Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: MURGU I RRUGËS SË MADHE

No photo description available.

Në krahë të thatë, në krok-krok korbi,
kam vënë dashuri. Në pikëllimin e vrerët
kam therorizuar lumë qumështi, gjithë shqerrat,
të bardhë shkumë,
llamburisur në çdo fije pushi
sa të shëndritnin netën dhe krejt shpellat.

Por shpesh fli e përbuzur, e shkelur…
(shih, pa shih, më dallgëzojnë lotë)
një barrë me male gjethimbardhë,
e shkelur vetëm nga një gozhdë.

Pikëllime që mund të vrenjtnit botën,
në ngjyrën e mugut të lotëve zbardhur,
kurrë nuk e shpëlatë dot terrin,
kulluat në mundësi shkrirjeje të akullit.

Kam dhënë dashuri. Një bankë e çelur
hap e gardh, fushë krejt e korrur, veç merreni!
Eja, hajdut, brigand, lypës a duarndytë i lindur,
kryqëzoni mbi mua thikat, veç merrni.
Veten tuaj mbi thesare të hapura pa çelës,
veten tuaj, lutem, mos e therni.

Të pres, i dalë nga mure virgjër e të shenjtë.
Të pres, unë i tharë në kockë mur e trung,
merri çelësat, barbar, gjete budallanë e artë,
më kot shtyhesh, vë brrylat, veç zhgrrap e nduk.

Po pështyn gishtat, numëron ç’more,
teksa mbi pragun tim syshqyer, trandur
trallisur po pshurr.
Gëlltis lotët, i fshihem thikës sate,
lutem mos më vrasësh, i ftohtë, i ngjitur për mur.

Kam vënë dashuri. Kam falur tufën e qëngjave
nga vatha ime dhe e di se do t’m’i thernin në muzg.
Rrugës së madhe s’ia del me veçim e urrejtje.
(Gur e trung… e zemrën mos e thaj kurrë, o murg).

Leter Hamurabit, 1997.

Please follow and like us: