Arben Malaj: In memoriam, Lavdosh Zaho!
Po ndaj me ju një lajm të hidhur. Sot është ndarë nga jeta, profesori, kolegu dhe miku ynë Lavdosh Zaho. I qoftë i lehtë dheu i kësaj toke, të cilës profesori i shërbeu përherë me integritet dhe kredibilitet maksimal. Ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të profesor Lavdoshit. Mirenjohje edhe personale për mbështetjen dhe inspirimin e tij në çdo hap të jetës time. I paharruar kontributi i tij shkencore dhe human.
Arbeni
Prof. Dr. Lavdosh Zaho është një nga lektorët dhe ekspertët më të njohur në fushën e institucioneve financiare dhe teknikave bankare. Eksperienca e tij mbi 40 vjeçare kombinon në harmoni dimensionin akademik me atë të prakticienit. Eksperienca akademike e tij fillon në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe vazhdon në këtë fakultet duke njohur rritje të vazhdueshme përgjatë 37 viteve.
Prof. Dr Lavdosh Zaho ka përgatitur leksione dhe botuar libra për lëndët e kompetencës së tij, ka udhëhequr departamentin e lëndëve të financës, ka kontribuar dhe udhëhequr punën në grup për zhvillimin kurrikular si dhe kërkime shkencore teorike e me karakter aplikativ.
Ai ka kryer funksione drejtuese akademike si zëvendës Dekan apo Kryetar i Këshillit të Profesorëve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, anëtar i Senatit të këtij universiteti si dhe shumë funksione të tjera të drejtimit akademik.
Prof. Dr. Lavdosh Zaho ka një përvojë të pasur në veprimtarinë praktike të institucioneve financiare e bankare duke kontribuar në këtë sektor për një periudhe të gjatë si ekspert dhe në role drejtuese.
Ai ka dhënë kontributin e tij në ngritjen dhe zhvillimin e sistemit bankar shqiptar në kushtet e ekonomisë së tregut ku veçohet roli i tij në organet drejtuese të Bankës së Kursimeve ndërsa, pas privatizimit të saj, u përzgjodh anëtar i Bordit te Drejtorëve të Raiffeisen Bank në Vjenë.
Prof. Dr. Lavdozh Zaho ka kontribuar edhe në zhvillimin e sistemit të kontablitetit duke qenë anëtar i komisioneve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).
Ai është gjithashtu një ekspert i mirëvlerësuar në tregun e konsulencës për institucionet financiare e bankare si dhe për sipërmarrjet private lidhur me nevojat e tyre për analiza dhe këshillime mbi menaxhimin financiar.
11 tetor 2019