Vargje poetike nga Avdush Canaj
DYERT E ËNDRRËS
Dyert e ëndrrës
Janë te nënkresa.
Sapo të flesh
Hapen me yje.
Magjia të merr për dore
E ti bëhesh zog
Fushave t`ylberta të rritës.
Nëse vonohesh në shtrat
Dyerve të ëndrrës
I humb çelësi!
VETËM NJË DITË
Vetëm një ditë
Qielli mbushet
Me gjyshe
Si me pëllumba.
Ujku bëhet qengj,
I blegërinë pranverës
Me kecat e përrallës.
Lumi që s`di për ëndrra ,
Shkon në maje të kodrës
E i bie fyellit të ujit.
Qarri bënë dardha
Sa një shalqi,
Vetëm një ditë!
Jashtokësorët
Vijnë në Prishtinë
Për një akullore
Me çokollatë e bozë dardane,
Ma falin një yll
Për këmishë të re.
E di kur?
Vetëm me 1 prill.
Please follow and like us: