Shaban Murati: Muri bullgar që pret Shkupin pas shampanjës së BE-së
Në diplomaci festat nuk zgjasin shumë. Entuziasmi, që ka përfshirë qeverinë e Maqedonisë së Veriut se në 17 tetor do të marrin pa kushte datën e hapjes së bisedimeve të pranimit me BE-në, gjë që e presin qysh nga viti 2005, do të fashitet shumë shpejt. Me gjithë shampanjën, që qeveria dhe diplomacia e Shkupit po përgatit të festojë hapjen e bisedimeve, ajo që tani po sheh se pas derës së hapjes së bisedimeve po ngrihet një mur i madh bullgar. Në datën 30 shtator presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, thirri me urgjencë një mbledhje të rëndësishme konsultative në selinë e presidencës lidhur me ftesën e ardhshme të BE për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe rezultatet e Komisionit të Përbashkët Bullgari-Maqedoni për çështjet e historisë dhe të arsimit. Mbledhja në presidencë, ku marrin pjesë kryeministri, ministri i mbrojtjes, ministrja e jashtme, kryetarja e parlamentit, koordinatorët e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve parlamentare të politikës së jashtme dhe të çështjeve europiane, të Komisionit Qendror Elektoral, përfaqësuesit bullgarë në Komisionin e përbashkët dypalësh të çështjeve të historisë dhe të arsimit,etj., materializon seriozitetin e shqetësimit në qarqet drejtuese të Bullgarisë për problemet e pazgjidhura me Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut nuk po i plotëson kërkesat dhe angazhimet, që ka marrë para palës bullgare qysh nga koha e nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë midis dy shteteve në gusht të vitit 2017 për të zgjidhur çështjet e debatueshme historike midis tyre.
Presidenti bullgar e shprehu hapur pakënaqësinë zyrtare, kur deklaroi në 30 shtator se rezultatet e komisionit të përbashkët dypalësh janë shqetësuese dhe sjellja e fqinjit tonë po krijon pasiguri dhe mosbesim. Mbledhja tek presidenti i Bullgarisë arriti në vendimin e vendosjes së kushteve të rrepta dhe të detyrueshme ndaj Maqedonisë së Veriut lidhur me anëtarësimin e saj në BE. Zyrtarët më të lartë të shtetit bullgar, sipas medieve bullgare, ranë dakord se janë të nevojshme veprime imediate të shtetit për zhvillimin e një pozicioni kombëtar me kërkesa të qarta për mbrojtjen e interesit kombëtar bullgar.
Burime diplomatike nga Sofia bëjnë të ditur se Bullgaria nuk ka ndërmend të vendosë veton për Maqedoninë e Veriut në mbledhjen vendimtare të Këshillit Europian në Bruksel në 17 tetor. Por Bullgaria qysh tani po ia bën të qartë Shkupit se procesi negociues i kapitujve të traktatit të pranimit në BE do të jetë një sipërmarrje sizifiane për shtetin e Maqedonisë së Veriut, ku guri i rëndë për t’u ngjitur tek maja e malit të anëtarësimit do të jetë plotësimi i kërkesave dhe i kushteve të Bullgarisë për historinë, për gjuhën, për identitetin, për kulturën, për gjeografinë, etj. Kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borisov, deklaroi prerazi pas takimit në presidencë: “Pas 17 tetorit, kur mbledhja për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE të mbahet në Bruksel, ne do të kemi 71 instrumente për t’ia mbyllur asaj rrugën në BE. Këto janë kapitujt e hapjes dhe të mbylljes së bisedimeve”.
Në mënyrë zyrtare dhe në nivelin më të lartë të shtetit dhe të qeverisë, Bullgaria po e njofton Shkupin se ka mbaruar periudha e tolerancës dhe Sofia po e ngre murin e madh, që duhet të kapërcejë Maqedonia e Veriut për të vazhduar rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Përse Sofia vendosi që t’ia presë në mes qeverisë dhe diplomacisë së Shkupit gëzimin për hapjen e bisedimeve të pranimit, që pritet të njoftohet në mbledhjen e 17 tetorit të BE në Bruksel?
Bullgaria vlerëson se Maqedonia e Veriut i ka anashkaluar detyrimet dhe angazhimet, që ka marrë zyrtarisht lidhur më zgjidhjen e çështjeve të debatueshme, që kanë të bëjnë me historinë, me ngjarje dhe personalitete historike, me kulturën, me emërtimin dhe origjinën e gjuhës, etj. I mburrur dhe i vetëmburrur për zgjidhjen e konfliktit për emrin me Greqinë, e cila kishte bllokuar rrugën e integrimit europian dhe atlantik, i vetëkënaqur nga përkrahja e madhe ndërkombëtare për marrëveshjen e Prespës me Greqinë, Shkupi gjykoi në mënyrë të gabuar se mund të neglizhonte kërkesat dhe kushtet bullgare. Shkupi zyrtar nuk e ndërpreu rivendikimin ndaj figurës së Goce Delçevit,i cili ka deklaruar vetë në kohën e tij në shekullin 19 se është bullgar, kurse qeveritarët e Maqedonisë së Veriut edhe këtë vit e celebruan si maqedonas. Shkupi u inkurajua shumë nga që Greqia në dokumentet e saj të dërguara në OKB pas marrëveshjes së Prespës pranon ekzistencën e gjuhës maqedonase, duke harruar se kjo përkatësi linguistike është e papranueshme për Bullgarinë, që e konsideron maqedonishten dialekt të bullgarishtes. Presidenti bullgar R. Radev deklaroi në 30 shtator se “është veçanërisht e rëndësishme të përcaktohen vijat e kuqe, që do të garantojnë që integrimi europian i Maqedonisë së Veriut nuk do të bëhet në kurriz të historisë, të gjuhës dhe të identitetit të Bullgarisë, si monedhë shkëmbimi”.
Takimi presidencial dhe qëndrimet e reja të formuluara në të nga qeveria, parlamenti dhe partitë kryesore politike, evidentojnë një situatë serioze diplomatike dhe rajonale për Maqedoninë në rrugën e saj të mundimshme të bisedimeve të pranimit në BE pas marrjes së datës. Natyrisht anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është një interes strategjik i Aleancës Atlantike dhe i shteteve anëtare të saj, sidomos në rajon. Por këtu duhet bërë një dallim midis integrimit atlantik dhe integrimit europian. Nëse Maqedonia e Veriut parashikohet që në 2020 të bëhet anëtari i ri i NATO-s dhe këtë perspektivë është vështirë ta ndalojë Bullgaria apo Greqia, për sa i përket integrimit europian vështirësia është e pranishme. Integrimi europian i Maqedonisë së Veriut nuk është interes strategjik i gjithë vendeve anëtare të BE. Ka një dallim të madh midis dinamikave të pranimit, mënyrave dhe metodave dhe hierarkisë së drejtimit dhe të planifikimit strategjik të NATO-s nga ato të BE. Procesi i negociatave të pranimit në BE është një proces pa afat, që vetë BE e ka komplikuar, dhe ku mundësia e bllokimit të shteteve kandidate për anëtarë të rij në BE,nga shtetet fqinj, që kanë probleme me njeri-tjetrin,është shumë e madhe.
Ndaj dhe Maqedonia e Veriut duhet ta shohë me realizëm dhe me seriozitet faktin e murit të madh bullgar, që e pret pas marrjes së datës përhapjen e bisedimeve të pranimit. Qeveria dhe diplomacia e Shkupit nuk duhet të bëjë gabimin që ta marrë për të mirëqenë anëtarësimin në BE, njëlloj si anëtarësimin në NATO. Hapja e bisedimeve të pranimit nuk ka asnjë grafik të përcaktuar se kur do të mbyllen. Nëse brenda BE ka shtete, që duan ta zvarrisin pa fund në kalendarët greke procesin e bisedimeve me një shtet të caktuar, kompleksiteti i traktatit të pranimit në BE u jep hapësirë të gjerë në këtë drejtim. Kemi shembullin e qartë të marrëdhënieve të BE me Turqinë, metë cilën BE i ka hapur bisedimet për traktatin e pranimit qysh në vitin 2005 dhe nuk ka optimist të pa korrigjueshëm që beson se ky proces do të mbyllet ndonjëherë, duke ditur se shtetet bllokuese i kanë kthyer bisedimet e pranimit në bisedime të zvarritjes. Zëvendës kryeministri dhe ministër i mbrojtjes i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, ia dërgoi qartë mesazhin Shkupit, kur deklaroi pas takimit në presidencë se “përderisa Komisioni i Përbashkët i çështjeve të historisë dhe të arsimit nuk ka afat, atëherë nuk ka afat as rruga e Maqedonisë së Veriut në BE”.
Me sa duket Shkupi nuk ka kuptuar ende se në adresë të Bullgarisë do të mungojë presioni perëndimor për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, siç ka qenë dhe është për integrimin atlantik të atij shteti. Në këtë realitet diplomatik, rajonal e ndërkombëtar, Maqedonia e Veriut ndodhet para dilemës ekzistenciale për të bërë zgjedhje të qarta afatgjata, duke mos e ngatërruar veten dhe perspektivën me barrën e rëndë të një historie, që në vërtetë nuk i përket asaj. Qeveritë, që ka pasur Maqedonia e Veriut që në pavarësimin e shtetit,kanë qenë ushqyer nga lobi serb në Shkup me një politikë të prirjeve antibullgare. Kjo vijënisi që nga Jugosllavia titiste, e cila krijoi në mënyrë artificiale republikane Maqedonisë, me identitet të ri etnik dhe gjuhësor maqedonas, si kundërvënie ndaj identitetit dhe gjuhës bullgare. Ishte një inxhinieri gjeopolitik serb dhe rus, që synonte të krijonte një mekanizëm të ri ndarjesh dhe përçarjesh në Ballkan në funksion të hegjemonisë së Serbisë në rajon. Mungesa e bazamentit historik të entitetit të ri politik kishte nevojën të përvetësonte historinë e shteteve fqinj, të Bullgarisë, të Greqisë, të Shqipërisë. Nuk është rastësi që vetëm nga historia e Serbisë nuk mori entiteti i ri i FYROM-it.
Ky nonsens historik nuk mund të vazhdonte gjatë dhe do të përplasej me nevojat e reja diplomatike, politike, rajonale dhe integruese. Në këtë përplasje midis pretendimit të pabazuar historik dhe realitetit të nevojave ekzistenciale politike e diplomatike, Maqedonia e Veriut u detyrua gjatë viteve të ekzistencës si shtet i pavarur t’i bënte njërin lëshim pas tjetrit Greqisë. Nën presionin dhe me kërkesën e Athinës, Shkupi ndërroi flamurin, Kushtetutën, himnin, dhe në vitin 2018 ndërroi edhe emrin e shtetit. Pra në dilemën e madhe midis lavdisë së pamerituar të së kaluarës dhe perspektivës si shtet anëtar i BE dhe i NATO-s, u zgjodh me të drejtë anëtarësimi në NATO dhe në BE.
Por kjo ishte zgjidhje vetëm në njërin vektor, në atë të marrëdhënieve me shtetin fqinj të jugut,kurse për sa i përket marrëdhënieve me shtetin fqinj të lindjes, Shkupi mbeti po aq intransigjent si më parë. Për hir të së vërtetës duhet thënë se diplomacia bullgare është treguar tolerante dhe e duruar me Shkupin, ndonëse e ka paralajmëruar prej shumë vitesh që duhet të zgjidhë problemet e hapura me Bullgarinë. Që në vitin 2012 kam theksuar vija te kuqe bullgare para portës së Shkupit:”Vija e re e kuqe bullgare, që i vendoset Shkupit, me kërcënimin për mbylljen e portës së BE, është një zhvillim serioz negativ në marrëdhëniet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili mund të ketë pasojat e veta në dinamikën e integrimit të Maqedonisë në BE, por edhe në raportet ndërballkanike”.(Libri “Shqiptarët e Maqedonisë-prioriteti i çështjes shqiptare”, Tiranë 2016, fq.203).
Është vërtet për t’u habitur se si Shkupi, që për hir të Greqisë ndërroi emrin, flamurin, Kushtetutën, himnin, etj. tregohet i palëkundur për të mos pranuar origjinën bullgare të një figure historike të shekullit të 19-të. Vetë kryeministri maqedono-verior Zoran Zaev deklaroi në 30 shtator se “ne kemi një historitë përbashkët”, që në fund të fundit do të thotë se histori të përbashkët kanë vetëm popuj të njëjtë. Popujt e ndryshëm nuk mund të kenë histori të përbashkët. Logjika historike dhe diplomatike çon tek domosdoshmëria që Maqedonia e Veriut të ndjekë edhe me Bullgarinë rrugën pragmatiste, që ndoqi me Greqinë: Kompromiset e duhura për strategjinë e së ardhmes. Përndryshe muri bullgar jo vetëm do të rritet, por mund të bëhet i pakapërcyeshëm.
Klima e marrëdhënieve të reja të acaruara midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut paraqet një interes të drejtpërdrejtë për Shqipërinë për shkak të popullit shqiptar, që jeton atje. Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut është tejet i interesuar për integrimin sa më të shpejtë të atij shteti në NATO dhe në BE. Në këtë kuadër është e nevojshme që faktori politik shqiptar, si ata që janë në qeveri, ashtu dhe ata jashtë saj, të angazhohen në drejtim të një strategjie të Maqedonisë së Veriut,si shtet që sheh nga realitetet e së ardhmes dhe jo nga ëndrrat kinematografike të së kaluarës./gazeta dita/