Albspirit

Media/News/Publishing

Konstandinos Hatzopoulos: LËRE VARKËN…

Image result for varka ne det

Lëshoje varkën përmbi dallgë ku dëshiron të rendë,
dhe lëre erën t’ia drejtojë timonin edhe velën,
t’i shtriji flatrat me plot mall – mbi globin anë e kënd,
pse brigjet e panjohura më shumë në mendje ngelen.
Se jeta është si vesë, si dallgë – edhe lëre të ta bjerë,
ku e paska qejfin era, e di mirë e mira erë…

Le të këmbehen livadhet me shkëmbenj edhe me pyje,
le të vijnë rrotull kështjellat, i kasolles tym’ i zi,
si idil i buzëqeshur shtrihet qielli plot yje,
dhe plot mjegulla e furtuna fsheh pejsazhi gjithsesi,
mos mendo se mund ta mbash pëlhurën në drejtpeshim,
ku të dojë dallgë e bekuar, aty do të gjesh qetim!…

Çfarë kërkon e ku po vete, të pyes, vallë a e di?
A mos ndoshta ke mbërritur ndonjëherë aty ku doje?
Tek tenton të bësh të mirën a nuk korr brengë e mërzi,
kur pyet me mirësjellje, vrazhdë a nuk të thonë: – Harroje!
Dhe çfarë të ka mrekulluar, çka të paska buzëqeshur,
vetë a nuk e ke fituar, vetëm duke u përleshur?…

Atëhere lëre dallgën të shpërthejë ku ia ka ënda,
lër zalinë të ta marrë zemrën, qorrazi ta hedhë përpjetë,
nëse rrotull bubullin, e lart mblidhen retë e rënda,
diku dielli i lumnuar loz e qesh në një bregdet,
dhe në qoftë se që nga shpirti lot i hidhur rrjedh i nxehtë,
një gëzim diku është fshehur që përgjon edhe të pret.

Shqipëroi Arqile Garo, tetor 2019.

Please follow and like us: