Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Abuzim dhe bullizëm që vret

Bullizmi dhe abuzimi ngjajnë shumë e janë të përhapura tej normave të lejuara shoqërore vitet e fundit. Kujdesi duhet të fillojë që në kopsht, të shtrihet në shkollat fillore dhe ato 9-vjeçare me një program të detajuar, me projekt nga shoqatat ose shteti me një grup profesionistësh, sepse parandalimi është më i lehtë se shërimi.



Çfarë është bullizmi

Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, dëshirë që dëmton, një veprim që lëndon, një disbalacë në forcë, një përdorim i padrejtë i forcës, një kënaqësi e dukshme e agresorit si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qënit mbizotërues ndaj viktimës”. ‘Bullying’ i shqipëruar do të thotë “kërcënim” dhe tregon fenomenin e sjelljeve të përsëritura, agresive, të dhunshme me karakter psikologjik, fizik, që u bëhet fëmijëve, adoleshentëve të pambrojtur e të vetmuar, por nuk përjashtohen as të rriturit që bullohen ose i bullojnë të tjerët, si psh., një individ ose grup individësh më të mëdhenj, të cilët kërkojnë të diskriminojnë, keqtrajtojnë, abuzojnë. Këtë nocion e kemi dëgjuar shpesh në shkolla, por edhe më herët, që në çerdhe ndodh mbizotërimi i një personi ndaj tjetrit, që shkakton mënjanim dhe veçim individi në ambientet ku ata mësojnë ose kalojnë kohën e lirë. Këta individë agresivë kryejnë bullizëm ndaj “viktimave” të tyre, duke shfrytëzuar moshën më të vogël, pamjen e jashtme, statusin social, përkatësitë racore, kombësinë ose dhe përkatësinë fetare. Bullizmi shfaqet me karaktere dhe me forma të ndryshme:

1-Bullizmi fizik, abuzim me anë të dhunës së përsëritur të çdo forme.

2-Bullizmi psikologjik verbal me anë të fyerjes, nofkave, thashethemeve dashakeqe, shpifjeve…

3-Bullizmi social që do të thotë mënjanim nga grupi shoqëror në shkollë, ose në festa që organizon klasa. 4-Bullizmi seksual, që është verbal me anë të fjalëve fyese, provokuese, por edhe fizik në ngacmime seksuale.

5-Bullizmi virtual me anë të rrjeteve sociale dmth., keqpërdorimi i tyre për të dëmtuar “viktimën” me postimin e fakteve apo thjesht shpifjeve publikisht…

6-Bullizmi racial nëpërmjet fyerjes dhe dhunës.

7-Bullizmi fetar duke diskriminuar dhe fyer fenë ku nxënësi ose prindërit e tij besojnë.

Si ta dallojmë fëmijën që është nën presionin e bullistëve:

a-Fëmija nuk pëlqen më atë që pëlqente.

b-Fëmija është i fiksuar pas “Instagram”-it apo ‘FB’ nëse ka llogari, dhe papritur tenton t’i mbyllë ato nga frika.

c-Fëmija nis të ketë shumë dhimbje koke ose dhembje stomaku.

 d-Fëmija grindet dhe nuk flet me miqtë.

e-Fëmija nuk do të shkojë në shkollë ose në stërvitje.

dh-Fëmija nuk pëlqen më veten.

f-Fëmija fillon të ushtrojë vetë bullizëm ndaj një më të dobëti.

Si ta ndihmojmë fëmijën nga bullizmi, 5 mënyra efikase:

1-Bisedoni me mësuesen.

2-Përfitoni nga “orët e hapura”.

3-Shkoni në takime me prindër dhe ngrijeni si problem, bëjeni publike bullizmin që i ndodh fëmijës tuaj.

4-Mbrojeni fëmijën. Jepini fëmijës mjetet e duhura për t’u përballur me ballistin.

5-Luftoni t’i induktoni vetëbesim dhe aftësi të mbrohet…

Bullizmi dëmton shëndetin mendor dhe fizik, madje edhe vret fëmijë të pafajshëm, nëse nuk i mbrojmë!/gsh.al/

 

Please follow and like us: