Albspirit

Media/News/Publishing

‘Pikëllim në një foto të vjetër’ i Qerim Vrionit në një kumtim

Maro Pasho, Itali.

 

Pas leximit të librit “Pikëllim nënjë foto të vjetër” të studiuesit Qerim Vrioni, natyrshëm më lindi ideja që të hedh edhe unë disa përshtypje mbi të. Diku, në një pjesë të librit, autori shkruan se kjo foto është një nga më të goditurat e gjithë fotografisë shqiptare qysh nga fillimet e saj, Mendoj, fillimisht se ky studimi  është një nga më të goditurit në llojin e vet, që për hir të së vërtetës mungojnë. Autori ka bërë një punë jashtëzakonisht të kujdesshme, me kompentencë, me dashuri, me art.

Nuk është vetëm një studim thjeshtë i një fotoje, po aty gjen brenda histori, gjeografi, mendime të kohës së fotos, zakone e doke dhe këto të shkruara me një stil të rrjedhshëm e gjuhë të pasur si në një tregim. Nuk e di sa kohë i është dashur autorit, së pari për të siguruar materialin e duhur në shtypin dhe letërsinë tonë dhe të huaj, po, ma merr mendja, shumë kohë, sepse studime tëkëtij niveli, nuk bëhen çdo ditë.

Autori ka bërë një përshkrimin e autorit me një paraqitje kaq të hollësishme të ngjarjeve, rrethanave, ambjentit, sa lexuesit i duken shumë të afërta, të njohura, madje ndonjë herë sikur ka qënë pjesëmarrës në to. Paraqitja e librit, ballina e gjetur, ngjyrat, cilësia e kartës e zgjedhur, e bëjnë të gjitha bashkë këtë libër, mbi të gjitha studimi shumë i ndërgjegjshëm artistik, të qëndrojë me dinjitet, në rreshtat e librave më të mirë të këtij lloji.

Duke lexuar librin të dalin përpara syve ngjarjet e kohës kur u ngjiz fotoja, jo një moment dhe një çast, por si në një film kinematografik, një histori e tërë e një ndërkohe problematike. Autori jep një kuadër të hollësishëm historik të ngjarjeve, marrëdhëniet diplomatike të kohës, por edhe shoqërore dhe të bën përshtypje hollësitë që Vrioni, si një historian i vërtetë përshkruan luftën e përgjakshme të dimrit 1912-1913, bombardimin e Shkodrës, mijra të vrarë e të plagosur, mungesa e ushqimeve parësore që shkakton vdekje nga uria dhe shkatërrimi i qytetit dhe të gjitha këto të çojnë tek një foto të dhimbshme, tek një pikëllim, të çojnë tek Gjon Pali dhe e bija. Gjon Pali i plagosur për vdekje, ose tashmë i shuar, e bija vështron të jatin me pikëllim, pa lot, dhembja ngurtësohet në vështrim.

Në studimin e Qerim Vrionit është shumë interesant kapitull “Vdekja e njeriut dhe pasvdekja”, temë e trajtuar edhe në artet e Rilindjes italiane. Vrioni është një vrojtues i vëmendshëm, shumë i kujdesshëm sa që nga një foto (ndër të tjera foto e mrekullueshme të një fotografi të madh) ndërton një libër të tërë, një studim me vlera për kritikën e historinë e fotografisë shqiptare, jo shumë e rrahur në vendin tonë.

Ia vlen të qëndrojmë pak edhe tek gjuha e përdorur nga autori në libër. Perdorimi me vend i figurave letrare si epiteteve e bën librin më të plotë, ku autori me kujdes të veçantë iu gjen vendin e duhur si një tregimtar i vërtetë që di ta latojë mirë e bukur fjalën dhe fjalinë. Gjuha e pastër, e përpunuar dhe e kaluar mirë në sitë, fjalë e togëfjalsha të zgjedhura me shumë kujdes, mund të them, me dashuri nga autori ta bëjnë leximin të këndshëm e të nxisin ta lexosh me një frymë.

Analiza që Vrioni i bënë fotos është e plotë, vështruar nga ana artistike, etnografike, historike, është një tabllo e gjerë e jetës së kohës të shkrepjessë fotos, siç thotë autori. Në f. 65 të librit të tij, Vrioni shkruan: “Gjithashtu kjo foto mund të shërbejë jo vetëm si një ikonë dokumentare, por edhe si një simbol artistik pamor i Rrethimit të Shkodrës dhe të luftës për mbrojtjen e saj nga shovinistët malazezë”.

Unë mund të them se ky libër, ky studim i mrekullueshëm i Qerim Vrionit, mund të shërbejë si libër, tekst studimi në shkollat artistike të vendit tonë duke plotësuar kështu atë boshllëk të krijuar ndër vite.

I bëj urimet më të mira Qerim Vrionit, fotografit, artistit, studiuesit duke shpresuar në vepra te reja e foto të mrekullueshme, siç është në stilin e tij të zakonshëm.

Analizave estetike të librit, përgjithësisht i vjen edhe pak erë shkence, një vektor i rëndësishëm për librat e këtij lloji, po kjo nuk e dëmton, madje të kundërtën, i shton vlerën. Kjo duket, jo vetëm në poshtëshënimet e fundfaqeve, por sidomos në paraqitjen në fund të librit të burimeve (libra ose artikuj shtypi), me të cilat është konsultuar autori gjatë punës së tij me analizën shumëplanëshe të fotos së Kolë Macës.

Madje do shtonim, se ky vektor është i domosdoshëm për punime mbi vepra arti, të cilat rrahin edhe probleme historike, kështu edhe mungesa e tij,  përgjithësisht ia u ul vlerën. Autori Vrioni, edhe në këtë fushë duhet përgëzuar për seriozitetin dhe skrupulozitetin e shfaqur me kujdes në faqet e librit “Pikëllim në një foto të vjetër”.

Librin e bën të plotë jetëshkrimi i Kol Macës dhe fotot e ndryshme të tij, të cilat pasurojnë ndjeshëm vizionin e lexuesit për këtë fotograf të taditës. Qerim Vrioni, fotograf  i talentuar, me këtë studim të shkëlqyer, jep një kontribut të konsiderueshëm në fushën e artit fotografik, të mbetur jetim në artet tona pamore. Leximi i këtij libri të pasuron dhe të zgjeron horizontin dhe për autorin Vrioni është një hap i rëndësishëm në krijimtarinë e tij artistike.

Duke shprehur dëshirën që “Pikëllim në një foto të vjetër” të zerë vendin e merituar në rradhën e librave më të mirë të llojit i uroj Qerim Vrionit frymëzim që të na dhuroj vepra të tjera të këtij niveli në të ardhmen.

 

 Gazeta “Koha Jonë“, 13 tetor 2019.

 

 

 

Please follow and like us: