Albspirit

Media/News/Publishing

Romeo Gurakuqi: Qetësia që vret çdo ditë shpresën!

Çdo mëngjes herët pa u zbardh drita, përballë Kishës së Zojës, pranë Urës së Bunës, ashtu në heshtim të agut shkodran, familjet e pamunduna dhe të pashpresa të nji qyteti në kufinin e fundit të mbijetesës së vet, presin makinën e radhës për t’u largue nga Locja e tyne e plakun dhe e mpakun.

Nji ikje e heshtun, e përvuejtun dhe e vetvetishme për të mbijetue pa iu dorëzue fatit, qi nuk ndalet, anash rrjedhës së ujërave që rrethojnë qytetin e lashtë; nji ikje pa dëshmitarë të gjallë, veç Shtetit që regjistron me indiferencë dhe nuk bzan. Asht nji refren që përseritet, ndërkohë që askush nuk mban shënim, Largimin e Madh, atë pa kthim që ka ndodhë në këto tre dekada.

Nuk asht nji ikje e thjeshtë dhe e zavëndësueshme. Asht nji arrati kulturore dhe shoqnore, nga nji hapësinë ku jeta nuk vlen asgja, të drejtat janë të shënueme në letër dhe recitohen nga mashtruesit me atlete, projekti i së ardhmes i shkruem bukur në akull, shuhet sikur mos të ketë kenë.

Asht nji arrati që në fakt, çdo verë e harrojmë, nga disa djelm e vajza, që kthehen në kryeqendrën e tyne, për të “recitue” kangën e bukur të Shkodrës së dikurshme.

Por kjo gja nuk mjafton. Rezistenca e tyne shembullore, misioni i tyne kurajues për njerëzit e zanun në kurthin dhe lojën e maskarenjve, asht i pamjaftueshëm derisa jeta e tyne asht zhvendos në nji hapësinë tjetër, andej ku liria nuk mungon dhe e vërteta nuk të shtremnohet.

Qyteti që për pushkë ka pasë pendën, gojën, kangën dhe veprat në shërbim të atdheut, progresit popullor, sot lëngon randë nën “pushtimin” e forcës së skutave të errëta komanduese të punëve, të zotnimit të territorit, të zgrapcimit të hapësinave pa zot!

E gjitha kjo ndodh nën indiferencën e fajtorëve, që bajnë të pafajshmin dhe nuk lshojnë radhë, të vajtojcëve që shfaqen me refrenin e tyne të mjerë, ndërkohë që rrëshqitja në asgja vazhdon dhe rendi i mbrapshtë dhe i përmbysun i punëve të frymorëve të rastësishëm, sa vjen e kthehet në normalitet.

Sot në fakt luhen dy drama njëkohësisht: vazhdon ajo e kahershmja, me shumë akte e çmontimit të rolit parësor në Shqipni dhe drama me dy akte e punistëve të rinovuem, që nuk dojnë të dorëzohen nga tentativa e rikapjes.

Dhe e gjithë kjo sipërmarrje në fundosje, ndodhi pa kërkue ma parë falje për privimin sistematik nga të drejtat e jetës dhe shkollimit të barabartë, të bashkëqytetarëve që ikën pa kthim, nga dhuna e shkaktueme prej organizatës që ata përfaqësojnë sot.

Pyetja qi bahet sot nga te gjithë asht kjo: A duhet ta lëshojnë fatin e Shkodrës, spontaneitetit të ranies së lirë ku a kanë cue këto ditë Shqipninë tiranët?

Please follow and like us: