Vallja e Alpeve ‘pushton’ kryeqytetin!
Guxim Alimani
Mbi 100 artistë kryesisht të moshave të reja mbushën Amfiteatrin te Liqeni Artificial Tiranë, në një super folk-koncert performuar nga artistët e rinj të Tropojës.
Ishte Mjeshtri i Madh, koreografi, interpretuesi e studiuesi Skënder Haklaj i cili me një recital të krijimeve të tij afro 50-vjeçare magjepsi spektatorët e shumtë duke dhuruar në metropol një fundjavë magjike.
Vallja e Malësisë së Gjakovës ose siç thirret ndryshe”Kcimi i Tropojës, jo vetëm është shpallur Vlerë e Trashëgimisë Kulturore kombëtare, por është në vijim të finalizimit dokumentar për t’u shndërruar në pronë ndërkombëtare kulturore të UNESCO-s.
Bashkia Tropojë, si mbështetëse e këtij aktiviteti ka angazhuar gjithë potencialet e saj intelektuale që këto aktivitete jo vetëm atraksioni por dhe edukimi e trashëgimie të jetësohen gjerësisht e profesionalisht.
Pjesëmarrja e gjerë jo vetëm e spektatorëve, por dhe e personaliteteve kulturore e politike deri te Presidenti i Republikës ishin jo vetëm kujtesë por një apel i heshtur se duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje trashëgimisë kulturore si pjesë e kolonës së rëndësishme të vetë ndërgjegjes sonë kombëtare.