Viron Kona: Dy herë jetën do jetosh…
Kur nis e shkruan për jetën,
ajo të shfaqet si në film,
mos u ikë gjërave po shkruaji,
do t’ndihesh vërtet më mirë.
Shkruaj për vitet e fëmijërisë,
çapkënllëqet të vinë pranë,
aventurat e rinisë,
lumturia e vërtetë janë.
Shkruaj ndjenjat e dashurisë,
kur vajzës (djalit) i the: të dua,
shkruaj çdo grimcë të asaj kohe,
si vendose, nuk më thua?
Shkruaj për vitet e burrërrisë,
për jetën e qetë a të vështirë,
Hidhi në letër, më beso,
do t’shohësh veten n’pasqyrë.
Shkruaj dhe për pleqërinë,
ka dhe ajo emocion e gaz,
kur mbesa t’përqafon fort,
kur nipi t’hidhet n’qafë.
Përditëshmërinë e ashpër shkruaj,
që, si molë për ditë të gërryen,
shkruaj për jetën që ëndërron,
ku të gjitha stinët gjen.
Shkruaj thjesht dhe natyrshëm,
pa sforcime, me dëshirë,
siç fluturojnë zogjtë në qiell,
lëre mendimin tënd të lirë.
Gjithnjë shkruaj sinqerisht,
se njerëzia lehtë s’beson,
mos e bëjë kurrë si Hëna,
që njërën faqe na tregon.
Ke gjëra që s’do t’i shkruash,
të trishtojnë, t’dhimshme janë,
s’ke ç’i bënë, o miku im,
jetën n’copa dot s’e ndanë.
Edhe kur keq të kanë bërë,
kur dhe vet ti ke gabuar,
mos nguro po nis e shkruaj,
sepse ndihesh më i lehtësuar.
Shkruaj kujtimet, janë të tuat,
hapu derën se hyjnë vetë,
veçse po u ktheve shpinën,
shkrihen së kripa në det.
Nuk e di se ç’do të bësh,
vendos vet, si ta mendosh,
këshillës sime në i vë veshin,
dy herë jetën do jetosh…