh në konsullatë të kalonte ndonjë darkë apo të pinte çaj, duke më treguar historitë e tij. “Unë jam mësuar me jetën europiane, më tha ai një ditë kur e kisha në tavolinë. – Një herë kam qenë në Korfuz në shtëpinë e bukur të kontit Augustin Capodistria dhe di shumë mirë të ha me pirun”. Dhe duke thënë kështu, ai kapi një krah pule, i nguli pirunin dhe e futi në gojë… Marrëdhëniet e mia me bejlerët shqiptarë ishin të shpeshta dhe mes tyre isha mjaft popullor, madje kur vinin të takonin pashain, menjëherë ktheheshin tek unë të më bënin vizitë….”
Në Janinë konsulli Poujade u njoh dhe me dy bejlerë shqiptarë të qytetit, Naim bej dhe Fejzullah bej, siç shkruan ai në librin e tij “Të krishterë dhe turq”, të cilët ishin të fisnikërisë së Gjirokastrës, fermerë që kujdeseshin dhe për doganat e qytetit. “Ishin njerëz të butë, të zgjuar dhe të këndshëm në marrëdhëniet me të tjerët, – shkruan ai. – Shqiptarët kanë shumë simpati për europianët dhe për francezët në veçanti. Zakonet e tyre janë më të mira dhe të rregullta se të turqve; mbajnë vetëm një grua, nuk kanë skllave dhe nuk e njohin vesin e turqve (pederastinë)… Shqiptarët i shohin turqit me përbuzje dhe i quajnë “halldupë”, pra barbarë. Nuk është feja, por privilegjet që kanë nga turqit që i mban shqiptarët të lidhur me ta.
Në librin e tij me kujtime “Të krishterë dhe turq”, konsulli Eugène Poujade kujton një episod dramatik nga jeta e tij gjatë atyre viteve: kësaj rradhe me një nga kafazët e tij. «Kur erdha në fillim në Epir, këtu nuk e shikonin me sy të mirë influencën europiane e në veçanti atë të Francës. Në Orient, kudo që ishte flamuri francez, atë e shikonin si një flamur shprese, si një mbrojtje të mundëshme, ndërsa muslimanët e shikonin Francën si një vend që i survejonte, si një pengesë të tiranisë që ushtronin. Ja pse turqit tregoheshin armiqësorë. Nëpër rrugë, grate dhe fëmijët na qëllonin me gurë, të fshehur pas mureve apo dërrasave ndarëse të shtëpive. Në rrugët e Janinës na shanin me fjalë të ndyra. Kavasi im u binte dyerve me shkop dhe i përndiqte fëmijët, por nuk arrija të më respektonin. Nga gratë, ishin me shumë plakat dhe ato afrikane që më shanin. Por një rrethanë të paparashikuar më krijoi një konflikt që ndodhi dhe kjo më dha rastin që turqit të më shohin ndryshe. Një natë po kthehesha nga saraji, ku gjatë dy orëve diskutova me funksionarët turq. Po kthehesha bashkë me dy kavasët e mi. Ndryshe nga vendet e tjera të Orientit, njëri nga kavasët e mi ishte i krishterë. Sigurisht nuk ishte përzgjedhja ime, pasi unë e kisha gjetur në konsullatë dhe e kisha mbajtur. Ishte një palikar i vërtetë dhe jataganin e mbante me shumë krenari. Pasi dolëm nga rrugët gjithë kthesa të pazarit, duke zbritur nga kali pranë portës time, pikasa se Apostoli më mungonte. Pak çaste më vonë pashë që e sollën të plagosur dhe pa ndjenja. Ç’kishte ndodhur? Për një çast, gjatë rrugës, Apostoli ishte shkëputur për të blerë diçka në pazar. Muslimanët e qytetit dhe topçinjtë, me një mllef dhe urrejtje që e gjithë popullsia kishte për një «raja» që mbante armët dhe kishte zënë kështu vendin e një muslimani, e shanë, e provokuan, u hodhën mbi të, e plagosën rëndë dhe do e kishin masakruar nëse zëvendës konsulli i Anglisë nuk do hidhej me kurajo midis tyre për ta shpëtuar. Atëherë veprova menjëherë. Të nesërmen ngrita flamurin, u vesha me uniformën time dhe u nisa me kalë drejt e në sarajet. Gjithë qyteti ishte mbledhur të më shikonte dhe të dëgjonte pastaj rezultatin e bisedave të mia me guvernatorin e Përgjithshëm. I lajmëruar më parë, ai veshi menjëherë uniformën e tij dhe në divan mblodhi këshillin me Hasan Pashën, kryekontrollorin e Përgjithshëm të Financave; Demir Pashën, ish derebej dhe ish pasha i internuar në Janinë nga sulltan Mehmeti pas një revolte ku ishte shpartalluar. Ishte dhe komandanti i trupave të Janinës dhe një turmë funksionarësh e fisnikësh muslimanë që ishin rradhitur anash tyre. Nuk prita të më sillnin pipën e cigares dhe kafenë që të filloja bashkëbisedimin siç ishte zakoni. Kështu duke kapërcyer komplimentat që bëhen zakonisht në këto pritje, u tregova se çfarë kishte ndodhur. U fola për dëshmitarët dhe kërkova që të bëhej drejtësi dhe shëmbull për herë të tjera. Kërkova që fajtorët, të cilët u arrestuan menjëherë, të rriheshin me thupër para syve të mi dhe në oborrin e madh të sarajit. Debati ishte i gjatë dhe i lodhshëm. Në fillim ata nuk e pranuan kërkesën time. Atëherë i kërcënova se do ta ulja flamurin dhe do të ndërprisja çdo marrëdhënie me pashain, duke theksuar se do të nisesha drejt Konstantinopojës për ta kërkuar drejtësinë time. Por më së fundi ata e pranuan kërkesën që bëra. Dola në oborrin e sarajit, i hipa kalit dhe prita. Shefi i policisë erdhi dhe më tha se dënimi ishte zbatuar prapa sarajit. Por unë u thashë se dënimi duhej të bëhej para syve të mi dhe nën dritaren e pashait. Shefi i policisë më tha të prisja dhe shkoi të bisedojë me pashain. Më së fundi, me gjithë krenarinë e tyre muslimane, fajtorët i sollën para meje, i shtrinë në tokë me këmbët e kapura në një dërrasë të gjatë që mbahej nga dy njerëz. Ata që do të rrihnin fajtorët kishin në këmbët e tyre një tufë me thupra pa gjethe dhe rrahja filloi. Por që me thirrjet e para “aman!”, u tërhoqa. Kisha gjashtë orë që merrja e jepja me pashallarët e këshilltarët e tyre, por në fakt arrita një fitore të shkëlqyer. Kur u ktheva rrugës përmes qytetit, pikasa me kënaqësi mirënjohjen dhe respektin e të krishterëve, dhe ky respekt nuk u shkel më gjatë gjithë qëndrimit tim si konsull…
Në vitin 1852, Poujade kërkoi të bënte një vizitë dhe në malet e Sulit dhe për këtë i kërkoi mikut të tij Niko Zerva, nga familja suljote, që ta shoqëronte. Dhe një ditë, i shoqëruar nga ai dha kavasi i tij ata u nisën duke iu ngjitur maleve të larta. “E vizitova Sulin, atë teatër të heroizmit, i shoqëruar nga kapedani Zerva, një nga familjet e para të këtyre maleve, i cili në fëmijërinë e tij kishte parë luftën e dëshpëruar dhe thyerjen e atdheut të tij. Niko Zerva kishte marrë pjesë në një kryengritje në Greqi kundër qeverisë së mbretit Othon dhe me një grup suliotësh kishte kaluar në shërbim të pashait të Janinës, i cili i kishte besuar ruajtjen e shtigjeve dhe kufijve të Epirit nga kjo anë, në kufirin me Greqinë. Kapedani Zerva ishte vendosur në Kamarina, gjatë rrugës nga Preveza në Sul, në një kështjellë të vogël buzë një kodrine që krijonte një nga rrafshnaltat e fundit të Sulit. Një burim me ujë të ftohtë gurgullonte nga një grup pemësh të mëdha e shekullore, hijet e të cilave binin mbi tarracën nga ku syri të kapte gjithë peizazhin që shtrihej tutje. Që andej shikohej Saint-Maure, i cili shfaqej si një kurorë në ngjyrë indigo nga deti Jon e po kështu, tutje, dukej dhe Preveza e Salohora, të cilat lageshin nga ujrat e errta ngjyrë blu të gjirit të Artës. Sapo u ulëm në taracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë. Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ato flokë të gjata e të shpërndara në mënyrë të çrregullt: balli i rruar, këmisha e hapur nga ku u shfaqej qafa e gjoksi që nxehtësia e diellit i kishte rrahur fort, ashtu si dhe fytyrat e tyre ku lexohej një kërshëri e madhe, trimëri dhe një dinakëri që binte në sy. Ishin muslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo “skip”, dhe quheshin “skipëtares”. Agallarët u vendosën rreth nesh dhe vëzhgonin me një kureshtje fëminore e të vrazhdë armët e mia, hartat gjeografike që kisha, librat dhe nargjilenë time. Vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre. Në prani të vizitorëve të shumtë të ftuar aty, n’a sollën darkën dhe Zerva i trajtonte ata me dinjitet, çka e lehtësonte shërbimin e tij si një mikpritës që ishte. Askund në Orient, fisi i tij nuk ishte më i respektuar sesa në Shqipëri, ku njeriu vendas quhet “oxhak”, një metaforë e guximshme kjo siç ndodh në poezi. Si një ortodoks e kristian që ishte, Zerva ishte shumë i kënaqur të më tregonte për pozitën superiore ndaj një muslimani. Pas darke, kapedani më çoi të vizitoja në majë të kodrinës rrënojat e një qyteti antik, që të mund të admiroja modhështinë e habitshme të atyre blloqeve të mëdha shkëmbore, pa asnjë lloj prerje, të mbështetura pas njëri-tjetrit, mes pllakash gjigande të vendosura rëndë, njëra sipër tjetrës, me një art të jashtëzakonshëm e në të njëjtën kohë primitive, aq sa e kishin bërë të panevojshme të përdorej çimento. Ai më tërhoqi me vete që të shikoja kubenë nëntokësore, portat, amfiteatrin që padyshim përdorej për mbledhjet mes tyre. Pastaj, duke më afruar në cep të rrafshnaltës ku ishim u gjenda përballë maleve të magjishme të Sulit e të Paramithisë. Të nesërmen, bashkë me kapedanin, të shoqëruar dhe nga të tjerët, ne u nisëm në këmbë drejt Sulit. Pasi ndaluam në Zalongo për të vëzhguar shkëmbenjtë e egër, plot driza e shkure, ku gratë suliote ishin hedhur në humnerën e thellë, ku vdiqën që të mos e humbnin nderin e tyre. Vëzhguam dhe në Karvari, një fshat i krishterë, ku ndoshta asnjë europian nuk kishte shkelur deri në atë kohë, çka e pikasa në sytë e atyre fëmijëve që kishin marrë një dritë të bardhë e verbuese kur ne mbërritëm në perëndim, në hyrje të grykave të Sulit. Kishte shumë vite që Zerva dhe pasuesit e tij nuk e kishin shkelur djepin e familjeve dhe varrin e kombit të tyre. Ne vendosëm ti ngjitemi hyrjes së asaj “toke të premtuar” në një vend ku bukuria e qetësia n’a ftonte të preheshim. U lamë e u pastruam në ujrat e kthjellta të Akeronit që mërmëriste lehtë në shtratin e tij plot guriçka, përroi më i errët i këtyre maleve. Njerëzit e Zervës ndezën një zjarr të madh dhe na poqën një qengj “alla palikare”, një mish të shijshëm që e hëngrëm nën dritat e pishtarëve që mbanin tre suliotë mbi kokat tona. Pasi mbaruam së ngrëni, suliotët prenë barërat me jataganët e tyre, duke na krijuar një shtrat gjithë aroma, ku ramë të flinim butësisht. Pastaj ishin ata që u ulën pranë zjarrit të madh që kishin ndezur dhe nisën të këndonin. Një nip i Marko Boçarit, një palikar i ri, me shtat të zhdërvjelltë dhe flokë të verdhë, këndoi në fillim këngën luftarake që tregonte bëmat e Karaiskaqit. Shqiptarët, suljotët, palikarët helenë, i nisin këngët me një murmurimë të shurdhët dhe të zgjatur që shërbente si prelud dhe shoqërim kënge, me të cilën u bashkuan pothuaj të gjithë ata që ishin të pranishëm. Pas kësaj murmurime të përsëritur dy-tri herë, ai tha me një zë të ngadaltë: “Karaiskaqi përpara me një ushtri prej 15.000 luftëtarësh”. Atëherë të gjithë ia dhanë këngës fuqishëm e po kështu dhe Zerva që ishte shtrirë pranë meje mbi ato barishte plot aroma, i cili më tha: “Nëse trimi Karaiskaqi do kishte mundur të mblidhte 15.000 burra, lufta e Pavarësisë do kishte mbaruar më herët dhe me rezultate shumë më të mëdha se të atyre që e mbaruan këtë luftë. Pas këngës luftarake nisi kënga e dashurisë, ku zëri herë ishte vajtues dhe herë plot forcë, ashtu me pauza, heshtje, murmurima të ëmbla, që si të thuash e shoqëronin atë. Ishte historia e një vajze të re të dashuruar që kishte pritur gjatë të fejuarin e saj… Po e dëgjoja gjithë kënaqësi atë histori dashurie të pastër nën qiellin plot yje të Epirit, disa hapa larg Akeronit që zhurmonte lehtë nëpër natë, kënduar nga ata suliotë në shërbim të një pashai turk. Po flija nën ehot e kësaj poezie të kënduar dhe ishte kapedani që më zgjoi në mëngjes: “Nisemi për udhë”, – më tha ai. – Do të shkojmë në atdheun e suljotëve trima!” Ne filluam t’i ngjiteshim shtigjeve shkëmbore të vargmaleve të Sulit dhe sa më shumë përparonim aq më shumë peizazhi hapej para nesh e bëhej edhe më madhështor. Poshtë nesh, në thellësitë e luginës, rridhte Akeroni, murmurimën e të cilit nuk e dëgjonim më. Në pjerrësitë e maleve të pyllëzuara vraponin dhitë e cjapët, të cilët ngrinin kokat me mjekrat e tyre për të vështruar karvanin tonë që shkonte. Ndërkohë, barinjtë, ulur nën hije, u binin fyejve të hyjnisë Pan… Shpejt u ndodhëm në mes të rrënojave të fshatrave suljote. Ja Navariko, Somaniva, Kakosuli, Suli i tmerrshëm, fshati Qafa, me të gjitha shtëpitë e rrënuara ku ende një pjesë muresh qëndronin në këmbë plot trisht. Jasminët e egër dhe lulet e tyre plot aromë mbulonin lakuriqësinë e atyre mureve ku dikur banonte një popull i tërë, i lirë e i pavarur. Zerva i njihte shtëpitë dhe më tregonte banesat e njerëzve të tij, të familjes dhe miqve të tij, kopshtet ku barishtet e egra dhe kacavjerrëse kapeshin e ngjiteshin në pemët frutore, të cilat duart e tij i kishin ujitur në fëmijëri. “E sheh, – më thoshte, – atje, nën atë rrap që ka ruajtur hijeshinë e gjethes, në mes të asaj pamje të trishtë, ishin varrezat e fshatit tim ku duken ende gurët e thyera të varreve dhe kryqi që dergjet mbi tokë. Por në Athinë, kryqin e ka zëvendësuar gjysmë-hëna. A e shikon atje përgjatë brinjës së asaj maje të përpjetë, atë shteg që gjarpëron dhe ku vështirë të mendosh se kalon një dhi? Atje gratë tona ngjiteshin bashkë me palikarët tanë, të ngarkuara si dhe ata me ushqime për të mbrojtur Sulin kundër Ali Pashë Tepelenës. Ndonjëherë këmba u rrëshqiste nëpër errësirën e natës dhe shumë palikarë apo gratë e tyre të devotshme gjetën vdekjen në thellësitë e humnerës… Duke biseduar ne arritëm tek Qafa ku ngrihej një fortesë e vogël në të cilën banonte “muhafuzi”, apo roja e Sulit, një malsor gegë, të cilit i ishte besuar vëzhgimi i atyre shtigjeve tashmë të shkreta. Qëndrova disa ditë me Zervën, duke jetuar jetën e këtyre palikarëve, duke dëgjuar tregimet e tij për luftën e Pavarësisë si dhe mendimet e tij për njerëzit e kësaj epoke, apo duke kundruar bashkë me të, me një admirim të pafjalë, spektaklin e natyrës plot madhështi, ku kujtimet e historisë përziheshin aq mirë me atë të poezisë. Mikpritësi im nuk i kishte remineshencat klasike, as sytë dhe kujtesën plot me imazhet e bukura të Europës, por ai gëzonte bukurinë e pashtershme të netëve ku qielli shndriste nga yjet e panumurt, në një hapësirë të kaltërt e të errët, me detin jonian, dhe malet e ngjyrosura nga zjarret e perëndimeve. .. Le ta lemë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i të cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur, me familjet rivale dhe prijësat e vegjël feudalë që jetojnë në një frikë të dyanëshme të pritave dhe vrasjeve…”
Jo larg Delvinës, ai zbulon malet Akrokeraune buzë Jonit, pthuajse përballë Korfuzit, duke iu referuar udhëtarit të famshem Jacob Spon, i cili i kishte zbuluar këto vende në vitin… duke shkruar se “ato fshatra nuk pranojnë ti paguajnë turkut haraçin për çdo shtëpi”. “Fshati kryesor, kishte shkruar ky udhëtar, – është Himara, e ngritur mbi një shkëmb të lartë dhe ku banorët mund të tërhiqen dhe të mbrohen në rast nevoje…”.