…Havier Solana ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia
Ismail Kadare
Fragment eseje, mars 1999
…Havier Solana, me fytyrë të tronditur dhe me zë që më duket i holluar, shpall se ka dhënë urdhër të bombardohet Jugosllavia. Pastaj përqafohet në mënyrë të çuditshme, me njëfarë mallëngjimi, me ata që ka përbri.
E kuptoj tronditjen e tij. Ka diçka prej vdekjeje, prej kishe, prej kambane mortore në skenën që shohim në TV. Vëzhguesit e fundit të OSBE-së po ikin nga Kosova. Po largohen ata që e mbrojtën, që e deshën. William Wallker. Qindra të tjerë, midis të cilëve, mikesha jonë franceze, Miriam Gaume.
Përpiqem të marr me mend atë që po ndodh. Pas çdo makine që largohet, Kosova duhet të ngjajë edhe më e shurdhër. E braktisur në mëshirë të fatit. Pa deshmitarë.
E kemi pritur me padurim këtë orë dhe tani ajo ngjan e pagëzim. Ngaqë kam qenë përzier në këtë punë, e ndiej ndoshta më fort. Ankthi i së panjohurës zotëron mbi gjithçka. Skena po zbrazet. S’ ka pse të gënjejmë veten. Ata ikin sepse atje s’mund të pritet veçse një gjëmë. Veç qoftë e shkurtér. Kosovarët e ndiejnë me siguri. E kanë ditur gjithmonë, qysh se i hynë kësaj rruge.
Kjo e bën flijimin e tyre edhe më të madhërishëm. Midis heshtjes, një popull i tërë po pranon të vërë kokën në satër. Për të paguar çmimin e lirisë. Nuk i ndodh çdokujt një gjë e tillë…