Saga e vilave të Bllokut në Pogradec/Përplasja e Kadaresë me kryeministrin për Pogradecin në UNESKO, rrëfim ekskluziv i Belul Lufos (11)
Bardhyl Berberi
Pogradeci ka qenë një nga qytetet e preferuara në vitet e socializmit dhe në vazhdim, ku popullsia gjatë verës dy-trefishohej. Por, Pogradeci ka qenë edhe qyteti i adhuruar i “muajit të mjaltit të të sapomartuarve”, i poetëve, shkrimtarëve, piktorëve; ka qenë edhe oazi i udhëheqjes së lartë komuniste…
Por në Pogradec ka ardhur të pushojë vazhdimisht një mysafir krejt i veçantë, shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare. Ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, Belul Lufo, për herë të parë tregon një ngjarje krejt të veçantë që i rreh vazhdimisht si puls në kujtesën e tij. “Eh, – thotë Belul Lufo, – si është kjo punë”!
Në vitin 1983 ka mbërritur në zyrën e tij një komision i lartë i UNESCO-s, i cili kryesohej nga një spanjoll dhe i ka prurë një platformë, makete dhe njëherazi projekte konkrete ndihmash e kredish për të sjellë ndryshime në këtë perlë të natyrës dhe për ta shpallur më pas Pogradecin, liqenin dhe pikën turistike të Drilonit, “Trashëgimi kulturore e UNESCO-s”.
“Atë ditë të nxehtë fundkorriku ndodhej në Pogradec me pushime shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare”, – tregon ish-kryetari i Ekzekutivit, Belul Lufo, i cili u përfshi në përplasjen me Adil Çarçanin.
Ne intervistuam ish-kryetarin Belul Lufo rreth kësaj ngjarje…
Z. Belul, a mund të na flisni më gjerë për vizitën e komisionerëve të UNESCO-s në zyrën tuaj?
Belul Lufo: Po, ka qenë një fundkorriku, një ditë e nxehtë me vapë sfilitëse. Njoftohem nga dezhurni në katin e parë se kishte mbërritur një komision i UNESCO-s dhe kërkonte të takohej me mua. Natyrisht që i prita dhe nëpërmjet një përkthyesi që kishin me vete ata, komunikuam bashkë.
Në fjalën hyrëse, drejtuesi i grupit ishte spanjoll, më thotë se ‘mbase jemi pak të vonuar me pjesën tjetër të liqenit, pasi para tre vjetësh ne shpallëm qytetin e Ohrit dhe pjesën tjetër të liqenit si pjesë të Trashëgimisë Kulturore, por ju e kuptoni, – m’u drejtua ai, – se para se të futet në UNESCO një vend i caktuar, duhet të realizohet një projekt konkret, të jepen ndihma dhe kredi përkatëse dhe më pas të anëtarësohet.
A mund të na flisni më konkretisht rreth projektit të UNESCO-s për Pogradecin?
Belul Lufo: Po së pari, ishte një studim për shtrirjen e tubacioneve të ujërave të zeza dhe përpunimin e tyre, që në liqen të mos kishte asnjë derdhje ujërash të zeza. Përbri ishte shuma disa milionë dollarë që financonte UNESCO. Projekti tjetër ishte ai i ujit të pijshëm për Pogradecin 24 orë pa ndërprerje, kjo realizohej nga një hua që ia jepnin ata me kredi të butë shtetit shqiptar. Por e veçanta ishte se në këtë projekt ishte përfshirë pika turistike e Drilonit. Ata kishin realizuar një maket jashtëzakonisht të bukur, në të cilin ujërat e Drilonit shtriheshin në mënyrë simetrike në anën tjetër, për nga fshati Tushemisht, duke e pyllëzuar edhe pjesën tjetër, e cila do të lidhej me ura dekorative me pjesën tjetër dhe mbi kodrën që ndodhet në fund të Drilonit, me ujërat e kristalta nën këmbë do të ngrihej një hotel i madh masiv, në formën e një vapori me shtatë kate, tek i cili do të shkohej nga Driloni me linjë ujore. Ishte vërtet diçka fantastike…
Të them të drejtën u entuziazmova jashtë mase. Pasi pimë nga një kafe me komisionerët e UNESCO-s, ata më lanë gjithçka në zyrë, maketet, projektet për të biseduar me drejtuesit e shtetit dhe brenda dy muajve kërkonin një takim tjetër; më parë apo më vonë, këtë e lanë në dorën tonë. U ndamë miqësisht dhe unë mendova të vija menjëherë në dijeni kryeministrin Adil Çarçani, i cili ndodhej me pushime në Pogradec së bashku me Enver Hoxhën, secili në vilën e vet. Nuk ndodhte që të ishin të dy me pushime në Pogradec, pasi Enveri vinte çdo vit dhe Adili vinte kur ikte Enveri, por atë verë Adili ishte i sëmurë dhe i kishin rekomanduar mjekët të qëndronte në Pogradec, meqenëse ishte freskët.
Kur e takova ditën e parë që mbërriti në Pogradec, Adili me mirësjellje më thotë: ‘Belul, jam pa qejf dhe më kanë rekomanduar mjekët pushim absolut, por nëse ke diçka shumë të rëndësishme apo urgjente, eja dhe më tako’. U mendova për një çast, kjo ishte vërtet urgjente. I rashë numrit të telefonit në vilë (mbanin të njëjtin numër që mbanin në Tiranë, Enveri dhe Adili). Telefonin e ngriti vajza e Adilit, Lida, e cila gjithë mirësjellje më thotë se ‘po ia kaloj linjën babit’.
