Tashmë Astiri ka hyrë në histori
Eden Babani, Bruksel
Të ndjekësh protestat e përditshme të banorëve të Astirit në mbrojtje të pasurive të vëna me mund e djersë, në mbrojtje të strehëve ku fusin kokën, në mbrojtje të jetës së kërthinjve që ëndërrojnë të jetojnë si moshatarët e vendeve demokratike, qoftë edhe të atyre me demokraci të brishtë, nuk ka sesi të mos emocionohesh. Të shohësh qindra policë nën lloj-lloj uniformash, me maska e pa maska, barkderra e çupëlina që nuk dinë të mbrojnë gishtat e tyre nga shashkat, jo më të kenë haberin se çka do të thotë shërbim policor në mbrojtje të ligjit e të jetëve njerëzore, nuk ka sesi të mos dëshpërohesh.
Dëshpërimi merr përmasa të tejskajshme, të vëresh dhunën shtetërore përballë lirive dhe të drejtave të njeriut. Në njërën anë, gra, – nëna, bija, motra, – me gojë të zëna dhe lidhur simbolikisht me zinxhirë, (simbolika të burgut dhe të mohimit të së drejtës për t’u shprehur). Në anën tjetër, dhjetëra makina policie (simbolika e terrorit shtetëror). Janë simbolika që, ndonëse bien ndesh dhe përjashtojnë njëra-tjetrën, i shkojnë si peri gëzofit qeverisjes rilindëse.
Para do ditësh, tetë “ministresha” të Kryeministrit Rama, i dërguan një letër fund e krye të pështirë Parlamentit të Holandës, me lutjen varfanjake për të mos penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Lëre rolin qesharak të lypsareve që morën përsipër zonjat “ministresha”, por budallallëku i tyre kapërceu çdo parashikim, teksa mburrnin ligje që bien ndesh me konceptin tradicional të familjes shqiptare. Nuk e di orientimin seksual të zonjave, ndaj nuk marr përsipër t’u vërsulem ashtu siç do ta meritonin (nëse) e siç do ta kërkonte rasti. Ama, nuk kam sesi të mos vë në peshoren e arsyes qëndresën njëvjeçare të grave të Asitirit, bash në mbrojtje të familjes.
Tetë të preferuara militante të rilindjes edramiste, në njërën anë të peshores. Dhjetëra në mos qindra qëndrestare të pamposhtura në kërkim të së drejtës së tyre, në anën tjetër. Peshorja çmendet dhe rreh të thyhet, si me pas në dy pjatëzat e veta thneglën dhe elefantin.
Nuk e kam paragjykuar asnjëherë kahen politike të banorëve të Astirit, djathtas ose majtas. Aq më tepër që Protoduarët i kam njohur si ish-të përndjekur politikë, qysh se drejtoja gazetën “Liria”, në fillim të viteve ‘90. Edhe më tepër akoma, qysh se zonja Gjylameti, fitoi në vitin 2013 si pjesëtare e listës së Partisë Socialiste në zonën e Astirit. Krejt normale. Bindjet politike të cilitdo varen nga këndvështrimi që e kundron ai të tashmen dhe të ardhmen e vet.
Banorët e Astirit kanë thënë se zonja deputete e PS-së u kishte premtuar asohere banorëve legalizimin e banesave dhe të bizneseve, për të cilat kanë paguar rregullisht taksa këtu e tridhej vjet të shkuar. Madje edhe e kanë ftuar për të biseduar vençe e pa doreza, madje edhe në prani të mediave. Por me sa di ajo nuk ka pranuar. Komenti do tê ishte i tepërt.
Kësisoj, nuk kishte sesi të mos shpërthente në protestën e së shtunës një i moshuar me përkatësi të majtë. Ai gulçonte nga shpirti teksa u drejtohej “shokëve policë a oficerë” të vinin e “t’i shtypnin me makinë” të gjithë. Ai nuk kurseu as Kryeministrin Rama kur tha: “…ta dinë të gjithë se unë i majtë jam, por ky (Rama) qenka një maskara i së majtës”.
Në gjykimin tim, “i moshuari me bindje të majta”, e vulosi njëherë e përgjithmonë të vërtetën e pakundërshtueshme se çështja banorëve të Astirit dhe qëndresa e tyre e stërzgjatur kanë hyrë tashmë në histori, ashtu siç ka hyrë qëndresa e artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, ashtu si protestat e Studentëve, ashtu si thyerja e traut në Rrugën e Kombit, ashtu si dhjetëra e dhjetëra të tjera të këtyre gjashtë vjetëve që qeveris vendin maskarallëku.
Keqardhje për pakujdesinë e gazetarit që e dha lajmin, pa i përmendur emrin “të moshuarit” majtist. Njerëzit e ndoqën me zë e me figurë “të moshuarin” teksa gulçonte, por emrin nuk ia mësuan. Më tepër kujdes djem e vajza të mediave.