Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Çmimi Nobel dhe Ismail Kadare

 Image may contain: 3 people, including Ndue Ukaj, people smiling, people sitting, table, tree and outdoor

Sot jepet Çmimi Nobel për Letërsi- dinamiti kulturor

Sot sytë e botës së kulturës dhe të artit, drejtohen kah kryeqyteti suedez, Stockholmi, ku jepet Çmimin Nobel për Letërsi.
“Çmimi Nobel për Letërsi, është dinamit kulturor”, shkroi Per Wästberg, shkrimtar dhe anëtar i Akademisë Suedeze, në një shkrim autorial të botuar para disa viteve në njërën nga gazetat më të mëdha suedeze, Svenska Dagbladet.
Ky Çmim, me historinë e tij të lavdishme i ka dhënë shtytje dhe nxitje të pamatshme fuqisë së artit, duke e bërë atë më të rrokshëm anë e kënd botës. Më të shpejtë dhe më të qarkullueshme. Ka mundësuar që bota të njihet më mirë me vlerat e kombeve dhe të gjuhëve tjera.

“Përjetësi është fjala”, pati thënë Nathan Söderblom kur vdiq Alfred Nobel. Me çmimin e krijuar për letërsi, shpikësi i dinamitit i dha përjetësisë së fjalës një format universal: krijoi kulturën e nobelit.
Shkencëtari që themeloi këtë çmim, e dinte se gjuha është pushtet sa një mijë ushtri, prandaj i kushtoi një vëmendje të veçantë pushtetit të artit, letërsisë.
Letërsia vazhdon të ushtrojë ndikim te njeriu. Ajo vazhdon të nxitë emancipimin njerëzor. Ajo vazhdon të thyej tabu dhe të hapë horizonte të reja. Ajo vazhdon t’i ndihmojë njerëzit që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre për t’i artikuluar mendimet më bukur dhe më qartë. Ajo vazhdon të hulumtojë ekzistencën njerëzore, në thellësi dhe lartësi. Ajo vazhdon të jetë përjetësia më e bukur e njerëzimit.
Shkëlqimi universal i fuqisë së fjalës së shkruar dhe i njohjes së përbotshme, me Çmimin Nobel për Letërsi, ka marrë shtrije thirrje planetare dhe një dimension të jashtëzazkonshëm. Pa dyshim, nëse e marrim dhe e analizojmë historinë e këtij çmimi, emrat që e kanë fituar atë, afirmimin që iu ka bërë shumë veprave dhe autorëve, shohim se ndikimi i tij është i pakrahasueshëm.

Letërsisë shqipe i mungon Çmimi Nobel për Letërsi, ndonëse autori ynë i madh Ismail Kadare i ka dhënë artit shqiptar nder e dinjitet ndërkombëtar, duke e bërë pjesë të kulturës së përbotshme.
E di se është klishe të përsëritet, por dua ta ripohoj: Ismail Kadare është nga autorët ma të mirë planetar, dhe si i tillë, pa kurrfarë dyshimi, ai e meriton Çmimin Nobel.
Ka kohë që thuhet e shkruhet se vepra e tij letrare nuk ka nevojë të certifikohet, sepse është certifikuar, pranuar dhe vlerësuar universalisht. Ky mendim tanimë është i pranuar si i mirëqenë gjithandej në rrehet letrare e kulturore të përbotshme. Romanet e tij lexohen me ëndje, studiohet me përkushtim dhe admirohet në gjithë planetin.
Letërsia shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor që e dhuron Nobeli. Për të, ka nevojë gjuha shqipe dhe kombi shqiptar, që të hyjnë në vallen e popujve që kanë fituar nobelin e letërsisë. Kjo s’është pak, përkundrazi, kjo është shenjë kulture, dëshmi e lartësisë dhe e vlerës.
Për këtë çmim, më shumë ka nevojë gjuha dhe kultura shqiptare, sesa vetë Kadareja. Për faktin e thjeshtë se vepra e tij ka prekur majat e kulturës botërore dhe jeton në ato lartësi.
“Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar”- shkruan Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze, në një recension për romanin “Lulet e ftohta te marsit.” Po, Kadareja është luan i letërsisë shqipe dhe meriton këtë çmim. Jo për asgjë tjetër, por pse shkruan letërsi të bukur, magjepse, letërsi që joshë mijëra lexues anë e kënd botës. Dhe unë lutem që sot, kur të hapet dera e Komitetit të Nobelit, aty të kumbon emri i Ismail Kadaresë.

Please follow and like us: