Dhimbja e nënave kosovare që humbën fëmijët, në garë për Oscar
Serbeze Haxhiaj
Antoneta Kastrati tregon sesi filmi i saj, që përshkruan dhimbjet e mëdha të nënave fëmijët e të cilëve u vranë gjatë kohës së luftës, që është kandiduar nga Kosova për çmimet Oskar të vitit të ardhshëm, u frymëzua nga tragjedia e familjes së saj.
Mëngjesin e 10 qershorit 1999, vetëm disa orë pasi marrëveshja e paqes që do t’i jepte fund luftës së Kosovës u nënshkrua mes NATO-s dhe ish Jugosllavisë, Antoneta Kastrati dhe motra e saj e vogël, Sevdija u larguan nga shtëpia e tyre në përpjekje për tu strehuar në një pyll disa kilometra më larg.
Kastrati nuk arriti ta bindte dot nënën dhe motrën e saj më të madhe që të largoheshin bashkë me to.
Disa orë më vonë, nëna e saj Ajshja, në atë kohë 50 vjeçare, dhe motra e saj Luljeta, 24 vjeçare, u vranë në një shtëpi ku ishin strehuar 18 civilë.
Ata u vranë nga një grup i policisë serbe dhe civilë të armatosur në fshatin e tyre të lindjes Zahaq, afër qytetit perëndimor, Pejës. Viktima më e re ishte një vajzë 11-vjeçare.
Ky moment e ka përndjekur Antoneta Kastratin, ditë e natë, për më shumë se dy dekada. Pesë vjet më parë, ajo vendosi të realizonte një film që ajo e përshkruan si një “version të filtruar të historisë personale”.
Filmi, i titulluar “Zana”, i frymëzuar nga përvoja e humbjes së nënës dhe motrës së vetë regjisores, ka aplikuar si kandidatura e Kosovës për çmimet Oskar që do të mbahen vitin e ardhshëm në kategorinë Filmi më i Mirë i Huaj.
Filmi i Kastratit përdor eksperiencën e dhimbjes dhe traumës së saj të luftës së viteve 1998-1999 si bazë për një dramë prekëse të një nëne, jeta e së cilës u shkatërrua, duke përshkruar se sa e vështirë mund të jetë për një prind të vazhdojë jetën e saj pas vdekjes së njerëzve të saj të dashur.
“E parandieja se do të ndodhte diçka e tmerrshme”
“Lufta është gjëja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë një vendi dhe është përvoja më e keqe, nga e cila është e vështirë të shpëtosh për një kohë të gjatë. Gjatë gjithë kohës së luftës kisha një parandjenjë të fortë dhe nuk doja të isha në shtëpi kur të arrihej marrëveshja e paqes (Marrëveshja e Kumanovës). Ndieja se me lajmin e mirë, do të vinte diçka e keqe”, tha Kastrati për BIRN në një intervistë nga shtëpia e saj në Los Anxheles.
Vite më vonë, derisa luftonte ende me makthet e saj nga koha e luftës, ajo vendosi të përpiqej ta kapërcente dhimbjen e saj duke treguar historinë e saj.
“Doja të shkoja më thellë, për të parë se si diçka që nuk mund ta kthesh më pas siç janë familjarët që ke humbur, mund ta transformojë jetën tënde”, shpjegon ajo.
“Pas luftës, pavarësisht asaj që ato përjetuan, shumë gra në Kosovë nuk mund të merrnin një trajtim të duhur psikologjik”, shtoi ajo.
Filmi tregon historinë e Lumes (luajtur nga Adriana Matoshi), një grua shqiptare nga Kosova që nuk arrin ta pranojë kurrë vrasjen e vajzës së saj katër vjeçare, Zanës, gjatë luftës, të cilën e përndjekin makthet dhe nuk mund të ketë një tjetër fëmijë, edhe pse nuk ka probleme infertiliteti, por për shkak të gjendjes së saj psikologjike.
Të dëshpëruar për të pasur një fëmijë, burri i saj Iliri (Astrit Kabashi) dhe vjehrra Remzije (Fatmire Sahiti) bëjnë presion që ajo të kërkojë mundësi shëruese mistike pasi mjekësia moderne nuk arrin ta ndihmojë dot.
Ky film tregon se si nënat që humbën fëmijët e tyre në luftën e viteve 1998-1999 luftuan për të kapërcyer pikëllimin e tyre, i cili ishte acarohet më shumë nga ndjenja e padrejtësisë dhe tregon sesi gratë përballen me humbjen e një fëmije mes presioneve të një shoqërie patriarkale.
“Filmi është fiksion, por gjithashtu buron nga jeta ime. Ëndrrat e këqija të personazhit kryesor janë pjesë e anktheve të mia që s’do të shërohen kurrë”, thotë Kastrati.
“Për gratë që humbën fëmijë, lufta vazhdon”
Me kalimin e viteve, tema e çrregullimit të stresit post-traumatik në shoqërinë e pasluftës e motivoi atë të tregonte rrëfimin e saj derisa ndihej e gatshme të përballej me këtë episod pikëllues në jetën e saj.
“Ka probleme të thella. Doja të shkoja përtej kësaj dhe të tregoja realitetin e shoqërisë sonë dhe sfidat në trajtimin e duhur të traumës”, thotë ajo.
“Kam parë personalisht që drama emocionale vazhdon për shumë gra që humbën fëmijët e tyre në luftë. Shumë prej tyre u bënë më nëna, por janë edhe ato si personazhi kryesor në filmin tim që ndiejnë se nuk mund të jenë nëna fëmijësh të tjerë. Kjo do të thotë që jo të gjitha qenë në gjendje të kapërcenin humbjen e fëmijëve të tyre”, shtoi ajo.
Për këto gra që s’e lënë dot pas dhimbjen e tyre, “ lufta vazhdon ende”, tha ajo.
“Shoqëria patriarkale ndonjëherë i ka bërë gratë ta ndiejnë më shumë peshën e traumës. Gjithkund në botë gratë përdoren për qëllime lufte, rezistencë politike dhe nacionaliste. Por askush nuk mund të shohë sa e thellë dhe e errët është vuajtja dhe trauma e tyre”, vazhdoi ajo.
Filmi “Zana” i Kastratit gjithashtu reflekton një lloj pikëllimi kolektiv, duke treguar sesi e kaluara e dhimbshme e vendit ndikon akoma në një mënyrë të zymtë, të fuqishme dhe mbërthyese tek e tashmja.
Edhe nëse autorët nxirren para drejtësisë dhe përballen me të vërtetën në gjykatë, krimet e tyre vazhdojnë të kenë pasoja njerëzore, theksoi ajo.
“Për mua, kjo ndodhi dhe nuk mund të zhbëhet më”, tha ajo. “Mund të ketë dënime në emër të drejtësisë, por kjo nuk do të sillte asnjë lloj kënaqësie, sepse askush nuk m’i kthen dot më pas njerëzit e mi të dashur dhe askush s’ma fshin dot dhimbjen.”
*****
Serbeze Haxhiaj është redaktore e lajmeve në televizionin publik të Kosovës, RTK. Foto kryesore: Adriana Matoshi, aktorja kryesore në filmin e Antoneta Kastratit, “Zana”. Foto: Crossing Bridges Films