Si ju priti Adili?
Belul Lufo: Të them të drejtën, Adili ishte i sjellshëm. Vuri buzën në gaz dhe u ulëm të dy në breg të liqenit. Kisha marrë me vete të gjitha materialet që më dha komisioni i UNESCO-s. Vendosa maketet mbi tavolinën e tij dhe i tregova pikë për pikë projektet e UNESCO-s. Vura re se Adili qëndronte indiferent dhe nuk i luajti asnjë muskul në fytyrë, madje edhe maketin e pa pa interes, fare shkarazi dhe sytë, një herë i hidhte nga maja e një shelgu lotues, dhe herë nga liqeni…
Pastaj m’i hodhi sytë mua nga koka tek këmbët, duke m’u drejtuar: ‘More Belul, ti je kryetar i Komitetit Ekzekutiv këtu në Pogradec, apo jo’?
Unë u mblodha dhe i thashë me gjysmë zëri: ‘Kështu e di unë shoku Adil, që jam kryetar…’.
– ‘Po Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, a e ke lexuar mo kryetar, që ne nuk marrim kredi nga jashtë, e kemi të ndaluar, çfarë do të na bësh ti mo, të na shkelësh Kushtetutën, themelin e shtetit…ë’?
U ngrita nga tavolina dhe u largova si hije. I gjithë ai gëzim m’u tret për pak minuta, madje më kapi një ndjenjë dëshpërimi dhe ankthi, pasi unë para një viti isha bërë kryetar komiteti, sapo kisha zbritur nga Mokra, ku kisha qenë kryetar kooperative. Kisha frikë se do t’i thoshte Enverit dhe do të jepte ndonjë urdhër ai…pa vishi çizmet prapë dhe nisu në fshatin Velçan të Mokrës prej andej nga je…!
Po më pas çfarë ndodhi?
Belul Lufo: I dëshpëruar ika nga vilat dhe u ktheva në zyrë. Siç isha i mërzitur, thashë të ftoja Ismail Kadarenë në Drilon. Sapo i telefonova, Ismaili pranoi me kënaqësi. Shkova e mora me makinë tek hoteli ku pushonte dhe shkuam në Drilon, në pjesën e pasme tek një lokal që quhej “Kërmilli”, matanë urës.
I tregova Ismailit gjithçka. Kadare u skandalizua: ‘Ore, po janë në vete këta more Belul, a e di se çfarë do të thotë të hysh në UNESCO, a e di ti se si do ta bëjnë Pogradecin ata me këto projekte? Po ky është një krim’!
Të them të drejtën, Kadareja doli nga kontrolli, u revoltua aq shumë saqë më tha se do të takonte Adil Çarçanin. Sa pimë një kafe u ngritëm, Ismailin nuk e mbante vendi. Shkuam në zyrën time dhe Kadareja i telefonon vajzës së Adil Çarçanit, Lidës, dhe i thotë se kërkonte një takim me shokun Adil. Pas 10 minutash Lida ktheu përgjigje se ‘babi të pret pasdite në orën 18 mbasdite”.
Çfarë ndodhi në takimin e Kadaresë me Adil Çarçanin?
Belul Lufo: Ismaili shkoi në takim me Adilin shumë i inatosur, madje unë iu luta të ruante gjakftohtësinë, por Kadareja ma preu shkurt: ‘Rri ore kryetar, se ne jemi gjirokastritë me Adilin dhe e di unë si e fjalos’.
Cili ishte përfundimi i takimit?
Belul Lufo: Mësova se Kadareja kishte folur ashpër dhe biseda me kryeministrin e asaj kohe, Adil Çarçanin, i ngjante një përplasjeje në formën e sherrit. Kadareja kishte parë maketet mbi tavolinën e Adilit, pikërisht atje ku i lashë unë. Por përgjigjia ishte e njëjtë: ‘Nuk shkelim Kushtetutën, nuk marrim hua nga të huajt’. Për hir të së vërtetës, pas takimit Kadareja ishte tepër i dëshpëruar, më tha mua vetëm kaq: ‘Ju nuk jeni në vete që nga ty dhe ata të tjerët…’.
Zoti Belul, çfarë u realizua nga ai projekt?
Belul Lufo: Vetëm sistemi i parkut të madh buzë liqenit, që u ndërtua me forcat tona, ndërsa uji i pijshëm 24 orë dhe kolektori i ujërave të zeza u realizuan pas 26 vjetësh, në vitin 2009, edhe këto me kredi nga jashtë. Desha të shtoj edhe një fakt: Kur na thërriste Enveri në vilën e tij, maketet e UNESCO-s ishin mbi tavolinën e udhëheqësit, në vilën 4 ku pushonte ai pushonte, me sa duket ja kishte çuar Adili, kryeministri asaj kohe. I them një ditë Adilit se i pashë maketet tek tavolina e Enverit, tek vila e tij nr. 4. Adili vuri duar në kokë dhe mu lut që këtë histori të mos e kujtoja më se kur ia kishte çuar Enverit, atij i kishte dalë fija fare dhe i kishte turfulluar si asnjëherë tjetër…
Tani pas 36 vjet ne do të hymë në UNESKO.