Albspirit

Media/News/Publishing

Harry Bajraktari: Kosova, 100% shtet!

Image result for harry bajraktari me eliot engel

Harry Bajraktari

Nga Harry Bajraktari*

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen këtë të diel më 6 tetor, votojnë për qeverinë e re dhe parlamentin e ri, duke shprehur përcaktimin e tyre të lirë e demokratik.
Pra, të dielen më 6 tetor, dilni e votoni dhe zgjedhni perfaqësuesit tuaj, që ju i vlerësoni se Kosovën mund ta çojnë përpara.
Populli i Kosovës ka pasur rast t’ i njohë ata që, në të kaluarën, u ka dhënë besimin dhe në bazë të rezultateve do të vlerësojnë vizionin, punën dhe ndershmërinë e tyre. Këto zgjedhje duhet të nxjerrin një qeveri dhe një parlament kredibil, të vullnetshëm dhe të ndërgjegjshëm për ta avancuar Kosovën në zhvillimin ekonomik, në zbutjen e papunësisë, në zotërimin e rendit dhe ligjit, në pengimin e korrupcionit, si dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat Kosova do të përballet në bisedimet me Serbinë.
Prandaj, Kosovës i duhet një qeveri stabile e cila me platformën e saj bën diferencën në zhvillimin ekonomik, ligjor e demokratik, duke tërhequr investitorët e huaj. Këtë ndryshim mund ta bëjnë vetëm qytetarët me votën e tyre.
Kosova ka nevojë për një qeveri me shumicë shqiptare, që nuk varet nga pakica serbe, për marrjen e vendimeve të rëndësishme në interes të shtetit dhe popullit.
Qeveria dhe legjislatura e re që do të dalë nga vota e lirë e 6 tetorit, duhet të nxjerrë udhëheqës të vendosur dhe të guximshëm në marrjen e vendimeve të mëdha: mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, përballë pretendimeve serbe në bisedimet e ardhshme. Pra, Kosova duhet të jetë 100% shtet.
Kosova të punojë më shumë në integrimin e saj në Bashkësinë evropiane, në NATO dhe në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Të gjtha këto sfida mund të kapërcehen nëse Kosova do të vëhet para interesave personale e partiake dhe nëse vota e qytetarit shkon atje ku duhet, e nuk manipulohet. Këtë e kemi obligim moral ndaj sakrificës së madhe që ka bërë populli ynë deri në arritjen e pavarësisë.
Pra, Kosova të jetë mbi të gjitha, 100% shtet.
Çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka obligim kushtetues që më 6 tetor të votojë për të ardhshmën e tij, për Kosovën shtet demokratik brenda kufijëve ekzistues.
Vota e juaj është e rëndësishme dhe vetëm ju mund të bëni ndryshimin.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i Komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

Please follow and like us: