Frank Shkreli: PJETER BOGDANI-30 VJET NGA SEMINARI I NJU JORKUT
(Me rastin e 330-vjetorit të vdekjes)
Nga Frank Shkreli*/
330-vjet më parë, në fund të vitit 1689 ka ndërruar jetë, në Prishtinë, ipeshkvi imzot Pjetër Bogdani. 30-vjet më parë, me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së tij, me 7 tetor, 1989 është mbajtur në Nju Jork një seminar madhështor për të kujtuar Imzot Pjetër Bogdanin, figurën e shquar të letërsisë së vjetër shqipe, kultivuesin dhe ndriçuesin e ndërgjegjes dhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Përveç kontributit të tij fetar, Pjetër Bogdani ishte edhe atdhetar i madh, i cili ka dhënë kontribute të rëndësishme në përpjekjet e popullit shqiptar për çlirim nga zgjedha osmane. Ishin pikërisht këto kontribute të Pjetër Bogdanit të cilat u diskutuan në seminarin e organizuar 30-vjet më parë – në fillim të tetorit, 1989– nga Kisha katolike shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Në atë seminar ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës shqiptare të asaj periudhe. Dalloheshin Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Prof. Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj. Personalitetet e shquara hodhën dritë mbi jetën dhe në përgjithësi mbi veprimtarinë fetare dhe atdhetare të Pjetër Bogdanit. Në kumtesat e tyre ata kanë theksuar, ndër të tjera, edhe rolin që ai ka luajtur në formimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689, dhe pasqyrimin e historisë së shqiptarëve në kryeveprën e tij teologjike, “Cuneus Prophetarum”, “Çeta e Profetëve”, për të cilën kanë folur më hollësisht Dr. Martin Camaj dhe Dr. Ibrahim Rugova. Për fatin e mirë, të gjitha kumtesat nga pjesëmarrësit e dalluar si dhe historiku i organizimit të seminarit, janë botuar – si një testament i përhershëm historik – në librin me titull, “Imzot Pjetër Bogdani në New York”. Libri është botuar nga Z. Tonin Mirakaj, ish-kryetari i Këshillit të Kishës Katolike, “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Nju Jork, publicist dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan – njëkohësisht edhe drejtuesi i komisionit që organizoi seminarin për 300-vjetorin e vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, tetorin e vitit 1989.
….
Dr.Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjell Edaj në Kongresin e Shteteve te Bashkuara në Washington, Tetor 1989
Pas seminarit në Nju Jork, Profesorët Ibrahim Rugova dhe Engjëll Sedaj, të shoqëruar nga anëtari i komisionit përgatitor z. Simon Simonlacaj. Atje i priti Frank Shkreli, ish Drejtori i “Zërit të Amerikës” për Evropën.
Folësit me atë rast theksuan se krahas aktivitetit shpirtëror dhe fetar, imzot Pjetër Bogdani, veproi edhe në zgjimin e identitetit kombëtar, duke u marrë aktivisht me organizimin e shqiptarëve në rezistencë kundër pushtuesve osmanë ndërsa vizitonte të gjitha kishat dhe krahinat nën mbikëqyrjen e tij si kryeipeshkëv, i atyre anëve.
“E pra, kur lufta anadollake kishte shpërthye me ma të madhin hov, kur turku kishte këthye Shkodrën në kasaphane priftënsh e fretënsh, kur vet banorët e këtyre anave mshefeshin nepër shpella e galushtra të maleve…kundra këshillit të shi atyne që sot më padisin, unë mora në dorë këtë kishë të Shkodërs. S’shiqova komoditet as pushim: pa mbulojë, pa shtrojë, pa pullaz mbi krye, në rrezik nga turku, nga shkjetë, nga çifutënt, vizitova Kelmendin, Kuçin, Hotin, Kastratin, Shkrelin, Plavën, Rrjollin e vende të tjera”. (Nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”).
Në kuadër të veprimtarisë së tij atdhetare, Pjetër Bogdani, në vitin 1688-1689 udhëheq kryengritjen anti-osmane, me 6000 shqiptarë, në koalicion me ushtrinë austriake, theksuan studiuesit e jetës dhe të veprimtarisë së Pjetër Bogdanit. Fatkeqësisht, kryengritja e tij kundër osmanlinjve nuk pati sukses dhe pas një sëmundjeje të rëndë vdes në Prishtinë në vitin 1689. Me vdekjen e Bogdanit, vdiq ideja dhe organizimi i kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve turq, ka shënuar Gaspër Gjini në librin e tij, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”.
Duke u hedhur një sy kumtesave të ekspertëve të lartpërmendur në seminarin e mbajtur në Universitetin Fordham në Nju Jork, në Tetor 1989 – në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit dhe të botuara nga Tonin Mirakaj, në librin kushtuar këtij përvjetori – lexuesi mëson hollësi të shumta për jetën, veprat dhe vlerat patriotike dhe fetare të Bogdanit, nga disa personalitete prej më të dalluarve ekspertë të kulturës dhe gjuhës shqipe. Folësit kanë venë në dukje, ndër të tjera, dashurinë e madhe të Bogdanit për gjuhën shqipe, për Atdheun e tij dhe për gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar, në kohën që ai jetonte, si dhe qëndrimet e tij kundër pushtuesve osmanë. Për vetëdijen e tij kombëtare, sipas Dr. Ibrahim Rugovës, në veprat e tija, Pjetër Bogdani “Jep një kontinuitet historik të popullit tonë që nga kohërat e hershme e deri në kohën e tij.”
Organizimi i seminarit nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork në Tetor 1989, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, mund të konsiderohet si një ndër aktivitetet më të madhërishme dhe më të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë viteve. Ishte i tillë për nga pjesëmarrja e madhe e shqiptaro-amerikanëve dhe seminari dallohej edhe për nga personalitetet shqiptare që paraqitën kumtesat e tyre për jetën dhe veprimtarinë e Bogdanit. Për më tepër, rëndësia e këtij seminari 30-vjet më parë, sipas disa ekspertëve, nga këndvështrimi i sotëm, ishte pikërisht paraqitja e Dr Ibrahim Rugovës në këtë tubim, më 7 Tetor të vitit 1989 – që ishte njëkohësisht edhe vizita e tij e parë në Amerikë – që në të vërtetë, ndryshoi jo vetëm jetën e tij, por edhe fatin eventual të Kosovës, si dhe politikën dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara në përgjithësi, “Në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, siç kishte deklaruar ai që prej fillimit. Ndonëse 30-vjet më parë, seminari tërhoqi vëmendje dhe interesim të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe në diasporën shqiptare në tërësi, në Shqipërinë komuniste dhe në Kosovën e pushtuar, mbretëronte një heshtje mbytëse mbi pjesëmarrësit, mbi punimet dhe kumtesat e ekspertëve më të njohur shqiptarë, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare – mbi jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, mbajtur në Nju Jork. Arsyen e interesimit të madh për këtë seminar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, në atë kohë, e shpjegoi ndoshta më së miri gazeta “Zëri i Atdheut”, e botuar dikur në Nju Jork. Në kryeartikullin “Madhështia e një Seminari”, ndër të tjera ajo gazetë shkruante:
“Nji tjetër arsye, që e zgjoi kërshërinë e mërgimtarëve shqiptarë për këtë eveniment historik, kombëtar, fetar e kulturor, ishte ajo, që Kisha katholike shqiptare i ftoi me marrë pjesë në ketë seminar dy shkollarë shqiptarë nga Kosova, përndryshe studjues të rrastë të Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij gjeniale: Prof. dr. Ibrahim Rugova, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – njëri ndër përfaqsuesit ma eminent të kulturës shqiptare, jo vetëm të Kosovës dhe kolegu i tij Prof. dr. Engjëll Sedaj – që të dy profesorë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Pjesëmarrja me aqë shumicë dhe rangu aq i naltë akademik i ligjëruesve të rastit, të lejshin me kuptue, pamvarsisht, se gjindeshim në njenën nga dy qendrat kryesore të kulturës shqiptare – në Tiranë ase në Prishtinë.”
Në Nju Jork, si sot e 30-vjet më parë, 7 tetor, 1989, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” organizoi pra seminarin në kujtim të 300-vjetorit të vdekjes Pjetër Bogdanit – në vitin 1689 në Prishtinën dardane. Atëherë dhe sot kujtojmë Pjetër Bogdanin dhe vdekjen e tij, kur,
“U vesh në zi Shqipëria, vajtoi Kisha, mbet pa Bari grigja e Kosovës shqiptare…U shkretuan Shkupi, Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja…Sot mbas tre shekujsh historia kërkon varrin e pa rrasë, pa emër, të pa kryq (të Pjetër Bogdanit) dhe se aty në Prishtinë të përgjakur si sot treqind vjet, vdiq dhe u nxuer prej dheut më i përmenduri Ipeshkëv arbënuer i kohës, më i denji pinjuell i Kosovës hasjane, më i squeti shkrimtar e lavrues i gjuhës neoilire, më i zellshmi Apostull dhe më i palodhshmi mbrojtës i Fesë dhe i Kombësisë”. (At Danjel Gjeçaj në kumtesën e tij në seminarin kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, Nju Jork, 7 Tetor, 1989).
Ky ishte Pjetër Bogdani i Gurit të Hasit, sot e 330-vjet më parë!/gazeta dielli/
*Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë
Fotografitë mbi punimet e seminarit janë marrë nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York” me botues, Tonin Mirakaj